Gjashtë muaj pasi merr mantelin e Captain America, Sam Wilson bashkohet me Bucky Barnes për të testuar aftësitë, e mbi të gjitha durimin e tyre.
Kështu përshkruhet seria e dytë që ndjekë finalen e Avengers, në universin e Disney+. Dhe për dallim nga e para ‘WandaVision’ kjo nuk është kërkah hiq!
Tek Wandavision, e kam përmendur që Marvel po teston ujërat e një bote më serioze, më të thellë, më të ndjeshme, larg MCU, ku krejt çfarë kemi janë shaka të pacipa, dyluftime, shumë shpërthime, dhe tentim për t’i thelluar krejt këto në diçka të ‘mençur’.
Krejt këto na kthehen në gjashtë episodet e ‘The Falcon and the Winter soldier’, ku derisa provohet të thellohet historia në personalitetin e karaktereve, trajtimin e tyre të superfuqive dhe realitetit të ri, në çdo episod rikthehemi në pikën zero pothuajse, dhe ndodh e njëjta.
Një hero duket të mos jetë në fakt një hero, dikush e manipulon atë, një njeri i mirë privohet nga të qenit hero, sepse është shumë i mirë, e disa ‘të këqij’ në fakt janë të mirë, edhe atë në aktivitete të çuditshme.
Për gjashtë episode, seria provon të zgjerohet në shumë ngjarje, karaktere, e histori që degëzohen për të lënë mundësinë e disa filmave, serive, apo edhe sezoneve, të cilat në fakt nuk ka nevojiten.
Ndoshta s’do të kishte me qenë një zhgënjim për mua pa WandaVision, pasi që nuk do të prisja diçka më ndryshe nga MCU. Është prodhim tipik i tyre, e që nuk është për shijen time. Dhe nuk do të mund të fajësoja dikë për këtë, qoftë skenaristët, aktorët, apo këdo që është i përfshirë në këtë seri. Do të duhej të fajësoja ata të ‘WandaVision’! Mund të them që ishte humbje kohe, zhgënjim, dhe larg pritshmërisë sime. Nota personale: 2/5