Mund të luash me bombë atomike, por pastaj s’mund të luash. Sepse s’je më! Ose je, diku thellë nën sipërfaqen e tokës, i rrethuar me tetë gra!
Filmi nis me atë paralajmërimin e zakonshëm amerikan për shmangien e përgjegjësisë, duke na siguruar që ngjarjet e portretizuara në film, pas konsultimeve të shumta, nuk kanë shanse të ndodhin në jetën reale. Ose kanë shumë pak shanse. Dhe ngjarjet që ndodhin në këtë film, do të ishin të fundit për shumëkënd për neve, në jetën reale.
Në një ditë prej ditësh, një komandant ushtarak amerikan vendos të nis një flotë aeroplanësh luftarak për të lëshuar bombat atomike mbi Bashkimin Sovjetik. Pse? Veç! Me të dëgjuar këtë, me vonesë, ushtarakët dhe liderët më të lartë amerikan mblidhen për të parandaluar katastrofën bërthamore që do të çrrënjoste njerëzimin.
Që nga fillimi i mbledhjes së këtyre njerëzve aq të rëndësishëm, deri tek vendimmarrja e fundit, filmi është një art i satirës kinematografike që të ‘çmend’ me aftësitë e realizimit teknik dhe artistik.
Është ndër filmat më të mirë të Stanley Kubrick, ndoshta më i miri për mua. Në aspektin teknik, kemi një regji me kamerën që kap momentet nga më kyçet në interesim duke u fokusuar në ngjarje krejt dytësore, të parëndësishme, derisa karakteret kryesore i kemi larg kamerës duke injoruar gjendjen e rëndë, ashtu siç injorojnë fokusin e kamerës në raste. Pastaj, kemi këndin që i kapë burrështetasit të cilët merren më shumë me punët personale se sa me parandalimin e çrrënjosjes së njerëzimit, derisa larg fokusit të kamerës kemi presidentët që diskutojnë për hapat në parandalimin e kësaj katastrofe.
Dhe, në këto biseda, presidentët e dy vendeve më të fuqishme në botë flasin për ndjenjat, se si ndjehen në këtë situatë, sa të lënduar janë që nuk flasin më shpesh në telefon, e çmenduri tjera!
Dhe pastaj kemi finalen me propozimin e çmendur të botës post-apokaliptike, me një aktrim superior të Peter Sellers i cili në këtë film luan tri karakteret kryesore. Edhe George C. Scott është i mirë, bashkë me karakteret tjera që kanë më pak hapësirë. Me aktrimin e Peter Sellers, janë skenari dhe regjia, e qershi mbi tortë në këtë është muzika, tingujt e ‘When Johnny Comes Marching Home’, janë ato që e bëjnë këtë film njërin ndër më të veçantit me temë luftën, ndonëse nuk ka asnjë shkrepje plumbi! Nota personale: 5/5