Nëse përjashtojmë dokumentarin e Kapadias për Sennan, ‘Rush’ është filmi më i mirë me nën-zhanrin e filmave me gara automobilistike. Kjo renditje nuk ndryshon as pas ‘Ford v Ferrari’.

Janë disa gjëra në të cilat ‘Ford v Ferrari’ mbetet mbrapa një super-filmi siç është për shembull ‘Rush.’ E para dhe kryesorja është kohështrirja e rrëfimit. Filmi tregon lidhjen ndërmjet Shellbit (Matt Damon), një disenjator veturash i cili porositet të bëjë veturën sportive të Ford për të konkurruar në garën legjendare të Le Mans; dhe Kenit (Christian Bale) një shofer sportiv, i njohur për karrierën e tij profesioniste, por mbi të gjitha gjaknxehtësinë dhe kokëfortësinë.

Gjatë rrëfimit kemi kapërcime nëpër tema e kohëra të ndryshme pa ofruar një tranzicion të dukshëm, ose njoftim tekstual se ku po shkojmë në kohë. Sigurisht që është një detaj i vockël, por kjo nuk lehtësohet as me kërcimet nëpër dy frontet – dy jetët e ndara të Shellbit dhe Kenit.

Njëjtë sikur kapërcimi e kohështrirja e çrregullt, zhgënjen edhe balancimi i skenave. Kemi skena më pak të rëndësishme që marrin më shumë kohë se sa disa skena më kryesore që mbeten në mbulim minimal. Gjithashtu mund të kemi pasur më shumë skena që do të lidhnin më mirë ngjarjen, sidomos në vigjilje të garës. Dhe krejt kjo me filmin që zgjat 152 minuta!

Detajet vizuale janë të mahnitshme! Ka një fotografi të mrekullueshme, dhe nuk befasohem pasi vjen nga Phedon Papamichael që na ka sjellë ndër të tjera edhe titujt si ‘Nebraska’, ‘The Ides of March’, e ‘Walk the Line’ – që të gjithë filma me fotografi parajse. Tek ky i fundit pati bashkëpunuar me James Mangold, i cili sa i përket pjesës së tij e kryen mirë punën, por lihet poshtë nga skenari.

Një punë të mirë bën edhe drejtori i kastingut, i cili ka zgjedhur sidomos Tracy Letts në rolin e Henri Fordit II. Matt Damon e Jon Bernthal bëjnë punë të mirë, ngjashëm si Josh Lucas, ani pse ky i fundit me karakter të keq. Ajo çfarë nuk më pëlqeu tek aktrimi ishte ‘anglizimi’ i tepërt i Majllsave. Disi duket se shkuan në ekstrem duke provuar ta shfaqin karakterin e Bale si anglez.

Pos fotografisë së shkëlqyeshme, filmi mbetet një zhgënjim ndaj një historie që ka mundur të jetë shumë më mirë e portretizuar. Nota personale: 3/5