Pitch-Perfect-Anna-Kendrick Pitch Perfect (2012)
IMDB Rejtingu: 7.3
Premiera e shfaqjes: 5 tetor 2012
Kohëzgjatja: 112 minuta
Rejtingu: +13 për shkak materialit për të rritur, gjuhës dhe narkotikëve
Zhanri: Komedi, Muzikë
Regjia: Jason Moore
Skenari: Kay Cannon
Aktrojnë: Anna Kendrick, Brittany Snow, Rebel Wilson, Anna Camp, Skylar Astin
Shtëpia filmike: Universal Pictures
Beka, një fillestare në Universitetin Barden, lajkatohet në bashkimin me The Bellas, një grup këndimi të shoqeve të saja në shkollë. Duke injektuar energjinë e shumë kërkuar në repertor, Bellas rivalizojnë skuadrën konkurrente të meshkujve në kompleksin e studentëve.

Jam një fans i muzikalëve, apo mjuzikëllave. Qysh do që i quani, besoj se jeni të njohur me këtë zhanër dhe keni pa tituj si The Sound of Music, Mamma Mia, etj! Tani e dini për çfarë po flas.

Megjithatë Pitch Perfect nuk është as afër atyre titujve, muzikalëve më të mirë. Ngjan më shumë në seriale si Glee dhe Smash, ku për disa nuanca është më i mirë se Glee e ndoshta edhe Smash.

Tema e filmit bazohet tek Rebeka, një DJ aspiruese e cila është e detyruar nga babai i saj, një profesor letërsie që të ndjek kolexhin. Një e vetmuar, pa shumë shoqëri, me shumë karakteristika të sektit të Gothëve, inkuadrimi i saj në një klub akapella është gjëja e fundit që do ti shkonte ndërmend. Megjithatë inkuadrimi në Bellas i sjell asaj një aventurë të shijshme, që do të revolucionoj jo vetëm grupin, por edhe jetën dhe karakterin e saj.

Karakteri i Rebekas portretizohet nga Anna Kendrick. Këtu lind edhe problemi i parë. Kendrick ka pasur disa role shumë të mira, si në Up In the Air dhe së fundmi End of the Watch ku ka një hapësirë pak më të vogël. Megjithatë portretizimi i një studenteje fillestare nga një 27 vjeçare nuk më duket shumë i mençur. Sigurisht ka studente 27 vjeçare, por 27 vjeçare që aktrojnë si 18 vjeçare… jo shumë reale. Puna dhe ‘investimi’ i talentit të saj nuk ka munguar dhe ka qenë afër maksimumit. Por, shfaqja mendoj që është ‘vjedhur’ nga Rebel Wilson. Një aktore që dalëngadalë po arrin të siguroj role minore nëpër komedi të ndryshme jo shumë cilësore, po befason me talentin e saj. Janë disa nga skenat më komike dhe më interesante që nuk do të ishin të njëjta po të mos ishte Wilson. Me rolin e Fat Amy, ajo i jep filmit pjesën komike, ku thjesht nuk ka skenë komike pa të. Madje as skena fillestare nuk është komike sa është e pështirë. Për komedinë është përkujdesur Fat Amy, derisa për muzikën – së paku për pjesën më të madhe të filmit – grupi i djemve Treblemakers. Këngët që bëjnë Bellas janë të kota për pjesën më të madhe të filmit, por nuk do të zhgënjeni në pjesën e mbetur të filmit. Janë disa përzierje të këngëve interesante dhe më të popullarizuara tek gjeneratat e reja, ndoshta filmi për këtë arsye do tu përshtatej dhe zgjonte kërshërinë e tinejxherëve. Por, nuk është diçka për të mos shikuar nga ata që pëlqejnë muzikalët, apo edhe vet filmat komedi me pak muzikë e këngë në ta.

Ka skena që mund të duken të kota, pos këngëve të Bellas në fillim, por ndër skenat më interesante janë ato të ripp-off, një garë jozyrtare këndimi, e nuk do të mungojnë as skenat e udhëtimit për garat kombëtare që janë ndër më të shkurtrat dhe më të mirat. Gjithashtu këtij grupi të të rinjve me komentimet e tyre si transmetues të ngjarjes i janë bashkuar edhe Elizabeth Banks dhe John Michael Higgins.

Luan Morina
Kritik për TV&Film