Jojo Rabbit (2019) – Recensim
Të rrallë janë filmat që ju hipin mbi një tren emocionesh si ‘Jojo Rabbit’. Nis si një komedi, vazhdon në një dramë, histori, film familjar, luftë, triler, aventurë, për të përfunduar me një skenë të përkryer me njërin nga karakteret më të ëmbla në filmat e viteve të fundit – Johaness ‘Jojo’ Betzler!
Jojo, si shumica e fëmijëve, ka një mik imagjinar – Adolf Hitlerin! Me të ai konsultohet përgjatë gjithë kohës, nisur nga përgatitja për kampin e të rinjve nazist. Aty, takohet me udhëheqësin e kampit – Sam Rockwell, dhe asistenten – Rebel Wilson, ndër të tjerët. Krejt kjo i jep një hyrje komike filmit, që vazhdon deri në momentin kur Jojo pasi nuk arrit të mbyt një lepur, nga ku edhe merr nofkën, vendos të hedh granatën e cila e lë me pasoja minore në dukje.
Pas kësaj vjen hyrja me versionin gjerman të ‘I Wanna Hold Your Hand’ dhe tashmë jeni në njërën nga aventurat më të këndshme kinematografike që do të shihni.
Taika Waititi sjell një skenar të adaptuar për film në mënyrë të shkëlqyeshme. I përpunuar si një trajektore me oscilacione të vazhdueshme, filmi nuk do të ju lë të humbni asnjë çast, duke ju shtyrë të prekni dy skajet ekstreme të emocioneve. Puna e Waitit nuk mbaron vetëm me skenar. Pos regjisë, ai sjell edhe rolin e Adolf Hitlerit, i cili si një shok imagjinar është goxha komik. Dialogët e tij me Jojon janë gjithmonë komik.
E dialogët më të këndshëm Jojo ka me shokun e tij të ngushtë, Yorkin, dialogë të cilët ju dërgojnë në një botë fëmijësh, duke zhveshur Luftën e Dytë Botërore në një luftë imagjinare fëmijësh të cilët hedhin granata, bartin minahedhës, e mbledhin teneqe për Hitlerin! Harmonia e tyre në ekran, marrë parasysh që është vetëm filmi i tyre i parë, është super e mrekullueshme!
Scarlett Johansson vjen në rolin e nënës së Jojos, e cila në tavan fsheh një armike të përbetuar të Jojos – një vajzë çifute. Në thelb, kjo pjesë mund të interpretohet edhe si i qasen fëmijët luftës dhe gjërave madhore. Vajza çifute portretizohet nga Thomasin Mackenzie, e një rol minor në film ka edhe Stephen Merchant, si zakonisht në nivel.
‘Jojo Rabbit’ është prodhimi më i mirë kinematografik i vitit 2019 për mua. Kjo, pasi është film komplet, vepër artistike që të kënaq shpirtin nga fillimi deri në fund. Një vepër e mrekullueshme e Taika Waititi. Nota personale: 5/5