Si një potterhead, që ndër motot e jetës e ka – “Don’t let muggles bring you down”, nuk lejojë babanacët të më diktojnë të shikoj filma krishtlindjesh vetëm në dhjetor! Në fund të gushtit, është koha për ‘Last Christmas’, i cili nuk ka qenë shumë i lavdëruar, dhe për këtë arsye ka mbetur kaq vonë, bashkë me shumë filma tjerë të 2019tës.

Edhe një këshillë – mos u besoni njerëzve të cilët nuk i njihni a nuk keni dëgjuar kurrë, të cilët nuk ua dinë shijen të ju tregojnë se çfarë filmi mund të ju pëlqejë a çfarë jo!

‘Last Christmas’ është i mbushur me këngë të George Michael, në këngën legjendare të së cilit bazohet ky film. për 113 minuta, kemi këngë të Michael vazhdimisht, që i japin shije feste dhe tinguj të ngrohtë filmit.

Historia është edhe më e ngrohtë, e cila me kalimin e kohës vetëm sa bëhet më e këndshme. Ndonëse skenari vjen nga të papërvojë në këtë zanat, nuk zhgënjen. Nuk zhgënjen as regjia e Paul Feig. Filmi në aspektin kreativ është mesatar, por nëse e shohim historinë dhe produktin final, e kemi një film të këndshëm festash.

Më e këndshmja nga të gjitha është Emilia Clarke në rolin e Kejt. Jeta e saj është larg asaj që kishte planifikuar e ëndërruar, derisa punon si një elf në një dyqan krishtlindjesh. Dyqani menaxhohet nga Michele Yeoh, e cila e quan veten Santa, dhe është e përkushtuar ndaj punës. Për të dyja, koha e Krishtlindjeve do të jetë zbulim i vetvetes, dhe dashurisë.

Emma Thompson, pos si skenariste vjen edhe në rolin e nënës së Kejt, një e ikur nga ish-Jugosllavia, e cila si gjithmonë është kritikuese ndaj familjes së saj. Nëse një gjë do ta vlerësoja ‘të tepërt’ është PC – politika korrekte që bie në sy qysh në fillim, dhe nëse jeni pak anti-neoliberal do të ju ngacmoj nervat, por assesi të ju prish ndjenjat e këndshme që do të keni në fund të filmit. Nota personale: 4/5