Pagjumësia çmend njeriun.
Rrjedhimisht nuk do të duhej t’i besonit një njeriu që gjumin e konsideron humbje kohe, por ju po vazhdoni të lexoni këtë recensim!
“Vetëm kur humba shpresën e gjeta lirinë.”
Megjithatë, gjumi ju nevojitet që të jeni të freskët nesër në mëngjes për rutinën e zakonshme të punës prej 9-10 orë nëse jeni pjesë e shumicës së skllavëruar nga oligarkët privat, apo përfituesit e luftës dhe zaptuesit e pronave publike!
Punë, e premte jashtë, vikend në natyrë, ankesë për të hënën, e premte jashtë, vikend në natyrë, deti, vikend në Brezovicë, dasma, dyjavori i parë, dhëmbi i parë, kordelja e parë, film i Ermal Mamaqit në kinema, vikend me La Casa de Papel!
Është një rutinë e gërditshme prej të cilës provon të dalë edhe narratori ynë, në zërin e fytyrën e Edward Nortonit. Ai kërkon diçka të ngacmojë ndjenjat e tij, t’i jap frymë jetës e shpirtit të tij. Ai provon të mos jetë më robot! Këtë e arrin kur në jetë i shfaqen Tajlleri dhe Marlla.
Të dy i takon gjatë kërkimit të shpëtimit nga rutina që po e bën të vuajë për gjumë. Pilula e parë vjen në takimet përkrahëse duke dëgjuar vuajtjet e të prekurve me sëmundje e fatkeqësi të ndryshme gjatë jetës së tyre. Pastaj Marlla i prish gjithçka, dhe dikur në aeroplan, kur ëndërron për rrëzimin e tij, takon edhe Tajllerin për të nisur Klubin e Rrahjes!
“Vetëm kur humbim gjithçka, atëherë jemi të lirë të bëjmë gjithçka.”
E vërtetë që ka dhunë më tepër se që duhet, si dhe gjëra tjera ‘jonormale’. Por vet filmi është një kryengritje ndaj ‘normales’. Dhe kritikat fillestare negative për filmin kanë qenë jetëshkurtra, me filmin që vetëm vite pas debutimit në kinema si një dështim komercial e artistik ka arritur të kthehet në një film kulti.
Fatkeqësisht, edhe njëzet vite pas debutimit në kinema, filmi mbetet aktual për botën e konsumerizmit. Çerek ora e parë e filmit përshkruan një njeri ‘normal’ në të sotmen, me të cilin mund t’i hidhni trajektore të panumërta, të cilat mund të mos ju pëlqejnë vetëm nëse ende nuk jeni të vetëdijshëm se në çfarë universi po frymoni!
Nisur nga hyrja e filmit që sjell lidhjet në trurin e narratorit deri tek dalja në botën reale, neve na shërbehet realiteti i një konsumatori jeta e të cilit ndikohet nga gjithçka me të cilën ndeshen të pesë ndjenjat e tij. Dhe nga ky moment fillon ai revolucioni që do të vazhdojë përgjatë dy orëve të cilat do të ju ndryshojnë jetën dhe pikëpamjen mbi të çdo herë që shini këtë film.
Skenari është i gërshetuar për mrekulli, duke ofruar një dozë komedie në krejt këtë hakmarrje, derisa regjia e David Fincher është mjeshtërore. Por, të nisim nga aktrimi i Edward Norton fytyra e të cilit pasqyron përkryer karakterin e tij. Karaktere ndryshe kanë Brad Pitt e Helena Bonham Carter, por mishërimi i këtyre dy aktorëve me ta nuk ngelet aspak mbrapa aktrimit të Norton.
‘Fight Club’ është një film që duhet shikuar patjetër. Shpesh! Nota personale: 5/5