Ka qenë qershor, i 4ti me gjasë, i vitit 1996, kur në pauzë të Roland Garrosit, do të shihja për herë të parë Mr. Bean!
Është ai episodi kur shkon në darkë për të festuar ditëlindjen e tij! (Vetëm vite më vonë do e kuptoja kënaqësinë e festimit të ditëlindjeve i vetëm!)
Që nga momenti kur ulet, shikon me dyshim kamerierin që i tërheqë karrigen, i shkruan vetes një letër urimi, e deri tek loja e melodisë ‘Happy Birthday’, Mr. Bean vetëm kishte zënë një pjesë të veçantë në zemrën time!
Porositë mish, por i vjen i papjekur, dhe nga turpi vendos ta fshehë në vende të ndryshme, goxha komike, për të mbaruar në fillim të misionit të tij!
Sigurisht, nuk është episodi më komik, por për mua ka një rëndësi sepse është i pari që kam parë (që më kujtohet, në Orion, në MRT2).
Kur them që ngjarjet në fëmijëri, përfshirë ato që shohim, në ndërdijen tonë ngulitin adete e shprehi të ndryshme, mund të lidhë me këtë episod kënaqësinë e të ushqyerit vetëm kur më bie të jem jashtë, e mbi të gjitha, pagesën në momentin që vjen porosia! Nëse shikoni pak mbrapa, mund të ndërlidhni adetet aktuale me diçka që keni parë në TV!
Rowan Atkinson ka fytyrën komike, dhe ndoshta kjo është arsyeja kryesore pse është një legjendë televizive, më i njohuri për mendimin tim pas Keaton e Chaplin, si mjeshtër i mimikës. Por, një pjesë të rëndësishme në krijimin e karakterit të Mr. Bean ka edhe njëri ndër skenaristët më të nënvlerësuar – Richard Curtis. Dua të them, bashkërendimi i ngjarjeve që pasojnë njëra tjetrën është goxha
Bebe-arusha, mini, kostumi i tij, ora në anën e djathtë të shtratit të tij, janë elemente të paharrueshme nga kujtimet e milionave njerëzve të cilët nuk kanë pasur nevojë të dinë asnjë fjalë anglisht për tu kënaqur e shqyer së qeshuri. Vozitja e tij e çmendur, mbi veturë e duke u veshur, mbyllja me dry, ushtrimet në karate, pritjet në radhë, përzierja e sallatës së sandviçit me çorape, qethja, pritja në emergjencë, dhe e gjora, e dashura e tij, Irma, sidomos skena në kinema, janë disa nga momentet më komike në histori të televizionit.
Mr. Bean është transmetuar në mbi 240 vende në botë, që nga fillimi i të 90tave, dhe nuk dyshoj që e kanë parë me miliarda njerëz! Nuk besoj që ka njeri këtu që nuk e ka parë, nëse jo origjinalin, së paku serinë e animuar. Për mua, Mr. Bean mbetet në tri komeditë më të mira që kam parë, bashkë me Cheers e The Office, për të cilat kam shkruar këtu, por shumë më e veçantë nga të dyjat. Nota personale: 5/5