shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: kosova

Qipro si Anglia

Çdo fitore është e mirëseardhur. Disa vite më vonë, ose disa ditë më vonë askush s’do të mendojë lojën e luajtur kur të shoh renditjen dhe pikët e fituara nga Kosova.

Por, qasja që pati Giresse kundër Qipros ishte e gabuar!

Pjesa e parë filloi me pesë lojtarë që pozicion primar e kanë rolin e qendërmbrojtësit. E tërë linja e mbrojtjes dhe Fazliji janë lojtarë defansiv. Dhe një shtrirje e tillë në fushë do të ishte e kuptueshme, dhe e dobishme kundër një Anglie apo Polonie. Por, ndaj Qipros që pati fat të jetë në Ligën C?

Në pjesën e parë Qipro pati 5 raste shënimi më shumë se ne!

Na dominuan derisa nuk mund të merrnim frymë e lëre më të krijonim raste konkrete shënimi.

PJESA E DYTË

Mund të them që Qipro replikoi atë që bëmë ne në pjesën e parë. Deshën të lënë topin në këmbët tona dhe të presin ndonjë kundërsulm, me idenë që do të lodhemi dhe do të gjejnë një mundësi shënimi ndërkohë. Ose, më saktë, u lodhën.

Qipro nuk janë ekip që mund të përballojë as kombëtaret e rendit të tretë evropian të cilit i përkasim ne.

Nuk ndryshuam shumë nga pjesa e parë sa i përket strategjisë.

Plani A ishte evident qysh në minutën e 25të kur Berisha nuk arriti të realizonte. Këtë e bëri 40 minuta më vonë, nga një aksion i ngjashëm por me rezultat elegant në fund.

Plani B ishte të depërtohej nga krahët dhe në rast të hapësirës të provohej goli dhe kjo ndodhi në minutën e 78të.

ZHEGROVA

Tash 23 vjeçar, i vetmi përparim që ka qenë në karrierën e Zhegrovës ka qenë ndryshimi i ligave. Akoma është i njëjti sa i përket disiplinës si lojtar në ekip.

Zhegrova do të pasojë vetëm kur të mos ketë më ku të shkojë vet, ose kur pret që topi do i kthehet menjëherë që ta vendosë në pozitë për të shënuar. Në fushë, Zhegrova mendon që është i vetëm kundër ekipit kundërshtar!

Në letër mund të dalin edhe 10 driblime, por janë të kota kur topi në fund të driblimit duhet të kthehet tek mesfushori defansiv për të rinisur një aksion të ri.

Njëjtë si fitorja edhe performanca e Zhegrovës erdhi falë kundërshtarit dukshëm më të dobët që patëm, por të cilin e trajtuam sikur të ishte nja dhjetëfish më i mirë se ne.

AGRESIVITETI

Vuajtjet në pjesën e parë ishin të dukshme me rastet e shënimit të kundërshtarëve, pozitat e lakmueshme të gjuajtjeve të lira që u lejuam, kornerët, dhe kartonët që morëm.

Mbrojtja ishte në nivel në pjesën e dytë duke mos lejuar për 30 minuta depërtim në treshen tonë të fushës, dhe kjo është gjëja më pozitive nga kjo ndeshje. Veç atëherë me gjasë ekipi arriti të gjejë veten, pak ndihmuar nga mungesa e sulmeve kundërshtare.

Megjithatë, dy kartonët e Loshajt dhe Dresheviç në pjesën e fundit të ndeshjes janë mungesë disipline por jo aq sa lodhje ekipore. Rrjedhimisht mund të na mungojnë atëherë kur na duhen më së shumti.

VALONI

Në këtë ide të Giresse, Valon Berisha do të jetë lojtari kyç. Me këtë shtrirje në fushë, Valoni mbetet lojtari më i rëndësishëm pasi duhet të jetë lidhja e vetme e mesfushës me sulmin. E njëjta vlen edhe për Loshajn dhe Dresheviç.

Kjo është arsyeja pse bien më shumë në sy, sidomos kur bëjnë punën si duhet – ashtu siç bënë sot ndaj Qipros.

Por, një mesfushë tjetër do të shkaktonte probleme dhe nuk do të lejonte atë hapësirë as mesfushës tonë, e aq më pak sulmit.

MURIQI

Në shumë raste Muriqi ishte i vetëm me katër lojtarë të Qipros. Ndonëse i dyfishuar në shumicën e rasteve – nga qendërmbrojtësit dhe mesfushorët defansiv, sepse këta nuk kishin aq rrezik nga mesfusha jonë, por i lejuan hapësirë të mjaftueshme Valonit te goli – megjithatë arriti asistojë dhe gjente topin.

Gabimet e Qipros ishin dyfishimet e Muriqit derisa lejonin hapësirë për krahët tanë. Dhe kjo vinte më shumë nga hezitimi i Alitit dhe Kastratit për të depërtuar në krahë. Nuk është faji i tyre që nuk depërtonin, thjeshtë asnjëri nuk janë krahë sulmues mbrojtjeje dhe të prisje nga ta të sulmonin do të ishte sikur të prisnim nga Muriç të shënonte.

MURIÇ

Një përparim për mësysh është ky i Arijanet Muriç. Në topa me këmbë ishte i shkëlqyeshëm, njashtu si daljet – të dyja anë problematike gjatë zhvillimit të tij profesional. Dukej edhe më me vetëbesim dhe mendoj që kjo vjen si rezultat i një sezoni të shkëlqyeshëm në Turqi!

BELFAST (FILM FANTASTIK GJITHASHTU)

Është goxha rezultat pozitiv për neve fitorja e Greqisë në Belfast. Si dy ekipet që fituan si mysafirë kundër rivalëve më inferior, Kosova dhe Greqia vendosin veten në luftë për vendin e parë.

Fatkeqësisht, duhet të ndeshemi me Greqinë menjëherë dhe të dëshmojmë vendosmërinë tonë për të luftuar për Ligën B. Dhe Greqia janë tjetër ekip, shumë më i përgatitur se Qipro, të cilët na njohin mirë, dhe me pak mençuri mund të prishin planet e Giresse!

GIRESSE

Fitorja është e mirëseardhur. Por, nëse më duhet të durojë një inferioritet edhe kundër ekipeve shumëfish më të dobëta sa për të nxjerrë rezultat, një lojë defensive, të kotë, pa shumë raste shënimi, atëherë do të bëhesha tifoz i Italisë!

E kuptoj që Giresse duhet të dëshmojë veten dhe të fitojë në fillim që të fitojë përkrahjen e shikuesve. Njëkohësisht duhet të sigurojë një imazh më pozitiv për patronët e tij. Por, për ata pak veta që do të duhet të paguajnë që të shohin ndeshjet e Kosovës tash e tutje, do të ishte më e udhës të bëhej një lojë më e bukur në ato pak raste që kemi mundësi të ndeshemi me ekipe më të dobëta se ne.

Unë, rob i Feudalëve të Futbollit Kosovar

Edvin Kurtulush nuk pranoi të “kurorëzohet” me Kosovën duke lënë të hapur mundësinë të që paraqitet për Suedinë!

Dhe kjo është gjëja më normale që duhet të bëjë një futbollist i cili ka një opsion të tillë, në mos sot edhe pas 10 viteve!

Një arsye – Leart Paqarada!

Mund të kuptojmë sjelljet kontroverse të futbollistëve kohë pas kohe, si në terren, si në hotel, si nëpër social media, por askush nuk mund të kryqëzohet përjetësisht për to.

Ashtu siç thotë njëri ndër dardanët më të flakët – Shpend Thaçi, ka pasur lëshime e falje edhe në të kaluarën për raste edhe më të rënda.

Me Leartin siç duket Feudalët e Futbollit Kosovar kanë përzgjedhur të tregojnë forcën e tyre të pakufi e cila zgjedh presidentë, largon nga puna pishtarët e futbollit kosovar me aklamacion dhe një ngritje të thjeshtë dore, pa pasur vëmendje se çfarë po flitet.

Nëse baba’dem çon dorën, krejt mbrapa tij!

Robërimi vullnetar

Kush garanton që nesër nuk do të kemi një Leart 2.0?!

Kushedi se për çfarë mospajtime tjera më banale do të mbetet i ngujuar me 2 paraqitje te Kosova, ndaj Estonisë e Qipros, derisa të mos jetë pjesë e Suedisë në Botërorin në Katar?!

Lëre supozimet, ja ku e kemi Selmanin!

Pse nuk ftohet Astrit Selmani i cili po kalon një fillim-sezon të shkëlqyeshëm në Allsvenskan?!

A ka filluar një përndjekje e gjerë tashti që – në mënyrë kriminale – baba’dem ka siguruar edhe një mandat, të dyshimtë, në krye të Feudalëve të Futbollit Kosovar?

Kush do të jetë viktima tjetër?

Mendoj tek futbollistët, sepse ne shikuesit do të vazhdojmë të jemi viktima duke paguar shumëfish për një biletë, derisa akraballëku e jaranët e pites zënë sektorë të tribunave në grup!

Çfarë mund të bëjmë?

Ne mund të bojkotojmë, por ata që duhet të bojkotojnë janë futbollistët!

Dhe nuk duhet të shiten si ‘paqeruajtës’ në një kohë rrënimi të futbollit kosovar. Nuk mund të heshtet kundër të keqes që ka lënë njolla deri në Johanesshov!

Në vend që të presim prurjet e talenteve të reja, të shohim lojtarët me super-sezone në klubet e tyre, ne do të presim kush do të refuzoj ftesat e Kosovës tash e tutje! Dhe këto duhet të vijnë me bollëk!

Njëjtë qysh është patriotizëm të veshësh fanellën e Kosovës kur refuzojnë të gjithë, njashtu është patriotizëm të refuzosh të veshësh fanellën e Kosovës kur e kanë njollosur njerëz që trajtojnë ekipin kombëtar si pronë private për hakmarrje e allishverishe personale!

Kosova nuk është e jaranëve të baba’demit!

E kush luan për Kosovën sot mund të konsiderohet si jaran, si armik i baba’demit!

“Vëllazërorja”

Mu kujtua një shkrim i para 6 viteve botuar në Borozani (tash TopSporti), rreth mosgatishmërisë së diasporës për të përzgjedhur Kosovën.

E kemi kthyer në një lloj tradite që çdo herë kur ka sukses Shqipëria apo Zvicra, të fillohet një kampanjë që Kosova nuk duhet të ekzistojë, sepse qysh ka thanë Skënderbeu “forca bën fuqinë”?!

Prej thirrjeve të “Valon magjupi” kur Zvicra luante me Shqipërinë në kualifikimet e dekadës së kaluar, nëpër injorimin e Kosovës, deri te “vëllazërorja” e sotme. Nganjëherë kameleoni më duket i dobët karshi aftësisë së popullit tonë për të ndërruar mendjen!

Dhe një popull ku shumica nuk kanë një princip, një ide, nuk pritet më shumë se sa të ndërrojë mendjen e pavendosur dhe të filloj një debat të kotë në çdo afat kombëtaresh.

Uh, kombëtarja, ja edhe një temë e “nxehtë”!

Racizmin dhe shovinizmin e kemi në palcë dhe nuk jemi të vetëdijshëm për këtë! E kjo më së shumti del në pah tek ky term “kombëtare”.

Nga “Valon magjupi” menjëherë kthehemi me një “shqiponje” dhe i bëjmë hero.

Asgjë nuk tregon më mirë se ky transformim dobësinë intelektuale e shpirtërore të dikujt. Asnjëra nga të dyja nuk duhet të ekzistojnë. Por, është një vijë e hollë që ndanë shovinizmin dhe patriotizmin tonë. Në fakt, janë e njëjta gjë.

Sot po e quajmë “vëllazërore” e pas një kohe do të fillojmë të shajmë Zvicrën dhe krejt shqiptarët që luajnë për Zvicrën. Ndoshta sonte pas ndeshjes, varësisht nga rezultati.

Zvicra ka pasur edhe turq, serb, e të huaj të tjerë në kombëtaren e tyre. kombëtare që nuk përbëhet vetëm nga zviceranët, mos të harrojmë. Turqit nuk e kanë shpallur tradhtar asnjërin nga vëllezërit Yakin, Turkyilmazin, apo Gundoganin, Serdarin, e Ozilin. As popujt tjerë!

Por, ne jemi ndryshe.

Ne presim, ashtu siç presim familjarët e miqtë gjatë verës të na sjellin ndonjë ‘dhuratë’ nga diaspora e të na qerasin kafe e dreka, ashtu të na vijnë edhe lojtarët që janë rritur e zhvilluar në Zvicër.

Pastaj i shajmë e i quajmë tradhtar.

Ne, të cilët presim vizë për të lëshuar këtë vend ku nuk paguajmë tatimet, ku provojmë të vjedhim shtetin në çdo mundësi që na jepet, ku bërllogun e hedhim në mes të rrugës, e ku nuk kemi kurrfarë respektin për dikë tjetër!

Kjo “vëllazëria” me Zvicrën është e përkohshme. Ashtu siç “vëllazërohemi” me diasporën gjatë verës e festave të fundvitit. Në momentin që nuk na mbushin gushën, menjëherë i bëjmë “tradhtar” a çka po di!

Për gazetarët e sportit

Dje i pashë nja dy-tri komente në lidhje me ‘paaftësinë’ e gazetarëve për me bë më shumë presion ndaj selektorit të Kosovës.

Më falni, po për çfarë gazetarë po pyesni?

Ku janë ata gazetarë sportiv?

Në Kosovë, ata që vetëquhen gazetarë, nuk kanë lidhje me gazetari!

E njëjta vlen për analistët e komentatorët sportiv! Këtu, i kemi nja 3-4 analistë, e 4-5 komentatorë futbolli!

Shyqyr që së paku i kemi këta që refuzojnë të kalojnë në anën tjetër të lumit!

Tjerët janë veç llajkaxhi – njerëz që vrapojnë pas llajkave!

Asi njerëz që sjellin ‘ekskluzivitete’ edhe kritikojnë ata që ju zënë rrugën, para se të bashkohen me ta!

Ndryshimi i qasjes është normal, por nuk mundesh të ndërrosh qasjen ndaj një ideje, kauze, që mbetet e njëjtë, derisa e vetmja që ndryshon është pozita jote nga kundërshtar në përkrahës! (lexo: shitesh)

Nuk ka gazetarë në Kosovë.

Ka përkthyes të titujve sportiv!

Jo, nuk janë as lajme, veç një titull edhe disa shkronja me font ma të vogël!

Çfarë hulumtimesh janë bë në sport?

Çfarë intervista a raporte të thella?

Vendose një të vetëquajtur gazetar në një intervistë me një sportist, apo dërgoje ta hallakatë një ngjarje a dukuri në detaje, edhe shihe çfarë mund të bëjnë!

Nuk dinë!

Nuk kanë lidhje!

Ani komentatorët e sportit!

90% janë pseudo-komedien të dështuar të cilët nuk dinë as të theksojnë emrat e atyre që i komentojnë, e lëre të japin një përmbledhje më të detajuar pas individit a ngjarjes!

Lëshojnë ndonjë shaka pa lidhje, nuk e dinë çfarë është neutraliteti, dhe i vetmi qëllim është që të ‘ndërsejnë’ shikuesin që të marrë hov e të shkojë me llajk apo koment!

Sepse marketing të keq nuk ka!

Por, ka gazetari të keqe!

A e marrim rastin e Challandes?

Ka kohë që kanë nisur kërkesat për shkarkim.

Gjatë krejt kësaj kohe, nga FFK janë paraqitur skandalet:

– bileta,

– shkarkim i Eroll Salihut

– gjykimi i presidentit lexhendar për vepër PENALE

Sa gazetarë, sa media, guxojnë me pyet njerëzit e FFK-së për këso sende? Sa guxuan të pyesin sot?

Uebfaqja Betimi për Drejtësi, që s’ka lidhje me sport, është e vetmja media që trajton gjykimin dhe krejt telenovelën pas kryetarit të FFK-së, apo siç ka qejf të quhet, PRESIDENTI!

Nuk kemi gazetarë!

Kemi ‘prostituta’ llajkash, të cilët shfrytëzojnë tema më emocionale në popull për të rritur trafikun edhe me pak më shumë fat, followersat!

Epo, paçin fat!

Unë nuk identifikohem, e as nuk dua të jem pjesë e një kopeje të tillë!

Vdekja e Kosovës

Te Maniakë të Muzikës, dy postime kanë dominu këtë vikend:

– Kaçurrelja nga Duka

– Ni kangë e dikujt të quajtur Enca

E para ka qenë adaptim i kangës së Muharrem Qenës, nga një femijë goxha simpatik. E dyta, ka qenë e refuzuar disa herë për shkak të pamjeve eksplicite për të cilat Facebooku jep vërejte (hala e kam nga postimi i 365dni verën e kaluar tek Filmat).

Qysh e ka adet me ba nostalgjia, edhe kësaj here më çoi ne YouTube, edhe masanej algoritmi i YouTube, që me njeh ma mirë se shpija jeme, nuk më lëshoi për bajagi do kohë.

Gjatë këtij lundrimi nëpër klasikët kosovar, vërejta një dukuri të çuditshme – nuk gjeta asgja klasike që më bënte ta largoja menjëherë. Dhe, mendova nëse do të ishte e mundur të gjeja diçka të tillë. Sidoqoftë, e lashë për ndonjë herë tjetër këtë mision.

Pastaj u përditësova dhe shkova tek hiti i fundit i pasluftës që më ka pëlqyer. Përfundova në Kopshtin e Kushtrimit edhe Hanës! Qaq.

Mixhën Ramë nuk e mbajë në mend, po e kam pa masanej në YouTube, 15 vite mas fjalëve të para që kam dëgju për të. I kam pa edhe do skeçe të Treshit Përsheshit, e edhe disa filma klasik kosovar.

Vendosa m’i krahasu edhe këto me 20 vitet e fundit.

Ka pasë ide të mira, seri të mira, programe të mira të pasluftës. Masanej, sidomos mas pavarësisë, gjithçka u bo bërllog. Ndoshta që u ndalën ndihmat e përkrahjet, dhe filloi kapitalizmi, biznesi me media, me art.

Arti nuk është dhe kurrë s’do të jetë biznes.

Arti vlerësohet nga populli, nga kultura dhe edukata e një populli që ka për artin.

Ne nuk kemi as edukatë e as arsimim për art.

Ne, thjesht sikur ajo shprehja ‘monkey see, monkey do’, qeshim kur të qeshin ata në televizor, ani pse nuk ka kurrfarë nevoje për të qeshur.

Dhe për këtë, nuk kemi faj ne që qeshim.

Për këtë ka faj Millosheviqi. Një milion kosovarë të dëbuar, dhjetëra mijëra të vrarë, mijëra të zhdukur, mijëra të gjymtuar. Dhe krejt këto, nuk janë pasojat më të rënda që ka pasur ky popull nga krimet e tija.

Shkaku i tij, 30 e kusur vite pas fjalimit famëkeq, me ndihmën indirekte të shumë shpirtkëqijve shqipfolës, sot kemi një popull pa kulturë, pa art, një turmë njerëzish që vlerësojnë vetëm paranë, ushqimin, dhe cullakhanen!

Ne jemi kafshë!

Dhe kjo politikë e Millosheviqit po vazhdon edhe sot, bile më mirë se sa që ai do të kishte mundur ta bënte!

“Mediat”!

Mediat, sot janë biznes që mbështeten në mungesën e inteligjencës dhe kulturës së popullit tonë duke ofruar bërllog, çdo ditë e natë, në televizione e portale, për përfitime personale!

Sigurisht, e mbrojnë veten që janë biznes dhe duhet të mbijetojnë.

Njëjtë edhe Millosheviqi e mbronte veten duke thënë që duhej ta mbronte popullin serb!

Mediat nuk janë biznes. Për biznes, hap ndërmarrje tregtare, edhe fito paratë.

Mediat si propagandë janë arma më e keqe që shkatërron shpirtin e një populli.

Ne sot jemi vetëm kafshë që konsumojmë rrena, ushqime të pashëndetshme, cullakhane, zhurmë, dhe ‘evente’ snobiste – shtatëjavorin e fëmijëve, të cilët si pleqtë i postojmë nëpër internet për të marrë llajka dhe mbushur egon tonë; dasma e para-dasma, syneti e para-syneti, pa thelb, pa substancë.

Ne vetëm se jemi kafshë.

Ne nuk mendojmë, nuk analizojmë ato që na servohen të gatshme, por ngajmë të kundërshtojmë njëri-tjetrin.

Ne jemi të gjithëdijshëm, por edhe njoftimet për diplomime i kemi me gabime amatoreske drejtshkrimore.

Ne jemi pellazgët, arbëreshët, ilirët, shqiptarët, por nuk dimë si të rendojmë, e lëre më pak veçoritë tjera të këtyre civilizimeve.

Në fakt, ne nuk jemi asgjë.

Jemi popull pa art, pa kulturë.

Jemi popull që jetojmë, por shpirtin e kemi të vdekur!

Na e kanë vrarë!

Dhe e kemi pasur, edhe shpirtin, edhe artin, edhe artistët.

Por të gjitha kanë vdekur, për ironi, me vdekjen e Jugosllavisë!

Demonstratat e para kosovare, ndonëse të vonshme kanë qenë për hapjen e shkollave shtesë, e pastaj për autonominë e zgjeruar/republikë.

Masat e para të dhunshme të kryekasapit të Ballkanit kanë larguar nga shkolla kosovarët, e pastaj kanë vijuar masat tjera.

Artin e njëmendtë kosovarët e kanë pasur nën komunizmin e ish-Jugosllavisë. Artistët më të mëdhenj të popullit kanë lindur e janë formësuar në kohën e komunizmit.

Si arti, edhe artistët, kanë vdekur në mjerim, në Kosovën e pavarur dhe demokratike! Atëherë kur të gjithë kemi pritur një rilindje të artit, por kemi marrë tallava, muzikë e seriale të bazuara rreth cullakhanes e nënkuptimeve seksuale.

Të mjerët na!

Kosova e qyqarëve

Respekti për San Marinon, por sidomos për Maltën, më është shtuar gjatë kësaj jave.

Të parët na respektonin duke provuar vetëm me anë të kundërsulmeve të tentojnë diçka kundër neve, derisa Malta për një pjesë të lojës lirshëm mbante topin, dhe vërtet do të ndjehesha keq po të mos pranohej ai gol që shënuan.

U lakmova të dyjave.

Të dyja kishin diçka që nuk kishim ne – shpirt, motiv, dhe respekt për kundërshtarin.

Dy fytyrat

Kur shkruaj për Kosovën, kam një konflikt ndjenjash gjithmonë – të lëshoj anën emocionale të më kaplojë dhe të çojë në dreq të mallkuar të gjithë, apo të bind veten që është veç pjesë e procesit.

Jo kësaj radhe!

Sepse ky nuk është proces.

Ky është akt qyqar i të gjithëve, që nga personi që ka okupuar pozitën e të parit të federatës deri tek lojtarët në fushë.

Kosova – vend i qyqeve

Përzgjedhja për të luajtur kundër San Marinos dhe Maltës është për konsum vendor dhe siguri të udhëheqësve të federatës, ekipit, dhe vet ekipit.

Fitoret ndaj San Marinos dhe Maltës do të duhej të na jepnin një mirazh që gjithçka është në rregull me neve.

Fatmirësisht, ato na treguan sa në krizë jemi.

Malta, po të mos gabonin, do të na mposhte, edhe atë me diferencë po të mos ishin disa pritje të Bekajt. San Marino bëri atë që e bëjnë një herë në tri-katër vjet, shënojnë gol.

San Marino luajnë futboll amator, për qejf, për terminë, me mëhalla, Benedettini vs Golinucci & Battistini! Dhe ne vendosim të testojmë forcat me ta!

Qyqarë!

Trajneri

Nuk e kuptoj Challandes, jo për përzgjedhjet që bën me ekip, por pse qëndron ende tek Kosova!

Edhe po të paguhesha sa paguhej ai, unë s’do të pranoja ta udhëhiqja Kosovën, ani pse shumica e kosovarëve do të merrnin edhe falas për pozitën e trajnerit, sidomos komentuesit e Fejsbukut!

Challandes nuk është shkarkuar sepse i duhet zaptuesit të federatës që ta shkarkojë kur të rrezikohet pozita e tij, eventualisht! Nuk është që i intereson Kosova, apo suksesi i saj! Tipit, i intereson vetvetja, dhe nëse dini të mblidhni 2+2, e vëreni pse është aty ku është!

Challandes e ka humbur ekipin! Nuk ka pushtet mbi lojtarët, dhe nuk do të duhej të ishte faji i tij!

Challandes e ka humbur edhe pjesën teknike, me menaxherin e ekipit, a çfarëdo pune që bënë, i dikton konferencat e i përzgjedh televizionet për intervista ‘ekskluzive’ me njerëz që s’kanë lidhje me futboll!

Challandes është karrem, një fantazmë, që po shkatërron vetveten! Dhe ky shkatërrim vetëm sa do të vazhdojë! Sa më parë që shkon, aq më mirë për neve, aq më keq për Federatën!

Zeneli

Arbër Zeneli është pasuri kombëtare!

Po të mos ishte ai, ne s’do të kishim shijuar shumicën e sukseseve që kemi pasur në Ligën e Kombeve, dhe vetëm për një arsye! Është lojtari i vetëm që nuk dorëzohet, pa marrë parasysh kundërshtarin a rezultatin!

Krahasojeni me Rashicën!

Miloti nuk ka interesim as në ndeshje të mëdha as të vogla. Ka një indiferencë irituese, sikur tek ai, sikur tek Zhegrova, e së fundmi edhe sikur tek Kastrati! Të humbësh raste dhe të dorëzohesh ashtu, të mos vraposh, është ofendim për fanellën.

Dhe këtë fanellë po e ofendojnë i madh e i vogël!

Disa kërkojnë minuta, e çohen peshë pse s’marrin ata, disa ‘revoltohen’, disa pensionohen, e disa refuzojnë të pensionohen.

Lojtarët nuk po shfaqin interesim të luajnë, dhe ndoshta do të duhej të kryente punë një ekip psikologësh e motivuesit. Por, prapë dyshoj që ka të bëjë më shumë me karakterin.

Prurjet

Challandes provoi Fazlijin e Rrahmanin në qendër, dhe pranimi i golave do të mund të fajësohet në të dy. Aliti në krahun e majtë nuk po kryen punë. Krahun e djathtë të mbrojtjes, me Bajselamin që i shtohet Vojvodës e Hadërgjonajt, e kemi të sigurt për disa vite.

Ishte Blendi Idrizi ai që impresionoi më së shumti gjatë këtij afati, derisa Lirimi lëshoi një rast të mirë për të dëshmuar aftësitë e tija. Duhet të punoj në përfundimin e aksioneve, ose të gjejë mënyrën që të kontribuojë nga larg, pa dalë para golit. Ndoshta të kthehet në mbrojtje, ose të merret me atletikë!

E kuptoj idenë që Challandes, ndoshta, ka dashur të përgatitet për mungesat eventuale në vjeshtë duke angazhuar Fazlijin me Rrahmanin në qendër, Alitin në krahë, e Rashicën si 9sh fals. Tekefundit ndeshjet miqësore janë për këso gjëra.

Por, minutat për tjerët nuk ishin të mjaftueshëm. E disa nga ta, edhe për ato minutat që kishin, sikur refuzuan të shfaqnin ‘aftësitë’ e tyre!

Teposhtë

Për interesa të ngushta të krerëve të federatës, Kosova ka humbur ngritjen që ka pasur viteve të fundit.

Për interes të një njeriu, Kosova vendosi të mat forcat me ekipin e fundit në listën e FIFA-s, dhe të kthej veten aty ku nuk e ka vendin.

Dhe do të vazhdojë kështu, sepse edhe ‘kundërshtarët’ kryesorë, tani janë rehatuar me kupa e me Evropë, ku janë paratë!

Kosova po shkon drejt një humnere, dhe gjasat për shpëtim veçse po pakohen!

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑