Ndër të metat kryesore të gjuhës shqipe është që nuk e kemi fjalën e duhur për ‘home’.
Në shqip, e kemi shtëpinë, që si fjalë e ka të pamundur të largohet nga objekti fizik që nënkupton. Në anglisht, ‘shtëpia/home’ ka një kuptim që mund të përfshijë një moment, një person, një vend, një objekt.
Vite pas vdekjes së bashkëshortit të saj, kur mbyllet miniera në një fshat në Nevada ku Fern kishte punuar tërë jetën, ajo shet gjithçka që nuk i duhet, ngarkon në kamionçinën e saj gjithçka që i duhet, dhe merr rrugën!
Nën regjinë e Chloe Zhao, filmi më kujton filmat e Ken Loach, të cilët kanë një atmosferë me ngjyra të zbehta duke portretizuar gjendjen e rënduar socio-ekonomike të karaktereve në film. Pra, është një film jashtë botës së Hollywoodit, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë artistik.
Pranë Frances McDormand, e cila e luan rolin e Fern, kemi vetëm edhe David Strathairn, në rolin e Dejv. Pjesa tjetër e aktorëve janë kryesisht nomadë të vërtetë të cilët njëmend bëjnë jetën e Fern në jetën reale. Ky fakt i jep një origjinalitet filmit, që për shumëkënd mund të duket si një dokumentar.
Por, aventurën e Fern, nuk e shohim si një dokumentar, falë tentimit për ngjyrim artistik, me anë të fotografisë piktoreske që na përcjellë për një pjesë të konsiderueshme të filmit, gjersa vet Fern ka një krizë ekzistenciale.
Nuk e kuptoj idenë pas ‘udhëtimeve’!
Sigurisht, mund të tingëllojë si një injorant, por pse dikush do të kalonte kohën duke iu rrokullisur botës kur mund ta sjellë botën tek ai/ajo. Për ajrin? Aromën? Për foto në instagram?
Në aspektin filozofik, udhëtimet janë një arratisje nga vetvetja, nga kotësia ditore, nga jeta e përditshme. Por, kudo që shkojmë, nga lëkura s’mund të dalim, pos nëse ‘qërojmë hesapet’ me vetveten. Mund të arrijmë në një fund të këtillë edhe tek ‘Nomadland’, ku pas prishjes së rehatisë shpirtërore, Fern del të kërkoj atë rehatinë që i mungon tash sa vite.
E rehatia, paqja, gjithmonë gjendet brenda nesh, jo në ndërtesat, njerëzit, e natyrën që na rrethon. ‘Nomadland’ mbetet filmi më i mbivlerësuar i vitit për mua. Nuk është më i mirë as se filmat më të dobët të Terrence Malickut, mjeshtrit të ‘filozofisë kinematografike’. Nota personale: 3/5