shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: Filma (Page 1 of 23)

Cleopatra (1963)

Është njëfarë trendi në TikTok që burrat së paku një herë në ditë mendojnë për Perandorinë Romake.

Tash, sigurisht ka ditë që mund të harrojmë të mendojmë për Perandorinë Romake, por sado pabesueshëm të duket, mund të garantojë që është e vërtetë, së paku për vete.

Dhe kur jemi te Perandoria Romake, duhet të përmendim njërin ndër filmat më të mirë për këtë periudhë, e ndoshta më i miri – Cleopatra.

Për 251 minuta, pra më shumë se katër orë, nën regjinë dhe skenarin e Joseph L. Mankiewicz, na shërbehet në film njëra ndër periudhat më të famshme të historisë së njerëzimit.

Jeta e Kleopatrës, të portretizuar nga Elizabeth Taylor, vjen nga zanafilla e sundimit të saj deri te momentet e fundit. Ndonëse perandoresha e Egjiptit, jeta e saj fund e krye është e ndërlidhur me Romën dhe perandorët romakë, nga Cezari deri te Oktaviani.

Ndonëse mund të mos jetë ndër aktoret e mia të preferuara të asaj periudhe, Elizabeth Taylor arrin të përçojë një mbretëreshë ashtu siç na e ka mësuar historia nëpër vepra të ndryshme letrat e filmike – një grua që për pushtet është e gatshme të sakrifikojë gjithçka e gjithkënd.

Dhe në anën tjetër, Jul Cezarin, i cili vjen në film nga i papërsëritshmi Rex Harrison, i cili mund të jetë ndoshta aktori që më së miri ka luajtur Cezarin. Ka gjithçka që përshtatet me Cezarin, nga ana fizionomia e trupit deri te elokuenca e mimika.

E pastaj Richard Burton në rolin e Mark Antonisë, që sjellë në jetë atë që Cezari arrinte ta fshihte, dobësinë e një perandori karshi një perandoreshe si Kleopatra. Krejt në fund, Roddy McDowall në rolin e Oktavianit.

Aktrimin fantastik mënjanë, filmi është i thurur për mrekulli duke sjellë detajet e ngjarjeve në përpikëri, ngadalë dhe me elegancë, nga zbarkimi i Cezarit në Aleksandri deri te zbarkimi i Oktavianit. Aktet janë të gjata e të shtjelluar me përsosmëri. Skenografia të dërgon në atë periudhë falë mungesës së CGI të asaj kohe. Betejat duken origjinale, si gjithçka tjetër. Kostumet në detaje. Fotografia magjepsëse.

Cleopatra është ndër filmat më të mirë historik të bërë ndonjëherë. Ia vlen çdo moment prej atyre katër orëve, sigurisht nëse jeni pak të çmendur pas historisë. Nota personale: 5/5

Julius Caesar (1953)

Pasi mposht Pompein në luftën civile, bashkëvendësit zgjedhin Cezarin konsull për të katërtën herë dhe diktator për jetë…

Kështu përshkruhet filmi i realizuar nga Joseph L. Mankiewicz, bazuar pothuajse në tërësi në veprën e William Shakespeare.

Rrjedhimisht, filmi përqendrohet më shumë në monologët, sidomos të Brutit e Mark Antonisë, që i japin një nuancë ndryshe nga filmat tjerë historik për këtë periudhë.

Të dyja këto fjalime monolog vijnë një pas një pas momentit kulmues në senat, së pari Bruti, e pastaj Mark Antoni, provojnë të bindin qytetarët për kauzën e tyre pa atakuar në mënyrë të drejtpërdrejtë njëri-tjetrin.

Dhe këto dy karaktere portretizohen nga James Mason si Bruti, e Marlon Brando si Mark Antoni. Louis Calhern luan rolin e Cezarit, e Douglas Watson rolin e Oktavianit.

Ndonëse fjalimet e Brando e Mason janë ndër pjesët kryesore të filmit, ngjarjet që i paraprijnë vrasjes së Cezarit, dhe ato që pasojnë me ndjekjen e dorasëve nga Mark Antoni e Oktaviani, janë të realizuar në po të njëjtin nivel artistik duke mos çaluar fare për nga cilësia.

Betejat, luftërat janë pothuajse në minimum, me filmin që vazhdon edhe në pjesën e dytë të përqendrohet në monologë e dialogë duke vënë në pah një aktrim më shumë teatral se sa filmik.

Filmi nuk është diçka e veçantë në aspektin artistik – është i bërë për fansat e historisë, të Perandorisë Romake, dhe jo për fansat e filmit, kinemasë. Derisa për të parët mbetet një vepër goxha mirë e përpunuar, për këta të dytët do të jetë humbje kohe. Nota personale: 4/5

How to Lose a Guy in 10 Days (2003)

Janë disa çifte që do të doje të shihje se çfarë mrekullie përrallore do të lindte po të vendosnin që të ‘gërshetonin’ gjenet!

Aty më së larti duhet të jenë Matthew McConaughey edhe përrallorja Kate Hudson!

Benxhamin është një kazanovë i cili për të fituar një kampanjë marketingu vë bast se mund të bëjë një grua të bie në dashuri me të për 10 ditë. Si për ironi, për këtë ‘mision’ ai takohet me Endin, një gazetare e cila përgatit një artikull si të humbësh një djalë për 10 ditë, edh kjo si bast me bashkëpunëtorë.

Për 10 ditë të ardhshme, i kemi dy rrenca të cilët provojnë të bëjnë gjithçka që të plasin njëri-tjetrin për të arritur qëllimet e tyre në karrierë.

Është një histori tipike për komeditë romantike, veçse krejt ajo që është në plan të parë në këta filma, tash është si një agjendë e fshehtë e të dyve – indiferenca, ftohtësia, dhimbja, dhe pastaj ndjenjat.

Edhe si një fans i paturpshëm i komedive romantike, ky film mbetet në mesin e më të mirëve të këtij zhanri, sa për skenarin e shtjellimin e historisë, edhe më shumë për aktrimin e McConaughey e Hudson të cilët shkëlqejnë në rolet e tyre duke bërë njëlloj aktrimi të dyfishtë pasi u duhet në shumë raste të aktrojnë edhe si karaktere brenda filmit. Film i kompletuar!

E gjeni në pothuajse të gjitha platformat streaming, e te SkyShowtime është edhe me përkthim shqip. Nota personale: 5/5

Fast X (2023)

Jason Momoa, he bukurosh!

Si zakonisht, edhe këtë FF e filloj me atë idenë që Dom dhe familja e tij do të shpëtojnë botën, si gjithmonë në çastet e fundit! Edhe gjithmonë ia dalin sepse “Familja, man”!

Po qysh në ‘aksionin’ e parë, Dom dhe familja dështojnë sepse i biri i Hernanit po lyp hak, për ‘familje’!

Edhe mënyra ma e mirë për të qëruar hesapet në një film si ky është një garë veturash. Kjo garë vjen në Brazil, kur në kërkim të shpëtimit të Letit, Domi takon balldëzen e tij. Edhe balldëzja si krejt familja është e ‘trentë mas kerreve’. Në garë me Danten – Jason Momoan – Domi mëson që duhet të zgjedhë mes balldëzes edhe shokut!

Si çdo shqiptar, në mungesë të bagjanakut, Domi zgjedh balldëzen, sepse… “Familja, man!”

Edhe këtu, çdo njeri që ia ka plasë Domi me këtë familjen e tij, e gjen arsyen të vazhdojë filmin, sepse më në fund Dante do të merr hak për të gjithë neve! Megjithatë, e dimë se në fund Domi edhe familja kthehen edhe fitojnë – kjo ndjenjë është me neve, sepse gjithë ndodh kështu!

Mirëpo, do ta doni fundin, ndoshta jo aq sa unë, sepse…

Karakteri i Jason Momoas i jep jetë këtij filmit, edhe krejt dallaveret që i bën fund e krye! E ma e mira, ma e ëmbla, është tallja e tij me “familjaaaaa”!

Mënyra qysh e përqeshë “familjen” e Domit është ndër momentet ma të mira në filma popullor, sepse na e kanë plasë kokën qe dy dekada!

E di që do të ketë edhe dy vazhdime finalja e madhe e Fast & Furious, e edhe një spinoff me gratë, mirëpo ky ka qenë fundi më i mirë i mundshëm. Po, edhe ajo skena e fundit, thoni çka të doni!

Përkundër karakterit të Dantes, i cili i ka edhe disa skena pak të gërditshme kur flet me ‘kukullat’ e tija, duhet të durojmë edhe një seri aksionesh mbinjerëzore të Domit dhe skuadrës. Pa këto, do të ishte ndër filmat ma të mirë të vitit. Hakmarrje e ‘paqtë’. Nota personale: 4/5

Matilda (1996)

Njerëzit që provojnë të ju prishin magjinë fëmijëve duhet të dënohen me burg! Thuajse nuk mjafton realiteti i kobshëm i botës së të rritur, “qenefat” i përqeshin fëmijët pse besojnë në botën e tyre të magjishme.

Normal, se nuk kanë kqyr filma!

Prandaj, edhe ne si fëmijë mund të lidhemi me karakterin e Matildës e cila sikur ne ka ‘hejtera’ që i bëjnë bajat gjithçka të magjishme që ajo beson veç pse janë më të vjetër se ajo!

Nuk di a ka dikush që nuk e ka pa Matildën, por edhe nëse nuk e ka pa si fëmijë, mund ta shohë si prind sepse historia e saj gjithmonë ngjallë atë fëmijërinë, magjinë që na e kanë këputur ata që kanë menduar se e kanë ‘ba betin’ veç pse kanë pasur disa vite më shumë se ne.

E për ata që nuk e kanë pa, Matilda është një fëmijë më i zgjuar se rrethina, e cila pasi që nuk janë më të zgjuar se Matilda, e shfrytëzojnë moshën për të ‘fituar’ ndaj saj.

Danny DeVito, Rhea Perlman, e Mara Wilson në rolin e Matildës janë në rolet kryesore. DeVito bën edhe regjinë e filmit. Derisa DeVito njihet për rolin e tij në It’s Always Sunny in Philadelphia, do të ju sugjeroja ta provoni edhe serinë klasike ‘Taxi’, e Perlman është pjesë e njërës nga komeditë më të mira ndonjëherë – Cheers.

Është film mesatar për nga kohëzgjatje, i përkryer për fëmijë dhe prindër, por vetëm nëse besojnë në magji. Nuk është për ‘babanacit’. Nota personale: 4/5

Champions (2023)

Woody Harrelson është njëri prej qelave ma të mirë në kinema. Qysh prej Cheers e te True Detective, qasja e tij ‘flaka i daltë’ nëpër filma e seri e bën njërin nga aktorët më sharmant në film.

Lum qelat që e kemi!

Në filmin ‘Champions’ ai luan një rol që i përshtatet atij – një ndihmëstrajner profesionist i basketbollit i cili pas një zënke me kryetrajnerin dënohet me burg ose të stërvitë një skuadër me lojtarë me aftësi të kufizuara intelektuale.

I prirë për sukses, ky nuk do të jetë një mision i lehtë për Markusin, i cili mbi të gjitha do të duhet të zhvendoset në një qytezë të ftohtë të Idahos – edhe një plus për mua si shikues.

Por, asgjë nuk është aktrimi i Harrelson sa janë karakteret dytësore, të gjithë aktorë me aftësi të kufizuara intelektuale. Lidhja e tyre, si ndërmjet vete, si me trajnerin e të tjerët, është ajo që e bën këtë film të mrekullueshëm.

E di që në vendin tonë janë tabu këto raste, sidomos në rajonet që pandehin se po ruajnë një farë tradite të kotë. Mirëpo, ky film do u tregonte atyre dhe shumë paragjykuesve që këta njerëz janë si të gjithë. Në këtë film, goxha me humor më të mirë.

Secili karakter e ka një teke të veten, që e bën më të veçantë, derisa nuk të pritet të dalin në skenë përsëri.

Është një film që të ngrohë zemrën, i këndshëm, i realizuar për merak, me ansambël të përkryer aktorësh. Skenar i mirë, fotografi e bukur, vepër fenomenale në fund.

Dhe dua të ceki që këtë javë janë duke u organizuar lojërat speciale olimpike që i dedikohen kësaj kategorie të qytetarëve, në të cilët po marrin pjesë edhe përfaqësuesit nga Kosova. Nuk di a ka transmetim nga televizioni ynë publik, mirëpo filmi është një alternative goxha e mirë. Nota personale: 5/5

Chocolat (2000)

Pse nuk bën m’i pre thonjtë natën?!

Se ‘qashtu thojnë’!

Shumë gjëra, shumë jetë mbesin rob të besëtytnive, traditës, dhe ideologjive të ndryshme që na imponohen nga lindja. Dhe ashtu, pa ndonjë arsye, apo logjikë, vazhdojnë të barten nëpër gjenerata të cilat nuk guxojnë t’i presin thonjtë natën!

Në një fshat provincial francez, në vitin 1959, ku të gjithë jetojnë brenda rregullave të imponuara nga “kmeti” i cili përcakton moralin e qytetit, një ditë fryma sjellë një grua dhe të bijën e saj. Nënë e bijë nomade, ato marrin me qira një lokal që kishte qenë pastiçeri.

Ky lokal do të kthejë mbrapsht krejt katundin!

Viana (Juliette Binoche) fillon të përgatitë çokollatë dhe ëmbëlsira në periudhën e agjërimit që prishë traditën dhe moralin e komunitetit, sipas kmetit (Alfred Molina). Për më tepër, ajo nuk shkon në kishë, dhe kurrë nuk është martuar që e bën të bijën e saj, Anukën, një fëmijë të jashtëligjshëm.

Fakt interesant (por më shumë i frikshëm) në komunitetin tonë është që dasma me zhurmë tejkalon kurorëzimin ligjor. Nuk ka lidhje edhe nëse bëhesh kurorë, nëse nuk i mbushë gushat e 200 vetave ti nuk je martuar. Nejse, mos të devijoj…

Ky ‘rebelizëm’ i Vianës shpërfaqë dëshirat dhe anët sekrete në disa banorë të komunitetit duke trazuar kryetarin Rejnod, dhe të bindurit e tij.

Në thelb, çokollatën mund ta shohim edhe si mollën e parajsës, apo çfarëdo kuptimi filozofik që mund t’i jepni. Është diçka që ‘prishë’ komunitetin, dhe rregullat me të cilat jetojnë, rregulla që për ironi diktohen nga një njeri i vetëm – Komt de Rejno.

Në regji të Lasse Hallstrom, filmi sjellë një kinematografi që e nxjerrë më të bukurën nga zymtësia e një vendi të heshtur e të braktisur dhe kontrastin që shfaqet me ngjyrosjen me çokollatë.

Juliette Binoche e Alfred Molina janë në dy rolet kryesore, kundërshtare, me Judi Dench, Carrie-Ann Moss, e Johnny Depp në rolet tjera dytësore, por që kanë ndikimin në zhvillimin e ngjarjes kryesore.

Është një film më pak filozofik se që mund të duket nga këta rreshta, por ka shumëçka që u pëlqen atyre që refuzojnë nënshtrimin ndaj injorancës. Nota personale: 4/5

Tetris (2023)

Nuk di a është vetëm gjenerata e jonë që të gjitha kujtimet e fëmijërisë i kanë ose nën frikën e terrorizmit serb, ose me zhurmët e agregateve e vrasjeve të pasluftës, por të lindurit në pjesën e dytë të ‘80tave, nuk jemi ‘bash mirë’!

Për neve, që provonim të mbijetonim disi, Tetrisi ka qenë luks. Ata që kanë pasur akraballëk në Perëndim kanë pasur edhe ndonjë GameBoy atykëtu me aventurat e Duffy Duck!

Në një tjetër ambient që nuhaste shpërbërje, por fatmirësisht për ta pa luftë, një shpikës zbulon një mënyrë argëtuese me kompjuterë – lojën e tetrisit. Si gjithçka në komunizëm, edhe shpikjet i takojnë popullit, ose në fakt atyre që veprojnë në emër të popullit.

Shpikja e tij, në ‘agimin’ e lojërave elektronike, i ishte shitur disa njerëzve edhe më të këqij në Angli – mundeni të shihni një dokumentar e të lexoni sa të doni për Robert Maxwellin, që njëherësh na tregon edhe anën negative të kapitalizmit!

Pa u përfshirë në debatin e pafundmë, më shumë se një luftë lindje-perëndim, ‘Tetris’ është një film aventurë e Henk Rogers, i cili lufton të gjithë dhe gjithçka, për të siguruar të drejtat e lojës Tetris, që mendon se do të jenë suksesi që ka ndjekur tërë jetën.

E them aventurë sepse kemi Henkun që udhëton vazhdimisht, gjithmonë në luftë me kohën, për të arritur qëllimin e tij, derisa provon të bind miqtë e të mposht armiqtë në misionin e tij.

Taron Egerton është fantastik në rolin e tij, ngjashëm si Oleg Stefan e Nikita Efremov në karaktere më të afërta me shikuesin. Toby Jones ka një rol më dytësor, të cilat role më shumë i janë dhënë emrave të panjohur për publikun e gjerë.

Është një skenar që për shkaqe dramatike dhe për t’i dhënë adrenalinë filmit shton gjëra në historinë që thuhet se është e bazuar në ngjare reale, me pjesën teknike që arrin të sjellë atë kontrastin e ngjyrave mes një bote komuniste dhe kapitaliste, realizuar nga regjisori i ‘Filth’.

Tetris është njëri ndër filmat më të mirë të këtij viti deri tash. Ka gjithçka që proklamon, dhe është ndër të paktit filma që më ka mbajtur të lidhur me ngjarjen fund e krye, pa më dhënë kohë të shpërqendrohem në gjëra tjera. Nota personale: 5/5

Good Night, and Good Luck (2005) – Recensim

Edhe në luftë janë disa rregulla, e lëre më në liri. E liria pa lirinë e të shprehurit është tirani!

Keqpërdorimi më i madh i lirisë vjen menjëherë pas përfundimit të luftës për të. Mund të grabitësh, pushtosh, dhunosh, e vrasësh në emër të lirisë, pa tu kërkuar kurrë llogaria për veprat që ke bërë.

Ngjashëm vepronte edhe senatori famëkeq McCarthy pas Luftës së Dytë Botërore kur kishte filluar përndjekjen e të dyshuarve për komunizëm dhe komplot kundër demokracisë dhe lirisë amerikane.

Kjo periudhë është portretizuar disa herë në filma e seri – Trumbo, Being the Ricardos, së fundmi, e në mënyrë të veçantë në Good Night, and Good Luck.

Pas largimit nga puna të një ushtaraku, ekipi i gazetarëve të CBS fillojnë hulumtimin për mënyrat e hetimit dhe gjykimeve që bën komisioni i senatorit Joseph McCarthy. Kur arrijnë në disa fakte që nuk përkojnë me demokracinë dhe lirinë e të shprehurit, atëherë ju mbetet tu kundërvihen atyre që kundërshtarët e tyre i konsiderojnë si armiq të vendit, dhe më keq për ta – komunistë.

Është gazetari Edward R. Murrow që merr përgjegjësinë të zbulojë të vërtetën makabre para opinionit të gjerë amerikan, përkundër pasojave hakmarrëse që mund të merrte pushteti duke e vendosur në rrethin e atyre që i konsiderojnë tradhtarë.

David Strathairn bën një punë të mahnitshme në portretizimin e një gazetari gjakftohtë, derisa në rolet tjera vijnë disa nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane nga Frank Langella, Jack Daniels, Robert Downey Jr., Patricia Clarkson, dhe George Clooney që bën edhe regjinë e filmit, dhe skenarin me ndihmën e Grant Heslov.

Është një histori e realizuar për merak në film, që tregon rëndësinë e fjalës së lirë në kohën kur rrezikohet më së shumti, dhe fisnikërinë e të qenit gazetar dhe pionier i të vërtetës. Nota personale: 5/5

Gladiator (2000)

“Nothing happens to anione that he is not fitted by nature to bear”

Pleqtë thonë “njeri osht ma i fortë se guri”.

Dhe fatlum janë ata të cilët nuk përshkruhen nga kjo fjali e trashëguar me vite, e që sigurisht nuk e kemi dëgjuar për së pari te ‘Gladiator’.

Filmi i Ridley Scott tregon historinë e një gjenerali romak i cili niset për t’u hakmarrë nga perandorit të korruptuar i cili i kishte vrarë familjen dhe e kishte kthyer në skllav.

Janë dy orë e gjysmë historie të Maksimusit që tregojnë jetën me gjithë pamëshirën e saj ndaj një njeriu të drejtë, një atdhetari të devotshëm, dhe një ushtari besnik, për të cila gjëra merr ato që meriton më së paku.

Aktrimi i Russell Crowe është fenomenal, derisa Joaquin Phoenix ia përplasë vetes një rol falë të cilit nuk kam mundur ta harroj e ta shoh si gjithë ato karakteret tjera më pozitive që ka aktruar përgjatë 20 vite karrierë pas ‘Gladiator’-it.

Është një aktrim mjeshtëror në dy polet e kundërta të një njeriu, në një luftë që zhvillohet në distancë për pjesën më të madhe të kohës.

Nuk i kam merak filmat që shkojmë mbi 2h10, por te Gladiatori, qysh nga fillimi është një ngjyrë e fotografisë që të tërheqë brenda në ngjarje dhe nuk të lëshon deri në fund. Është një punë mjeshtërore e një regjisori të zgjuar që arrin të mbajë shikuesin e lidhur me ngjarjen edhe kur nuk ka gjë tjetër pos një natyre të vdekur!

E pastaj Hans Zimmer dhe kolona zanore!

Mjaltë!

Por, filmi mbahet ‘gjallë’ edhe gati çerek shekulli më vonë falë disa nga citateve më të famshme në botën e kinemasë të interpretuara mahnitshëm nga Russell Crowe. Janë fjalë e momente të paharrueshme!

Fotografia, dialogët, muzika, citatet, vetë filmi si vepër artistike, janë të paharrueshme. Është njëri ndër filmat më të mirë të realizuar ndonjëherë. Nota personale: 5/5

« Older posts

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑