Komedia britanike gjithmonë ka qenë e veçantë, dhe fansat e këtij lloji të komedisë janë gjithmonë në ekstreme të saj – ose ju pëlqen pa masë, ose nuk ju pëlqen fare. Ata që e pëlqejnë këtë lloj komedie zor që kanë mbetur pa shijuar humorin e Monty Python.
Mirëpo, brenda komedisë britanike, Monty Python dallohen me stilin e tyre të veçantë, mund të themi edhe revolucionar. Jo pa arsye quhen Beatlesat e komedisë. Gjashtëshja fantastike pas serisë së Cirkut Fluturues, ka zbritur në ekranin e madh me tituj që kanë ndryshuar rrjedhën e komedisë në film.
Në këtë film, ekipi niset në kërkim të Gralit të Shenjtë, me kuaj e armë imagjinare. Rrugës ata ndeshen me lepuj përbindësh, kalorës imbecilë, e gjithçka që mund të shkojë në mendjen e kësaj gjashtësheje ekscentrike. Dhe gjatë gjithë filmit ka momente e skena ku komedia është aq abnormale sa që të qeshurat shoqërohen me lëkundje koke për absurditetin e shkrimit. Por, njëkohësisht, si në të gjitha produktet e Monty Python, e kemi edhe një shprehje aprovimi për këtë shkrim.
Edhe tek ky film kemi një gozhdim të ngjarjeve, dhe mbi të gjitha heronjve anglez të cilët nisen në këtë udhëtim të shenjtë. Në shumë skena bizare, kemi edhe ndeshjen me francezët në një kështjellë në Angli të cilët e mbrojnë atë kundër Mbretit Arthur duke hedhur lopë e dhi nga maja e kështjellës!
Komedia e Monty Python është një lloj komedie absurde, e pakuptimtë, për shkrimin e të cilës është nevojitur inteligjencë dhe zgjuarsi e veçantë.
Rrugëtimi drejt Gralit të Shenjtë është vetëm një figurë shtesë në botën e veçantë të Monty Python. Nota personale: 5/5