shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: netflix

Don’t Look Up (2021)

Qysh në ditën e parë të vitit 2022, ne thyem një rekord!

Shumica, e gdhirë nga festa e mbrëmshme, me një gumëzhinë veshësh, i janë gëzuar “verës n’dimën”, derisa kanë vazhduar kthjellimin, derisa nuk e kanë pasur idenë se çfarë rekordi është shënuar sot!

Prej kur maten temperaturat në vendin tonë, për herë të parë 1 janari sot ishte 14 gradë mbi zeron e Celsiusit.

Adam McKay është gjeni!

Nëse shihni komeditë që ka, shumicën me Will Ferrell, mund të mendoni që janë filma të kotë, bajat, pa kurrfarë “mesazhi”, ideje, apo realizimi. Por, nëse ndaloni vetëm pak, dhe lidhni momentet kryesore e vëreni një thumbim mjeshtëror të shoqërisë në tema aktualet të asaj kohe.

“Don’t Look Up” ka të bëjë me ndryshimet klimatike të cilat kosovari mesatar as nuk lodhet t’i mendojë, e lëre më të marrë autobusin, të mos hedhë bërllogun, apo të marrë një qese letre!

Sigurisht që nuk jemi ekskluziv – amerikanët zgjodhën një palaço për president, për ta zëvendësuar me një palaço tjetër!

Dhe, filmi i dedikohet asaj periudhe, dhe jo vetëm pjesës politike, por edhe “zbuluesve” teknologjik, mediave të klikave, snobave, dhe mbi të gjitha patriotëve mendjelehtë.

Ideja, skenari i Adam McKay ashiqare ka tërhequr një kast super-aktorësh të cilët kryejnë një punë të bukur në portretizimin e karaktereve të tyre. Leonardo DiCaprio është një astronom, i cili nis paralajmërimin e masës pasi një kandidate doktorate – Kate Dibiasky (Jennifer Lawrence) zbulon një kometë vrasëse për planetin tonë. I treti person i arsyeshëm në krejt këtë mesele është Dr. Tedi (Rob Morgan).

Këta duhet të bindin presidenten Meryl Streep – një Trumpeshë, të birin e saj shef të stafit – Jonah Hill, aktrimi i të cilit ndoshta bie më së shumti në sy nga karakteret dytësore, dhe mbi të gjitha, zbuluesin unik, Peter Steve Jobs, nga i mrekullueshmi Mark Rylance.

Filmi është një pasqyrë e çmendurisë që ka kapluar shoqërinë tonë, dhe sigurisht që nuk do të vlerësohet nga ata që janë pjesë e kësaj çmendurie, dhe që me krenari sot nëntë vite më parë e konsideronin filmin “2012” komedi.

Uroj që ta quajnë komedi edhe këtë film nëntë vite më vonë, por, fatkeqësisht, mund të na dalë si njëri ndër filmat më të rëndësishëm, dhe të injoruar njëkohësisht, karshi problemeve më gjigante – me kë po ndahet Ariana Grande, kush me kë do përputhet, a kush do lëshoj një fjali Platonike te vëllai i madh.

Filmi nuk duhet të jetë vetëm një vepër arti, asi që do të shpjegohet në shkollat e filmit. Filmi, si gjithçka, duhet të pasurojë shoqërinë, shikuesin herë me dije, herë me kënaqësi, e herë ta qortojë.

Perfekt. Nota personale: 5/5

E gjeni në Netflix – https://www.netflix.com/watch/81252357

Seinfeld – Recensim Serie

Seinfeld është tani në Netflix!

Bashkë me komeditë tjera si ‘The Big Bang Theory’ e ‘Modern Family’, provon të mbulojë mungesën e komedive tjera më të njohura tek ne si ‘Friends’ e ‘The Office’. Ndonëse me “trakë të qeshurash”, Seinfeld përshtatet më shumë me fansat e The Office e Modern Family, se sa për ata që Friends e konsiderojnë komedinë më të mirë ndonjëherë.

Karakteri kryesor, Jerry Seinfeld është një komik që provon të bëjë stand-up komedi në qytetin e Nju Jorkut.

Shoku i tij më i mirë është një qel, George Costanza, i cili urren gjithçka, ka mendjen më të madhe se sa fijet e flokut, provon të mashtrojë një dynja, dhe mendon që gjithçka në univers shkon kundër tij. Një qel atipik. Dhe arsyeja kryesore pse kjo seri mund të ju plasë nervat, sidomos në sezonet e fundit.

Shoqja më e mirë e Seinfeld, Elaine Benes, punon në biznesin e librave, derisa i ka të njëjtat vuajtje sikur George, veçse është e kundërta e tij! Po, e di çka thashë!

Komshiu i parë i Seinfeld është Cosmo Kramer, arsyeja kryesore pse do të çmendeni pas kësaj komedie! Cosmo është një mishërim i të treve, porse më pozitiv. Është një njeri që nuk e merr jetën seriozisht deri në pikë bizare ku bën gjithçka që një njeri normal nuk do të bënte. Ka ide të çmendura, e veprime edhe më të çmendura.

Ky është grupi prej katër karaktereve kryesore, të vetëdijshëm për të metat e njëri-tjetrit, me të cilat shpesh edhe bëjnë shaka e ankohen, por kryesisht i përqafojnë derisa lënë nevojat e planet e tyre në sfond.

Secili episod sjellë një problem të ri, aktual për ‘90tat, trendet e asaj dekade, e yada, yada, yada

Janë edhe disa karaktere dytësore që përfshihen nëpër sezone si të dashurat e Seinfeld, të dashurit e Elaine, hejterat e George, prindërit e Seinfeld, dhe të mjerët, prindërit e George, e që janë dy karakteret nga më të mirat në seri.

Dhe pastaj është Njumën

Ka shumëçka që do të ju shkojë nerva si pjesët hyrëse dhe dalëse të shumicës së episodeve ku na shfaqen pjesë nga profesioni i karakterit të Seinfeld në seri si komik stand-up, e tana të zezat e George. Por pastaj kemi edhe aktrimin gjenial të Michael Richards, që ka bërë Kramer njërin prej karaktereve më të dashura për mua në televizion.

Por, aktrimi megjithatë nuk ia kalon shkrimit të serisë. E aty kontribuon Larry David, qeli më i mirë në televizion, një qel shembullor, i cili bashkë me Jerry Seinfeld kanë krijuar këtë seri, dhe kanë shkruar shumicën e episodeve.

Seinfeld është komedi monumentale, ikonë televizive.

Disa e vlerësojnë shumë lartë, disa e injorojnë mu për këtë arsye.

Duhet ta shikoni medoemos!

Dhe mbi të gjitha, mendoj që finalja e serisë ka qenë e përkryer! Nuk shoh të ketë pasur ndonjë finale më të mirë.

“Seinfeld now, serenity later!”

The Social Dilemma (2020) – Recensim

Është e frikshme mënyra si pas një bisede të zakonshme familjare, me të hyrë në instagram të shfaqen reklamat për perdet kundër mizave!

Sigurisht, shumica mund të na quajnë njerëz me paranojë, por më shumë ata e kanë keq se ne. Së paku, kur e dinë çfarë po ndodh rreth teje, në çfarë bote po jeton, e di si ta menaxhosh jetën, deri në pikën që mundesh.

Dhe janë ata tjerët që mendojnë se vuajmë nga paranoja që kanë nevojë të shohin ‘The Social Dilemma’.

Është një dokumentar sy-hapës për dikë që nuk beson në këso gjëra, e për ironi nuk beson as në vaksinë! Por, është një dokumentar bindës edhe për ata që dyshojnë në fuqinë që kanë rrjetet sociale në jetët tona.

Interesante ishin rrëfimet e shumicës së të intervistuarve, sidomos me orarin e tyre para gjumit dhe kufizimet që kanë për fëmijët e tyre. E në mesin e tyre, më duhet të përmend Sean Parker, si një njeri që vazhdimisht mbetet në plan të dytë të ‘inovatorëve’ teknologjik, i konvertuar nga një ‘kriminel’ me Napster, deri tek CEO i Facebook.

Më pëlqen algoritmi i YouTube që më drejton në zhanrin që ndjehem në formë ta shohë për dy orë ndoshta. Por, nuk më pëlqen ai i Instagramit që më sjellë më shumë reklama se sa imazhe të miqve.

Për këtë arsye, Facebook, Messenger, e Instagram, më shpesh nuk janë në telefonin tim se sa që janë.

Më thjesht, ne zgjedhim ‘drogën’, ‘djallin’ të cilit ia shesim shpirtin. Dhe krejt është në rregull derisa e dimë që jemi të varur, derisa e njohim ‘drogën’ tonë, dhe jemi në gjendje ta kontrollojmë, deri dikur.

Varësisht prej nivelit të ‘paranojës’ që jemi, ky dokumentar nuk duhet të mbetet i vetmi që shohim nga kjo temë, sidomos kur YouTube-n e kemi të mbushur me tema të tilla. Veçse, shumë lehtë mund të kalojmë në anën e errët, e ta teprojmë me paranojë. Nota personale: 5/5

E gjeni në Netflix – https://www.netflix.com/title/81254224

After Life – Sezoni 1&2

“Një javë diarre, tri javë as një grimë.”

Pleqtë gërnjarë gjithmonë kanë qenë karakteret që më kanë ndrequr seritë që kam parë. Këtu, është kjo fjali e një banoreje të shtëpisë së të moshuarve që përshtatet me fjalorin e fjalitë thumbuese të karaktereve të kësaj serie, sidomos atij të Ricky Gervais.

Ricky Gervais tek ‘After Life’ luan rolin e një gazetari të cilit i ka vdekur gruaja pas një sëmundjeje.

Kur vdes dikush nga rrethi i ngushtë familjar, ndjen zemrën të plandoset, bota të shembet. Fatkeqësisht, herët a vonë, të gjithë jemi njohur me këtë ndjenjë. Por, njashtu sikur Grinçi, edhe ne kemi shumë raste të ndjejmë rritjen e zemrës sonë për dy-tri herë!

Kështu është jeta e Tonit pas vdekjes së gruas së tij.

Në dymbëdhjetë episodet e dy sezoneve të ‘After Life’, Ricky Gervais sjell një karakter që na shfaqnë pah një fytyrë që nuk jemi mësuar ta shohim deri më tani në karrierën e tij.

Kështu është secili episod i cili në të njëjtën kohë na bën të pikëlluar e të lumtur, na lehtëson pikëllimin tonë duke na bërë të qeshim me ato kohë jo aq të këndshme nga e kaluara jonë, me të cilën të gjithë jemi ndeshur, në një mënyrë a tjetrën.

Derisa kjo seri është një luftë mbijetese për dikë që nuk është i interesuar të jetojë më, njëkohësisht është e mbushur me karaktere dytësore jeta e të cilëve nuk është asgjë speciale.

Toni, ndonëse nuk fshehë atë arrogancën nga e cila nuk provon të zhvishet as vet Ricky Gervais, prapë nuk mundet të bëjë të gjitha të këqijat që mendon e planifikon, e as të mbytë veten. Duke na kujtuar Palaçon, Toni si një i pikëlluar pa ndonjë interesim për jetën, nuk mundet të rrënojë edhe botën e tjerëve, ndonëse duket sikur është në plan të tij.

Përkundrazi, ai vetëm sa ndreq jetët e tjerëve, të cilët në njërën anë duken sikur më pak të ‘iluminuar’ se vet ai, nga e cila botë ai nuk mund të largohet, por as edhe ta dëmtojë. Kemi lidhjen e tij shoqërore me prostitutën, të cilën e ndreq me njërin nga karakteret që urren më së shumti – postierin.

“Kur shoh diçka të mirë, një fije shprese, humbi… pastaj, kur gjithçka bëhet mut, them, “Ah, ja ku është.” Tashti mund të dehem dhe të pres vdekjen.

Gjatë gjithë kësaj, ai është në një luftë me vetveten. Po ta shikojmë si tërësi, mund ta përmbledhim ‘After Life’ si një rrugëtim reflektimi, një autoportret të Ricky Gervais.

Dhe ky rrugëtim është ndoshta më e mira që ka bërë në karrierën e tij.  

Nëse nuk keni humbur dikë të afërt, më e keqja që mund të bëni është të mendoni vazhdimisht për atë çast, kur vdekja do të troket tek ju dhe do të ju marrë dikë të dashur. Në vend të kësaj, bëni atë që na këshillon Toni, vallëzoni me më të dashurit tuaj, qeshni, kënaquni, por mbi të gjitha, bisedoni, thoni fjalët që mendoni t’i thoni, por për kushedi çfarë arsye, nuk ia dilni.

Thjeshtësia e karaktereve, rrethinës, na bën të ndjehemi më afër me situatat në këtë seri. Dialogët, fjalitë thumbuese, që nuk kursehen as nga karakteret tjera, përballja me situata të çoroditura derisa kërkojnë artikuj për gazetën lokale, na pasqyron jetët tona të qeta e të thjeshta, me jetë e vdekje, karshi gjësendeve që s’kanë kuptim, që janë bizare, dhe në fund asgjë më të dobishme se nga jeta jonë e kotë, e thjeshtë, por me dashuri. Nota personale: 5/5

365 dni (2020) – Recensim

S’po ju vjen marre?!

Filmi numër një për shikueshmëri në rajonin tonë është një afishe me gjoks të zhveshur gruaje, me gjinjtë mbuluar nga një krah burri!

Në rreth 110 minuta film, janë 6 minuta skena eksplicite seksuale, për të cilat besoj që shumica e kanë nisur këtë film. Në rregull, shumicës nuk i duhen më shumë se 6 minuta ndoshta, por problemi është që janë të ndara në dy pjesë nga 3-4 minuta, dhe pjesët goxha kanë distancë në mes tyre!

I konsideruar si glorifikim për ‘sindromin e Stokholmit’ – ku të rrëmbyerit dashurohen në rrëmbyesit, filmi ndjek një (motër) polake, e cila në ditëlindjen e saj të 29të rrëmbehet gjatë festës në Itali.

Por, krejt kjo ngjarje ishte vënë në aksion pesë vite më parë, kur babai i një pjesëtari të mafisë siciliane vritet në kulm të një ndërtese bregdetare, pak pasi i biri po shikonte me dylbi një vajzë e cila shkundte flokët, e vetme, në mes të bregdetit, jo plazhit!

Ishte ky imazh që e kishte mbajtur gjallë Masimon, i cili pasi e kidnapon i kërkon vetëm 365 ditë që ta bindë ta pranojë atë! Po të ishte film shqiptar, do të kryhej krejt meseleja për tri ditë, dhe pas 270 ditëve, babina!

Që filmi t’i çan nervat, e shihni qysh në fillim! Menjëherë filmi nis hovshëm, me të dy karakteret kryesore në botët e tyre duke sharë e provuar të duken si të pakompromis në idetë e punët e tyre! Dhe krejt kjo ndodh me një anglishte nën-mesatare, e ngjashme me disa nga filmat tonë aksion!

Ar ju lost bebi gërl?

Arr ju toking baut mi?

Kur jemi tek gjuha, ajo polake, mësojmë gjenezën e një fjale që përdoret në muhabete rrugaçërie, si dhe si të shajmë në polonisht. Krejt kjo falë shoqes së ngushtë të Laurës!

Që mos ta shikoni filmin, polonisht ku&va qenka ‘fuck’

Tek polakët, kemi edhe një të dashur të Laurës, i cili mund të ju ngjajë në Helsinkin e ‘Casa de Papel’, por kjo më shumë mund të jetë një racizëm i nënvetëdijes tuaj.

Nuk jemi krejt QELAT të njëjtë, ani pse ngjajmë!

Ngjashëm edhe nuk janë krejt filmat erotik të njëjtë!

Ky, ‘365 dni’ nuk është film erotik, ani pse mund të insistojë në diçka të tillë.

Nuk është as pornografi, ndonëse me një picamen do të mund të kalonte në një të tillë.

Është diçka në mes, që provon të japë diçka sensuale, romantike, duke provuar të shfaqet i guximshëm me disa skena eksplicite seksuale. Thjesht, i japin zor në gjithçka, nga anglishtja, deri tek dashuria!

Gjëja e vetme pozitive një fjali që e dëgjoni në fillim të filmit.

Çfarë është parajsë për sytë, është ferr për zemër!’

Ma mirë kqyrni pornografi, nëse keni nevojë, e përfundoni më shpejt e më lehtë, se sa të harxhoni 114 minuta me njërin nga filmat më të këqij ndonjëherë. Nota personale: 0/5

Falling Inn Love (2019) – Recensim

A ju ka ndodhë, edhe pse nuk keni aplikuar asnjëherë, të ju njoftojnë që jeni fitues fatlum i ‘greencard’? Po? Pa u regjistruar fare? Të gjithëve që nuk kanë adblock ju ka ndodhur, ose shfletuesin Brave!

Diçka e ngjashme i ka ndodhur edhe Gabrielas, por për dallim prej të gjithëve të përmendur më lart, kjo është regjistruar për të fituar një han në Zelandën e Re ku ka më shumë dele se njerëz. Fakti tjetër që e dini për Zelandën e Re është që LOTR janë xhiruar aty.

Christina Milian, të cilën mund ta kujtoni nga hit-kënga e viteve të para të pasluftës ‘AM to PM,’ vjen në rolin kryesor të Gabrielës e cila pasi pushohet nga puna dhe heq dorë nga një lidhje që nuk po shkon kërkah (sikur ne, banorët e vendit më të izoluar në Evropë) vendos të pranojë ofertën dhe të zhvendoset në Zelandë të Re.

Asgjë nuk shkon sipas planit, duke nisur nga hani i cili është një ndërtesë gati e rrënuar. Aty vendos të nis riparimet që të marrë qiranë në Amerikë, por mahnitet nga mikpritja dhe miqësia e vendasve, duke thumbuar kulturën amerikane edhe në mënyra tjera përgjatë gjithë filmit. Dhe në mesin e shumë mikpritësve është edhe një vendas i cili i prish nervat, por sikur në të gjitha komeditë romantike, të gjithë e dimë se si do të përfundojnë gjërat. Nejse, gati si zakonisht.

Përkundër që duket, dhe në masë të madhe është një komedi romantike klishe, ka diçka më ndryshe, që e bën të pëlqyeshme për masat. Filma të thjeshtë si ky, komedi romantike ju nevojiten të gjithëve pas një dhune psikike disa javore të mesazheve (lexo premtimeve boshe) politike.

Skenar i mirë, fotografi e shkëlqyeshme, aktrim në nivel, por ndoshta film pak më i gjatë se që do të duhej. Nota personale për ‘Falling Inn Love’: 3/5

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑