shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: Kolumna sportive

Kallaballëku!

ac_milan_squad Është vështirë të kuptosh rrugën në të cilën lëviz Milani. Kjo ndodh shpesh. Derisa në verë shiti gjithçka të vlefshme, këtë e vazhdoi edhe në fillim të dimrit, për të blerë diçka më të hajrit në fund.

Personalisht kam përkrahur politikën e transferime të verës për largimin e Silvas dhe Ibrës dhe pensionimin e pjesës më të madhe të skuadrës. Gjithashtu kam ulur aq poshtë standardin e pritjeve që edhe nëse s’do të jemi fare në Evropë vitin e ardhshëm s’do të ishte problem.

Është një pasojë e politikave të ngurrëta në tregun e transferimeve që nga viti 2001 ndoshta, por akoma qëndroj tek fakti që pas 2006 e mbrapa politika e shitblerjeve ka qenë krejt ndryshe. Ndoshta shitja e Shevës u ka mbetur ‘ëmbël’ dhe që nga atëherë më shumë kemi qenë të prirë për të shitur se për të blerë.

Por, kur kemi blerë kemi marrë shumë lojtarë me transaksione jashtëzakonisht të volitshme, por edhe kemi marrë shumë lojtarë të cilët nuk kanë qenë aspak të nevojshëm, përfshirë edhe talentet.

Të kalojmë tek talentet. Sa veta kemi marrë nga akademia viteve të fundit. Abate dhe Antonini janë kthyer pas një xhiroje disa vjeçare nëpër skuadra inferiore. Abate ka pasur performanca të mira, derisa për të dytin nuk më kujtohet ndonjë ndeshje e mirë. Të dy kanë pasur ‘shkëlqimet’ e tyre, i pari ndaj Interit, e i dyti ndaj Manchesterit!

Së fundmi kemi De Sciglion, derisa të tjerët janë duke humbur kohë nëpër skuadra amatore, nga ku presim të zhvillojnë talent që do të shfrytëzonim në Champions League. Akademia e Milanit nuk është ajo që ka qenë dikur, dhe që do të duhej të ishte për emrin e madh që mban. Derisa të jetë kështu ne do të vazhdojmë të blejmë lirë dhe të shesim më shtrenjtë, si e vetmja mënyrë e përfitimit, që do të ishte baras me zero kur shohim dështimet e vazhdueshme që bëjmë.

Më në fund larguam Mesbahun. Ishte bërë pikë e zezë dhe ankesë e Gallianit që pengonte shumë tratativa, kinse shkaku i tij. Një kujtim – Galliani nuk ka ardhur në Milan këtë vit, aty ka qenë mbi 20 vite dhe vet ka përgjegjësi për gjithçka që ka ndodhur në Milan së fundmi. Nuk ka gjetur Mesbahun aty, atë e ka blerë vet. Morëm Zaccardon me një kontratë të ‘volitshme’ për tri vite e gjysmë. Larguam Acerbin (Nesta junior!), e huazuam Emanuelsonin, Valottin e Strasserin. Shitëm Paton. Blemë Salomonin, gjysmën e Constant, dhe komplet Ballotellin.

Duke parë ‘rehatimin’ e formacionit të Allegrit me ndryshime minimale, qoftë edhe në zëvendësime kohëve të fundit, atëherë supozoj do të jetë vështirë të gjej vend Salomoni dhe Zaccardo, edhe pse kur kemi parasysh mbrojtjen tonë kurrë nuk i dihet. E sa për Ballon, dyshoj që do të jetë në pankinë javën e ardhshme.

Kemi 32 lojtarë të huazuar, dhe 12 në bashkëpronësi. 27 lojtarë janë në dispozicion të Allegrit për pjesën e dytë të sezonit. Totali – 71 lojtarë pa përfshirë primaveran.

Është kallaballëk, shumë kallaballëk. Më e keqja është që në këtë kallaballëk, mëzi mund të gjejmë 11 lojtarë që do të jenë simbol të Milanit. Sulmi është i përkryer për së paku një dekadë. Mesfusha dhe mbrojtja s’janë kërkah. As portjerët nuk janë për mësysh, së paku jo Amelia e Abbiati.

Luan Morina
Kolumnist për ACMilan-Shqip

Para SuperBowl XLVII

hi-res-134058264_crop_650x440 Kurrë s’do të prisja një finale ndërmjet 49ers dhe Ravens. Derisa djelmoshat nga San Francisco gjithnjë kanë qenë ndër favoritët kryesor për titull, ata të Baltimore deri vonë në pjesën e rregullt kanë pasur lemza të shpeshta duke rrezikuar edhe kualifikimin për përfundimtare.

Megjithatë amerikanët janë të njohur për storie filmike me përfundim të përkryer. Ka shumë shembuj ku fundi vjen sikur në filma, diçka shumë emocionale për një pjesë të konsiderueshme. Ngjashëm do të ishte edhe përfundimi i karrierës së Ray Lewis me titull.

Duhet të pranoj, Lewis ka qenë mbrojtësi më i mirë që nga rikthimi prej lëndimit. Ka pasur më së shumti intervenime në përfundimtare, e krejt mbrojtja e Baltimore ka qenë e mahnitshme duke mos lënë të marrin frymë dy nga kuarterbekët më të mirë në ligë, Peyton Manning dhe Tom Brady. Manningun detyruan në dy gabime që rezultuan të ishin fatale, derisa Bradyn e shpien në një nivel që detyrohej të bënte gjeste josportive në fushë, e pazakontë për të, edhe pse jo për trajnerin e New England.

Por, jo vetëm mbrojtja e Ravens ka qenë në qiell. Joe Flacco ka shastisur të gjithë. Duke qenë gjithnjë në atë stadin e dytë të kuarterbekëve, ai papritmas është bërë një makinë fitoresh si mysafir. Është më i miri nga kuarterbekët aktiv me fitore si mysafir, derisa performanca e tij kundër Denver ishte e mahnitshme. Shumë pak pasime, por të gjitha mbi 50 jard dhe atë me një parabollë që trulloste njërën nga mbrojtjet më të mira në ligë (Broncos ishin të tretit), edhe pse nuk ishin në nivel atë natë. Hiç më mirë nuk shpëtuan as New England. Varësisht nga ‘qejfi’ nëse mungon Torrey Smith, aty është Anquan Boldin. E nëse asnjëri nuk janë të lirë në 20shen e fundit, gjithnjë alternativa është Dennis Pitta. Pos, pranimit alternativa ka edhe në depërtim për Ravens. Ray Rice e Bernard Pierce kanë mbuluar njëri tjetrin për mrekulli, edhe pse i pari ka pasur disa fumble në përfundimtare. Ravens është në majën e formës dhe nëse jo tani, vështirë që do të ketë ndonjë SuperBowl viteve të ardhshme. Ray Lewis pensionohet, ndërsa Ed Reed nuk është i sigurt për sezonin e ardhshëm. Por, mbrojtja ka talente të bollshme duke nisur nga Ngata, derisa sulmi do të jetë në nivel përderisa kënaqin Flaccon me një kontratë të madhe.

Ngjashëm edhe për San Franciscon do të jetë një finale në majë të formës. Kanë gjetur formën me Colin Kaepernickun të cilin nëse nuk e lejon të pasojë vrapon, dhe të kundërtën. Packers luajtën një mbrojtje me nxitim kundër kuarterbekut që ka zhvilluar më pak ndeshje në ligë se sa ka fitore Flacco në udhëtim në përfundimtare. Ajo strategji rezultoi në një ‘turpërim’ të mbrojtjes së ish-kampionëve dhe rekordin në depërtim për një kuarterbek në përfundimtare nga Kaepernick. Depërtimi është në nivel me Frank Gore, derisa mund të ndihmohet edhe nga Kaepernick. Në pranim kemi një rilindje të Vernon Davis, diçka që gjithnjë ndodh në përfundimtare. Ky fundor mund të fle tërë sezonin, por e ke aty kur nevojitet më së shumti. Crabtree ka pasur një sezon të mirë, derisa kurrë s’do i thoshe jo përvojës së Randy Moss, i cili ka shërbyer si alternativë kur pasimi ka qenë inekzistent tek 49ers. Për mbrojtjen nuk di nga t’ia nisi dhe ku ta mbaroj. Kanë lejuar 94 jard në depërtim, dhe 200 në pasim, mesatarisht gjatë pjesës së kaluar të sezonit. Jo më larg janë edhe Baltimore me 123 jard në depërtim dhe 228 në pasim.

Pra përgatituni për një finale të dominuar nga mbrojtjet, por mos e përjashtoni ndonjë shkelje eventuale nga ndonjëra skuadër, sidomos nëse njëra ia nis me ndonjë touchdown të kthyer nga mbrojtja. Ndeshja e fundit e këtyre skuadrave me 24 nëntor 2011 kishte përfunduar me fitoren e Baltimore që ka fituar edhe dy ndeshje tjera pas vitit 2001. Të fundit Baltimore fitoi si vendas 16-6. Me 7 tetor 2007, Ravens fituan si mysafirë 9-7 (mbrojta!), derisa me 30 nëntor 2003. Ravens kishin shpartalluar 49ers 44-6. Nga kjo ndeshja e fundit vështirë të gjesh dikë pos Lewis në fushë sonte. Në fakt Jim Harbaugh ishte akoma në fushë atëbotë.

E kur jemi tek Harbaught, pritni ti keni në kamerë vazhdimisht. Familje strategësh të mëdhenj, padyshim. Sa herë ndodh që dy vëllezër (13 muaj ndërmjet) të përballen për garën më të madhe në SHBA (mbi 100 milionë shikues vazhdimisht – rekord i pakontestueshëm). Do të jetë SuperBowl i mbrojtjeve dhe Harbaughëve! Por, mos harroni keni edhe shoun e Beyonce në pushim, derisa gjithçka nis në mesnatë në ESPN America.

Luan Morina
Kolumnist i rregullt sporti për Shqipmedia dhe autor i Kronikë Amerikane

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑