Po të ju pyeste dikush se çfarë po ju ndalon të dilni e të ecni botën, sot do të kishit edhe një arsye shtesë pos mos-liberalizimit të vizave, #COVID19-shin.
Albert Lin-in, një arkeolog të njohur i cili pas dy filmave dokumentar televiziv, vjen me serinë e tij të parë, nuk e ka ndaluar as amputimi i këmbës. Ai në këtë seri viziton gjashtë nga vendet që ngërthejnë në vete legjendat më të popullarizuara në botë. Dhe falë përdorimit të teknologjisë më të avancuar për qëllimet arkeologjike, ai arrin, me ndihmën e ciceronëve lokal, të rikrijojë ndërtesat e banorëve të këtyre vendeve. Në disa raste, ai sjellë edhe disa ide të reja, sidomos tek rasti i Stonehenge.
Pos Stonehenge, Albert Lin shkon në Mikronezi, dhe jo tek Ishulli i Pahkëve, por tek qyteti antik i Nan Madol ku zbulon një kontinent të madh mijëra kilometra, e jo vetëm një ishull. Dhe në fakt është ky ndoshta episodi më interesant, marrë parasysh që El Dorado, Petra, e Inkasit janë diskutuar shpeshherë në kulturën arkeologjike.
E një tjetër risi në këtë seri është Fortesa e Kalorësve Templar. Si zakonisht kur përmendën këta kalorës, nuk mundet të shmanget miti për thesaret e fshehura, të cilat kësaj radhe kërkohen nëpër tunelet e Izraelit të sotëm.
Episode të mërzitshme s’do të jenë as për Petran, El Doradon dhe Inkan. Me njohuri të thukëta, Albert Lin hulumton më shumë se vetëm historinë e popullarizuar të këtyre qyteteve. Dhe në këtë hedhin dritë edhe gojëdhënat lokale. Nota personale: 4/5