shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: Oskarët

Saving Mr. Banks (2013) – Recensim

vlcsnap-2014-01-29-21h46m47s219Nëse jeni nga ata që nuk keni lexuar apo parë ‘Mary Poppins’, atëherë perceptimi i parë për ‘Saving Mr. Banks’ mund të jetë sikur një autobiografi për Walt Disney, që nuk është. Nuk është as autobiografi për autoren e ‘Mary Poppins’, P.L. Travers. Edhe pse këta dy emra janë karakteret kryesore në këtë film. Porse tema, ndryshe nga titulli, ka të bëj me këto dy karaktere dhe pajtimin e tyre për të kthyer në film veprën e Mary Poppins. Është një premtim që Walt (njeriu pas kompanisë Disney) i kishte dhënë të bijave të tij, për të sjell në ekran të madh veprën e autores britanike P.L. Travers, ‘Mary Poppins’.

Edhe pse film i Disney, skenari është plotësisht i pavarur. I vetmi detaj i ndryshuar në skenar, që është i shkëlqyeshëm, është që Walt Disney nuk është duhanpirës, e kundërta e asaj që ka qenë në realitet. Derisa kemi një përgatitje skenari brenda skenari, që është ndër temat kryesore të këtij filmi, mund të them që është i përpunuar shkëlqyeshëm. Pos, temës kryesore në film që përfshin P.L. Travers në përgatitjen e skenarit për filmin ‘Mary Poppins’, në retrospektivë na shfaqen pamje nga rinia e vet autores për të në ofruar një shpjegim të historisë së Mr. Banks dhe frymëzimet që kishin bërë lindjen e tij në mendjen e autores. Këto skena dytësore i japin një shije shtesë filmit duke e bërë edhe më interesant si dhe duke humbur edhe mundësinë më të vogël për kotësi.

Harmonia e Emma Thompson me Tom Hanks përgjatë gjithë filmit, që nga skena e parë deri tek takimi i tyre i fundit, së paku në skenë) është e mahnitshme. Kemi dy karaktere krejtësisht të ndryshme, Waltin që përkundër perceptimit të parë si biznesmen mizor ndaj emocioneve, në fakt shfaqet si një baba që kërkon të mbaj premtimin ndaj të bijës, dhe në këtë rast partneres në biznes; dhe P.L. Travers që kërkon medoemos të mbroj veprën e saj nga skena që mendon se do të shkatërroj fantazinë dhe botën që e magjishme që e ka krijuar në libër.

Thompson duket të ketë qenë aktorja më e përshtatshme për këtë rol. Në fund kemi një audio origjinale të P.L. Travers ku mëzi do të vërejmë dallimin me Thompson. Mund të them që roli në këtë film i Emma Thompson, aktrimi, është njëri nga tre aktrimet më të mira në karrierën e saj. Qëndrimi, përfshirja në dialogë, kundërshtimi dhe injorimi i çfarëdo butësie në miqësi, së paku në pjesën më të madhe të filmit, si dhe lirimi i emocioneve të saj siç është tek kënga ‘Let’s Fly a Kite’ dhe shumica e skenave në vijim, shfaqin Emma Thompsonin në majën e aftësive të saja.

Edhe Tom Hanks përshatet dukshëm me rolin e Walt Disney, por, një hapësirë goxha të konsiderueshme në film ka kasti dytësor i skenaristëve me Jason Schwartzman, Bradley Whitford, e B.J. Novak, e Paul Giamatti si shofer i Travers. Të tre këta veçse sa ndihmojnë në shkëlqimin e Emma Thompson duke kryer detyrën e tyre në formë të përkryer.

Nuk duhet të harrojmë as kastin në skenat retrospektive me Colin Farrell që ndoshta nuk e ka pasur shumë të vështirë të përsos rolin e Travers Goff (babait të PL Travers) si një pijanec, si dhe Ruth Wilson (nëna) e Annie Rose Buckley si vet P.L. Travers në fëmijëri. Këto skena dytësore vërtetë janë katalizatorë për vet temën e filmit, dhe janë të vendosura në një renditje shumë të mirë duke nisur dhe mbaruar në kohë të duhur.

Në fakt John Lee Hancock bën një punë shumë të mirë sa i përket regjisë, realizimit të filmit. Nuk është i gjatë, nuk është i kot, jep mesazhin që ka si qëllim, ka një fillim, fund, dhe gjithçka që ndodh ndërmjet është absolutisht e arsyeshme që është inkuadruar në film, deri në detaje.

Është një film shumë i mirë, ndër më të mirët e vitit për mendimin tim. Emma Thompson meriton të vlerësohet më së larti me paraqitjen e saj, e as Tom Hanks nuk mbetet shumë mbrapa. Ndërkohë ‘Let’s go fly a kite…’ do të mbetet edhe për një kohë të gjatë në kokën tuaj.

Nota personale: 9/10

August Osage County – Recensim

August-Osage-County-ReviewKur vendosim dy diva të kinematografisë me një skenar të shkëlqyeshëm kemi si rezultat kemi një film si ‘August Osage County’. Performanca e Meryl Streep dhe Julia Roberts, pa përjashtuar kastin dytësor me emra tjerë të njohur, na jep një dramë familjare të mrekullueshme.

Tema, ngjashëm si filmi është paksa e zymtë. Karakteri i Meryl Streep, Violeta, është një nënë e tri bijave e sëmurë me kancer goje dhe jeton në shtëpi e vetme me bashkëshortin. Bashkëshorti i saj është Beverly, Sam Sheppard. Ky ka pak hapësirë në film, pasi herët bën vetëvrasje që unifikon familjen e gjerë e që nis një seri skandalesh familjare.

Barbara – Julia Roberts, është e bija e madhe e familjes me një karakter të pashoq pos me të ëmën. Të dyja janë alfa-ujkonja kokëforta dhe bindëse. Karen (Juliette Lewis) dhe Ivy (Julianne Nicholson) janë motrat më të vogla të Barbaras. Barbara është e martuar, së paku ashtu supozohet me Billin (Ewan McGregor) me të cilin ka një bijë tinejxhere, Jean (Abigail Breslin). Karen tashmë është fejuar me Steve (Dermot Mulroney), ndërkohë Ivy ka një të dashur, më në fund.

Motra e Violetës është Mattie, e mahnitshmja Margo Martindale. Ajo është e martuar me Charlien (Chris Cooper) dhe kanë një bir, Charlie Jr. (Benedict Cumberbatch). Dhe Johnna (Misty Upham) është shërbëtorja/kujdestarja e Violetës, me prejardhje indo-amerikane.

Kjo e fundit shpesh bie pre e ngacmime raciste të vet Violetës. Karakteri i Meryl Streep është ai që i jep shije këtë filmi. Është një karakter pa dorëza, që nën ndikimin e medikamenteve nuk kursen asgjë, nuk mban asgjë brenda për të ofenduar të madh e të vogël në këtë film. I vetmi karakter që kundërshton atë, është Barbara. Kacafytjet, deri tek ato verbale, bëjnë këtë film më të mrekullueshëm. Harmonia e Streep me Roberts, si dy karaktere të njëjta, por gjithnjë në kundërshtim njëra me tjetrën është e mahnitshme përgjatë tërë filmit. Sigurisht edhe kasti dytësor ‘investon’ me aktrimin e tyre të përkryer, secili karakter në vete, por pothuajse shumica mbetet nën hijen e dyshes Streep – Roberts. Që të dyja meritojnë lëvdata më të mëdha, e edhe nominimi për Oskar është më se i drejtë për to.

Skenari? Skenari gjithnjë shkon duke u thelluar, dhe duke u bërë sa interesant, aq edhe pak i ‘pështirë’ ta quaj. Por, më ka pëlqyer. Më ka pëlqyer qysh zhvillohet e tërë ngjarja, dhe sidomos pika ku përfundon. Është realizim i mirë kur marrim parasysh përvojën e regjisorit John Wells (disa episode të ‘ER’ dhe ‘Shameless’ si dhe filmi ‘The Company Men’) dhe skenaristit Tracy Letts (‘Killer Joe’). Aktrimi dominon, megjithatë personalisht edhe skenari e regjia më janë dukur interesant.

Ndër skenat më të veçanta është darka pas varrimit të Beverlyt. Është një darkë ku shumëçka del në pah, ndërkohë atmosfera dhe emocionet lëvizin lart e poshtë me disa skena sa komike, sa tragjike. Është ndër pjesët më të mira, jo vetëm në këtë film, por edhe gjatë këtij viti nëpër filma. Më ka pëlqyer tejmase duke qenë sikur pika kulmore e filmit, për të lëvizur më pas kah fundi i tregimit me një tempo më të shpejtë, ngjashëm me atë se si kishte arritur deri tek ajo darkë.

Nota personale: 9/10

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑