Nëse nuk gaboj, sot është nënshkruar marrëveshja për bashkëqeverisje, rrjedhimisht e paqes, në Afganistan!
Ishte frikësuese sa afër me realitetin ishte sezoni i fundit, ende me Afganistanin, me mundësi të kalimit të konfliktit në Pakistan, një president i ri i cili nuk dinte të qeveriste, dhe armiqësia e amshueshme me Rusinë. Mungonte vetëm pandemia e COVID19.
Sigurisht që dallimet me botën reale ishin mjaft të mëdha, por skicat nuk kanë munguar që nga sezoni i parë. E kur kthehemi e shohim sezonin e parë, dhe vazhdojmë deri në fund të serisë, nuk duhet të befasohemi me ato që ndodhën.
Në fakt prisja që Saul të vritej, por fundi qe më i butë. Shumë më i butë. Dhe kur Saul mori dhuratën misterioze, tashmë besoj që e dinim se Carrie në fakt kishte zëvendësuar spiunen e tij të kahmotshme.
Njëra ndër pjesët më interesante të këtij sezoni ishte kthimi mbrapa në kohë, në ditët e rinisë së Saul. Krejt procesi i shkëmbimit të informatave ishte një proces tepër i ndërlikuar dhe në të njëjtën kohë inteligjent. Mendoj që skenaristët kanë bërë një punë të shkëlqyeshme edhe në këtë pjesë.
E deri arritëm në fund na u desh të mbijetonim me paqartësinë e besnikërisë së Carriet, marrë parasysh një pjesë të mjegullte të së kaluarës së saj. Kah episodet e fundit, vendosmëria e saj të sakrifikojë edhe vet Saul e lëre më burimin e tij për të parandaluar një luftë eventuale, na bënte edhe neve të dyshimtë se çfarë do të duhej të zgjidhnim – karakterin tonë të dashur a një luftë eventuale.
S’dyshoj që keni shkuar edhe ju me Saul 😉
Tasneem dhe Yegeny kanë qenë shtesa të shkëlqyeshme këtë sezon, si dy karaktere që i kanë dhënë zjarr dhe kuptim këtij sezoni final. Të dyja karakteret kanë ndihmuar që të kemi një finale siç e meritonim.
Një gjë e këndshme ishte emërimi i finales me titullin ‘Prisoners of War’, mbi të cilën seri edhe ishte ideuar ‘Homeland’.
Humbja e Max e Haissamit, bashkë me dy presidentët nuk ishte asgjë e papritur, marrë parasysh rëndësinë e karaktereve që kemi humbur në sezonet paraprake. Megjithatë, rruga deri tek vdekja e Max, si njëri ndër karakteret më të pafajshme në film, duke e kthyer si një simbol fatbardhësie për ushtarët amerikan, dhe dedikimi i tij për të marrë ‘kutinë e kuqe’, na bëri më të ndjeshme humbjen e tij.
Ndoshta episodi final ndodhi shumë shpejt. Disi për nguti. Nuk jam i sigurt, por ndjejë njëfarë mungesë. Ndoshta vetëm e kam shikuar në kohë të papërshtatshme. Ose ndoshta vetëm pres një spinoff serial.
E spinoffi me rininë e Saul Berensonit, pa përjashtuar edhe gërshetime me jetën e tij të viteve të fundit, jo medoemos pas ngjarjeve të finales, por para fillimit të Homeland, do të kishte qenë diçka që do të donim të gjithë, besoj. Një sezon final i denjë për një seri të mrekullueshme. Nota personale: 5/5