Si fans i çmendur i Agatha Christie, çfarëdo që mbanë nënshkrimin e saj, unë me qejf pres çdo adaptim të mundshëm të veprave të saja, e sidomos kur janë nga Kenneth Branagh i cili nuk më ka dëshpëruar me veprat e tija të fundit si regjisor. Si aktor, në rolin e Hercule Poirot, nuk është më i miri për mua, por nuk dëmton imazhin e detektivit më të dashur për mua.

Vdekje në Nil

Është njëra ndër veprat më të “komplikuara” të Agatha Christie për shkak të rrjedhës së ngjarjeve, prandaj realizimi filmik ka kërkuar më shumë përkushtim, nga të gjithë.

Edhe kjo është bërë në mënyrë goxha të përpiktë nga Branagh, përfshirë edhe shtimin e një doze të aksionit për efekte dramatike.

Por, si çdo vepër e Agatha Christie, misteri në shtjellimin e ngjarjes mbetet pika kryesore, dhe kjo realizohet goxha bukur nga Michael Green i cili arrin të fshehë ato që nuk duhet t’i dimë deri në momentin e caktuar.

Kenneth Branagh

Edhe në rolin e aktorit të Poirot kryen punë të mirë, me aq sa i përshtatet fiziku i tij për dallim nga paraardhësit si në filma, edhe në seri. Annette Bening, Armie Hammer, Tom Bateman, Gal Gadot, e Emma Mackey bëjnë punë të mirë në rolet e tyre.

I impresionuar kam qenë nga Emma Mackey që pas Maeve te Sex Education, ky ka qenë roli më i madh në film të metrazhit të gjatë. Ka arritur të portretizojë karakterin e saj për merak, ngjashëm si tjerët, përkundër dallimeve në përvojë me tjerët.

Interesante ka qenë edhe paraqitja e ish-aktorit të kthyer në konspiracionist Russell Brand, i cili jepte një ndjenjë sikur do ndalojë kamera dhe të na tregojë për idetë e tija konspiracioniste.

Venediku

Kenneth Brannagh tash është duke përgatitur “A Hauntin in Vencie”, bashkë me Michael Green. Ndonëse “Death on the Nile” është ode e mirë për veprën e Agatha Christie, marrë parasysh veprën paraprake të Branagh, pres perfeksionim të mëtejmë të punës së tij me Poirot.

Ndërkohë, “Death on the Nile” mbetet një adaptim i kënaqshëm, i denjë për Agatha Christie dhe veprën e saj. Nota personale: 4/5