Made for Love sjellë një “përzierje” të traditës shqiptare dhe modernes amerikane.
Bajron Gogoli është një miliarder teknologjik i martuar me Hejzell, e cila vendos ta braktisë atë pas një dekade martesë.
Ikja e saj nuk do të jetë aq e lehtë pasi Gogoli ka instaluar një çip në trurin e gruas së tij me të cilin ndjekë jo vetëm lokacionin, por edhe sheh çfarë sheh ajo e njëkohësisht përcjellë edhe emocionet e saja.
Pra, një burrë tipik shqiptar?
Këto Hejzëll i zbulon pasi ikën nga bashkëshorti i saj, i cili gruan e tij dhe lumturinë e tyre martesore e shfrytëzon edhe për të ndërtuar më suksesshëm biznesin e tij.
Sezoni i parë i kësaj komedie të zezë kryesisht na vjen nga perspektiva e Hejzëll dhe tentimin e saj për të shkëputur edhe këtë lidhje bizare teknologjike nga bashkëshorti i saj, i cili vazhdon të ngulmojë që ai është zgjedhja më e mirë e saj.
Thashë, tipi shqiptar!
Cristin Miloti që e njohim mirë fansat e HIMYM vjen në rolin e “lajthisë së gjelbër”, Billy Magnusson – për mua i panjohur – në rolin e bashkëshortit të saj.
Ka edhe karaktere dytësore, porse me më së shumti kohë skenike është babai i Hejzëll, Herbert Green, të cilin e portretizon Ray Romano. Është një karakter i çuditshëm, i këndshëm, ashtu siç di të bëjë Ray Romano. Harmonika skenike që ka me Cristin Milotin është ndër anët më të mira të kësaj serie.
Pra është një kombinim utopik, për momentin, i teknologjisë me romancën, me një nuancë familje. Nuk është kushedi se çfarë serie, por nëse jeni fans i HIMYM e Everybody Loves Raymond është goxha serie e këndshme.
Sezoni i parë ka tetë episode, me sezonin e dytë që ka filluar javën e kaluar, dhe do vazhdojë edhe për tri të enjte me nga dy episode në HBO Max. Nota personale për sezonin e parë: 3/5