A nuk ju duket edhe juve e komplikuar vozitja e veturave? Sidomos ato manuale! Shumë ma mirë ka qenë në kohërat tona, me pajton e kuaj! Ani po të kishe fatin të hasje në një Roach!
Kështu, duke provuar të mësojë se si funksionon ndërruesi i shpejtësive, Eduard, pahiri ndalet në rrugën ku ofrojnë shërbime njerëz të natës. Fati e vendos në pllakën e Vivianit, e cila për dallim prej Eduardit goxha mirë di të vozitë e marifetin e veturave.
Pasi arrijnë në hotelin ku qëndron Eduard, të dy nisin të flasin e të njohin njëri-tjetrin më shumë se sa që do të duhej të ndodhte zakonisht.
Okej, nëse nuk e keni kuptuar deri tashti, Vivian është një prositutë!
Jo, jo!
Jo të tillë që i shihni kryesisht në fushata elektorale, a në debate politike, meshkuj!
Filmi në regji të Gary Marshall shërben si një katapultë në karrierën e dy nga yjet e të 90tave – Richard Gere e Julia Roberts!
Harmonia e tyre skenike është e mahnitshme. Dhe kjo vetëm sa bëhet edhe më superiore me kalimin e çasteve, duke arritur majën me paraqitjen e tingujve të këngës së Roy Orbison.
Historia e Eduard e Vivian vazhdon për një javë, për të cilën ai do e paguajë Vivianën për shoqërim në takime pune, gjatë së cilës javë ajo do të bëj një transformim gjigant, falë edhe ndihmës së kujdestarit të hotelit, portretizuar nga i këndshmi Hector Elizondo, i cili ka kaluar disa vite të mira në njërën nga seritë e mija të preferuara.
Është një moment në film, kur Eduard, i cili është një “thyerës korporatash” hedh një paralele ndërmjet profesioneve së të dyve, të cilat kanë ngjashmëri, sipas tij. Personalisht, do të shkoja edhe më tutje në banalizimin e kësaj ngjashmërie. Shumica, shiten për diçka, por në fund të ditës, vetëm prostitutat shihen si persona non-grata.
Si shumëçka që më ka mësuar televizori, Vivian mbetet si karakter shumë më i mirë se një kallaballëk njerëzish që kam takuar, sidomos në institucione publike, të cilët për pak para bëjnë “shërbime” të pamoralshme, të cilat nuk përfshijnë marrëdhënie intime.
“Pretty Woman” mbetet ndër komeditë romantike më të mira jo vetëm të viteve ‘90ta, por edhe më gjatë të këtij zhanri, sa për temën, edhe më shumë për aktrimin e dyshes kryesores. Nota personale: 5/5