Karriera e HItchcockut është e mbushur me filma triler ndër më të mirët në histori të kinematografisë. Filmi Notorious nuk është në krye të listës së filmave më të mirë të Hitchcockut ndoshta, por jo për faktin që dëshpëron. Përkundrazi ofron një tregim të mrekullueshëm që përmbush çdo kërkesë për tu vlerësuar si triler i shkëlqyeshëm. Faji qëndron tek katalogu i veprës së tij dhe gjenialiteti i mendjes së Hitchcockut.

Shtjellimi i tregimit është i realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme që arrin majën me perden mbyllëse të filmit. Tregimi rrëfehet për merak duke shkuar në detajet e nevojshme të cilat nuk mbeten pa u sjell para kamerave. E para kamerave që drejtohen nga njëri prej mjeshtërve më të zot në histori të kinematografisë na dalin disa skenat më të mrekullueshme që ka bërë Hitchcocku. Në veçanti më ka pëlqyer kapja e momenteve romantike të cilat sikur ngjiten në një shkallë më të lartë tek veprat e Hitchcockut në këtë film.

E ky film sjell tregimin e Alicia Huberman. Filmi nis me gjykimin e të atit të saj, gjykim në të cilin Alicia nuk është e pranishme. Ajo është në lidhje me shërbimin sekret me të cilët nis bashkëpunimin për të kapur pjesën tjetër të nazistëve të cilët janë të zhvendosur në Rio de Janeiro. Alicia njeh mirë mikun e të atit, Alexander Sebastianin i cili ka një ngrohtësi ndaj saj. Pjesë e tregimit është edhe Devlin, pjesëtar i shërbimit sekret i cili nis të krijoj një ngrohtësi tjetër ndaj Alicias.

Cary Grant sjell në jetë Devlinin, Claude Rains sjell Sebastianin, ndërsa Ingrid Bergman vjen si Alicia – kjo ndoshta për shkak të aksentit. Për Grant ky film nuk është asgjë e re pasi e kemi parë në filma të ngjashëm edhe më parë (e më pas nëse shkojmë kronologjikisht). Personalisht nuk ka bërë asgjë të veçantë që nuk jam mësuar ta shoh më parë tek për shembull North by Northwest apo Charade. Më shumë më ka lënë mbresa Ingrid Bergman e cila sjell rolin e dytë më të mirë të karrierës pas Casablanca. Është një rol i gjallëruar për mrekulli nga ajo ky i Alicias dhe habitem si nuk është vlerësuar as me nominim për Oskar. Nominim, me plotë mëritë vlen të theksohet, ka marr Claude Rains. Ai me mjeshtri në çdo kënd sjell në jetë karakterin e Sebastianin.

Filmi është nominuar edhe për skenarin më të mirë. Skenari, ngjashëm si regjia e Hitchcockut është bukur i ndërtuar. Meriton t’ia kushtoni 101 minuta të kohës tuaj për shkak të ngjarjes që, e përsëris, përmbush çdo kërkesë të një trileri dramatik. Nota personale: 5/5