“Lufta ka mbaruar për mua, por gjithmonë do të jetë aty, për aq kohë sa më ka mbetur…”
Gjërat nuk janë ashtu siç duken në filma, aq më pak lufta.
Dhe askush nuk mund ta portretizojë luftën në film më mirë se një veteran i vërtetë. Oliver Stone, përvojat e tija të luftës në Vietnam i ka sjellë në tre filma artistik, me ‘Platoon’ i pari nga ta.
E prodhimi i filmit kishte qenë një luftë ne vete, deri në gjetjen e mbështetësve, të cilët më pas patën kthim 22 herë më shumë se shuma e investuar. Pos suksesit komercial, Platoon solli edhe katër Oskar – filmi, regjia, zëri, dhe editimi më i mirë, nga tetë nominime.
Filmi sjell historinë e një toge ushtarësh në kufi të Kamboxhias me Vietnamin. Togeri është një ushtar me më pak përvojë, i cili bazohet më shumë në dy rreshterët më të vjetër, me pikëpamje jo aq të njëjta për luftën dhe veprimet që duhet t’i marrin. Ndasi ka edhe brenda ushtarëve të tjerë të grupit, të cilët në shumicën e rasteve nuk dinë se çfarë po bëjnë!
Oliver Stone, me skenarin që ka shkruar i vetëm, sjell në mënyrë të çrregullt luftën dhe jetën e ushtarëve amerikan, duke e bërë më reale eksperiencën tonë si shikues. Sigurisht, pjesa më e madhe e filmit bazohet në aksione dhe ngjarje aktive të togës, shumica e tyre me skena të pakëndshme për të gjithë të përfshirët në film, sidomos neve shikuesve.
Është një film jo i lehtë për t’u kapërdirë nga shikuesit për shkak të skenave dhe ngjarjeve goxha vulgare. Por, as rrëfimi nuk mbetet më i lehtë me lidhjet jo të këndshme ndërmjet ushtarëve.
Siç thotë edhe karakteri i Charlie Sheen, Kris nga sytë e të cilit edhe kujtohet lufta,
“… kur e kujtoj, ne nuk e luftuam armikun, ne luftuam vetveten. Dhe armiku ishte brenda nesh”
Rrjedhimisht, edhe ne si shikues nuk e shohim vetëm një luftë me armë, por edhe këtë luftën e brendshme të ushtarëve.
Ushtarët vijnë me aktrime tejet reale, nisur nga Charlie Sheen në rolin më të mirë të karrierës. Tom Berenger e Willem Dafoe në rolet e dy rreshterëve më me përvojë bëjnë një punë mjeshtërore në aktrimin e dy karaktereve alfa në pole të kundërta të historisë. Mark Moses, John C. McGinley, dhe emra më të njohur ndoshta si Forest Whitaker, Kevin Dillon, e Johnny Depp vijnë në rolet tjera më dytësore. Por, performanca e tyre është një performancë grupore, goxha mirë e realizuar.
‘Platoon’ mbetet njëri ndër filmat më të mirë në lidhje me luftën, ndoshta për faktin që portretizohet nga dikush që vërtet ka qenë pjesë e luftës. Nota personale: 5/5