shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: Mad Men

Mad Men 7×05 – Recensim

vlcsnap-2014-05-15-16h27m06s239

Doni po rikthehet. Por, do të përqendrohem një herë tek Megan. Njoftimi i saj me Stefaninë sikur riktheu realitetin për Donin e vjetër, edhe pse ajo xhelozia e Megan ishte pa nevojë. ‘Dhurata’ që i bëri Donit, duke e kthyer në atë të vjetrin sa i përket lidhjeve të tija, nuk mjaftoi. Është një Megan dëshpëruese, e cila medoemos po përpiqet ta bëj Donin më shumë për vete. I gjithë ky insistim shfaqet rishtazi dhe befasishëm, papritur. Gjithashtu shpërthimi i saj karshi Donit tregon që ajo nuk është një bashkëshorte aq e humbur që nuk e njeh të burrin dhe nuk di gjë për të.

E Doni dalëngadalë po provon të kthehet ndoshta aty ku e ka vendin. E kam përmendur javën e kaluar tek ndërlidhja me tregimin për Mets. Akoma besoj që Don nuk do të fundoset më shumë dhe ka vetëm një kahje tash e tutje, e kjo u vërejt më së miri në këtë episod.

Por, kjo mënyrë jetese e tij duket e paqëndrueshme për lidhjen e tyre. Ndoshta Herri ka të drejtë, Doni e ka vendin në Los Anxheles. Së paku aty nuk ka aq shumë që e urrejnë sa në Nju Jork.

Një pjesë e madhe u përqendrua tek Majkëll. Derisa do të më mungoj karakteri i tij simpatik në serial, nuk mendoj se gjithçka që fliste çmenduri. Ndikimi i kompjuterit tek shefat është i çmendur, por sidoqoftë duhet të ketë diçka tek ata. Edhe pse ndoshta mund të ishin vetëm duke biseduar për Phillip Morris. Qysh do që të jetë Llu më duket se e kemi aty vetëm për të na shkatërruar nervat. Nuk e di a janë të gjithë edhe nga shikuesit kundër Donit, apo nuk jam i vetmi që tani përkrah atë më shumë se më kurrë. Ndoshta është vetëm një metodë e Weiner për të na kthyer kah karakteri i tij më shumë.

Nuk besoj që Betty dhe Don ndonjëherë do të kthehen bashkë. Nuk besoj që do ti shohim as në një skenë së bashku më. Por, po duket sigurisht që edhe Beti e ka një fund. Ndoshta vetëvrasje! Nuk besoj që të dyja do të jenë gjallë e mirë në fund të serialit, edhe Megan edhe Beti. Por, tani për tani kemi Betin arrogante, formën që ka marrë qysh nga ndarja me Donin. Nuk di sa do të duroj Henry, dhe nuk di si do të mbijetoj në pjesën e mbetur, por, edhe karakteri i saj do të ketë një tregim për në fund të serialit.

E fundi i kësaj pjese po afrohet. Besoj që do të gjej Donin të ketë qëruar hesapet me kompaninë. Shpresoj të marrim edhe disa përgjigje para pjesës finale të vitit të ardhshëm.

Episod i mirë, i kënaqshëm.

Mad Men 7×04 – Recensim

vlcsnap-2014-05-08-09h47m59s31

Kah po shkon Doni? Ishte një episod që na ngacmoi duke dërguar Donin teposhtë, duke e kthyer tek alkooli të cilin e vodhi nga zyra e Roxherit. E ky i fundit ishte në një udhëtim fascinues. Por, më vonë për këtë.

Ka shumë shenja që Doni do të bëj një rikthim në fund të seriale, për një finale fitimtare. Është viti 1969 në seria, viti kur New York Mets fituan World Series atëherë kur askush nuk e priste. Ngjashëm askush nuk pret që Doni tu përmbahet rregullave të fundit. Por, ai flamuri i Mets, mund të ketë këtë lidhje me tregimin e Donit. Dhe kush del shpëtimtar i Donit?! Fredi! Ndoshta edhe personi më i duhur dhe me më përvojë në këtë gjendje në të cilën po niset Doni.

Ishte episodi ku për herë të parë vet Doni vërejti pasojat e marrëveshjes së re. Megjithatë është e pakuptueshme sjellja e Pegit ndaj tij. Nëse Doni i ka bërë diçka asaj mund të jetë vetëm largimi i Tedit për në Kalifornia. E as këtu nuk mund ta fajësojmë Donin. Për Xhoanën tani më është kujtuar se Doni vet ka prishur marrëveshjen me Jaguar, marrëveshje e cila është arritur falë saj. Pra, e kuptojmë urrejtjen e saj nda Donit. Megjithatë një departament aq armiqësor ndaj tij është i pajustifikueshëm.

Është mirë të shohim Pitin dhe Rogjerin në anën e tij. Duket se Pit është rehatuar, edhe pse më mungon të shoh Alison Brie në seria.

E Rogjeri pati aventurën e jetës. U ndesh me të kaluarën, të kaluarën jo të lavdëruar. Dukej si një prind i vonshëm, që rishtazi u shfaq pas dy dekadave duke menduar se tashti Marigold është një fëmijë që do të mashtrohet pas një dite të kaluar me të. Fundi i kësaj pjese ishte ashtu siç duhej, në baltë.

Edhe për fund, a po i shkon nerva të gjithëve Llu apo veq mua? Duket njeriu më bajat në këto episode. Ndoshta pse mori detyrën e Donit, e gjithashtu gjithnjë është duke u ankuar se ndjehet i rrezikuar, ajo, kjo, një qind probleme.

Nuk është personazh antipatik, por…

Po më pëlqen çfarë po ndodh. Do të preferoja një rikthim të Donit në fund, ndoshta si Mets e ‘69tës. Sigurisht se nuk do të dëshiroja një shkatërrim të tij, edhe pse pak besoj që kjo do të ndodh. Pika më e ultë ka qenë kjo ku është tani. Tani e tutje besoj që do të ketë vetëm ngritje për të.

Kanë mbetur edhe tre episode. Shohim se çfarë do të ndodh.

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑