‘Qysh e heqim maskën, kur ajo është bërë fytyra jonë?’
Elliot Alderson
Në një kohë ku teknologjia po na shfaq një botë sipërfaqësore të njëri-tjetrit, e cila po nxit një sjellje të tillë në efektin domino tek të gjithë, më së keqi po e pëson shëndeti psikik. Ndërlidhjen e këtillë, Sam Esmail e pasqyron në mënyrë të përkryer në katër sezonet e ‘Mr. Robot’.
Pasi që disa javë më parë kam përshkruar arsyet pse duhet të shikojmë këtë seri, në këtë pjesë po vazhdoj me spoilera. Pra, nuk do të jetë si një nxitje për ta shikuar sa një përmbledhje e serisë.
Fillimisht, kemi pasur një haker i cili shfaqej në një kohë kur Anonymous ende ishte në trend, bashkë me WikiLeaks. Që nga sezoni i parë, deri më tani, kanë ndryshuar si bota reale, si kjo e Mr. Robot.
Që nga fillimi, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të botës së Elliotit, i cili pas vetes fshihte të kaluar të errët nga dhuna familjare deri tek vdekja e së ëmës. Në fakt, e tërë lidhja e tij me familjen, përfshirë edhe motrën e tij ishte e çarë. I mbyllur në vete, kishim një person i cili dëshironte t’u hakmerrej të këqijve, të keqes globale, nxitur nga historia e tij personale.
Shkatërrimi i rendit të ri shoqëror, kriptovalutat, inteligjenca e makinave, zbulimi i sekreteve dhe dorëzimi i pushtetit tek populli. Shuarja e E-Corp ishte qëllimi i Elliotit, derisa në anën tjetër kishin WhiteRose dhe Dark Army të cilët dolën të kishin të njëjtin qëllim, veçse në anën e kundërt. E përbashkëta ishte e kaluara e tyre, duke na shpirë në një përfundim që ato çfarë na plagosin na bëjnë më të fortë.
Ky definicion përfundon edhe tek shëndeti mendor, i cili ka thyer tabunë në dekadën e fundit, krejt kjo për shkak të përmendjes më të madhe nëpër rrjetet shoqërore. Përqafimi i të errëtës sonë, mund të na inspirojë të jemi vetvetja, të heqim maskën para se të tretet duke u shndërruar në fytyrën tonë.
Momente të mahnitshme ka pasur përgjatë tërë serisë. Ka pasur episode që thjesht kanë qenë art në vete. Mbi të gjitha regjia në kapjen e skenave, sidomos kur fokusi zhvendosej anash jo vetëm në dialogë, ka qenë e mrekullueshme. Mos të flasim për monologët e thëniet e shumta, pjesa dërrmuese të shqiptuara me zërin e denjë të Rami Malek për karakterin e Elliot. Pos zërit, edhe pamja e bënte Malek përzgjedhjen e përsosur për këtë seri. Nuk mund të ankohemi as tek karakteret dytësore, secili më ekscentrik e më i veçantë se tjetri.
Tri sezonet e para kanë qenë të shkëlqyeshme. Sezoni i katërt ka qenë jashtë perceptimeve të mendjes së kthjellët të një maniaku serialesh. Episodi me Verën (episodi që ka notën 10.0), pas atij episodit ku përmenden vetëm dy fjali, finalja dy-orëshe, darka e WhiteRose, ecja nëpër mal, rrëfimi anësor për Dominikën e Darllinën. Dhe krejt këto vetëm në sezonin e fundit që është një ndër sezonet më të mira në histori të televizionit. Së paku nga ato që kam parë.
Mr. Robot përfundon si një seri e veçantë, në një dollap ku nuk ka asnjë seri tjetër. Një dollap i artë, i cili do të ndryshojë jetën secilit që e shikon. Për të mirë! E ndryshimi vjen nga brenda, nga njohja e vetvetes. Rrugëtimi i Elliotit ishte një mision i tillë – zbulimi i vetvetes dhe burimeve që kishin kalitur atë. Njërin nga karakteret më të dashura në televizion, një katalizator pozitiv në botën e sotme jo të lavdërueshme. Apo siç e quan Mr. Robot – një vend i rrezikshëm. Dhe atë ‘jo për shkak të atyre që bëjnë punë të liga, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë.’
E ti, mik, çfarë je?