AE22SCNEBRASKAKENNEDY Alexander Payne din të sjell tema jo të zakonshme për publikun në mënyrën më të mirë të përpunuar. Pas punimit të tij të fundit ‘The Descedants’, Payne mban shijen e njëjtë, porse me detaje dhe karaktere të ndryshme.

Përsëri ai na lidh me karakterin kryesor i cili nuk ka një tregim të përkryer, dhe përsëri kemi një karakter ndihmës që jo patjetër ka fërgim krejt pozitiv me karakterin kryesor. Tashti nuk kam një diapazon aq të gjerë të filmave sa që të kem parë Bruce Dern e June Squibb në zanafillën e karrierës së tyre. Por, po të jenë në nivelin me të cilin vijnë tek ‘Nebraska’ atëherë sigurisht se meritojnë respekt dhe një vend ndër më të mirët. Të dy sjellin një mishërim të shkëlqyeshëm me karakteret e tyre, që në fakt janë burrë e grua.

Bruce Dern portretizon Vudin, një i moshuar që ka fituar një milionë dollarë falë një lotarie interneti. Për këtë ai duhet të shkoj në Nebraska. Dhe medoemos do të bëj këtë, qoftë edhe në këmbë. Pasi provon më shumë se një herë, i biri i tij Dejvid (Will Forte) duhet të intervenojë që ti shpjegoj situatën se e tëra është një mashtrim i rëndom interneti. Kur nuk ia del vendos ti bashkohet në rrugëtimin për tek milioni.

Në fakt udhëtimi del të jetë shumë më tepër se një rrugë deri tek destinacioni i caktuar. Del të jetë më shumë një ribashkim familjar që do të sjell së bashku në krah të njëri tjetrit çiftin e moshuar. Derisa Vudi është një karakter i urtë, i qetë, me pak alzajmer, dhe i bindur që më në fund është milioner, gjë që do ti ndihmoj ta realizoj njërën nga dëshirat e tij të fundit; Kejt (Squibb) është një grua me gojë të pamatur që nuk kursen të vërtetën qoftë edhe mbi ata që nuk janë më. Por, të dy këta gjenden në krah të njëri tjetrin kur të sulmohen nga të tjerët. E si zakonisht posa të kuptojnë që je milionerët menjëherë shfaqen ata që ‘u ke borxh’ e ata që ‘të kanë ndihmuar’ kur nuk ke qenë milionerë. Por, edhe këta që futen në këto dy grupe të kategorive nuk janë personazhe negative. Nuk sjellin një frymë që të prish qejfin e një dramë bardhë-e-zi, të butë, të lehtë, të këndshme. Janë karaktere që provojnë të përfitojnë nga situata, dhe këtë e bëjnë me një aktrim të bukur. Mos të anashkaloj edhe Bob Odenkirk – Ros, i biri tjetër i familjes, i cili nuk ka shumë hapësirë, porse bën punë të mirë për atë pak mbulim që merr.

Në aspektin teknik Alexander Payne bën gjithçka shkëlqyeshëm. Kemi një film bardhë e zi me shije noir por i realizuar në mënyrë digjitale. Këndet që sjellin temën janë ndër më të mirat. Pos kamerës që shpesh e gjejmë përgjatë rrugëve të qeta, të gjata, e të vetmuara, edhe dy skena që vijnë nga perspektiva e televizorit me shumë pak dialog njëra, e tjetra pak më shumë e populluar me fjalë, janë disa që meritojnë vlerësim të lartë e edhe do të ju mbeten në kujtesë. Jo që janë më të mirat, pasi ka edhe shumë skena e kënde të mira, por, ja që më kanë mbetur në mendje.

Është film i shkëlqyeshëm. I realizuar lehtë, qetë, butë, të ofron kënaqësi me temën që trajton. Të ofron një korrelacion, një lidhje emocionale me të gjitha karakteret kryesore të filmit. Përfundimi është i shkëlqyeshëm dhe pak deri diku emocional.

Njëri ndër filmat më të mirë të vitit.

Nota personale 10/10