shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Tag: Recensime (Page 1 of 4)

Sweet Girl (2021)

Një burrë i pikëlluar pas vdekjes së bashkëshortes, kërkon drejtësi për vdekjen e saj derisa provon të mbrojë të bijën.

Kështu përshkruhet filmi që ashiqare na njofton që kemi të bëjmë me një film aksion me Jason Momoa dhe Isabel Merced. Dhe të jem i sinqertë, ishin këta dy arsye pse vendosa ta shihja, pasi Momoan e shohim të gjithë, e Isabel ka qenë mbresëlënëse tek ‘Instant Family’ e ‘Sicario 2’.

Dhe për këta dy, ia vlen të shohim filmin, dhe për rrjedhën që merr në pjesën e dytë.

Filmi nis si ngutshëm, si cekët – njihemi me gruan e Rej dhe nënën e Rejçëll, e cila vuan nga kanceri, por në etapën e fundit zbulohet një ilaç që megjithatë tërhiqet nga tregu, që bën të humbim Amandën dhe të shohim Rej të kërcënojë publikisht CEO-n e firmës së ilaçit.

Pas këtij kërcënimi, Rej kontaktohet nga një gazetar, dhe duke tentuar të zbulojë sekretet e korrupsionit, ai niset në një hakmarrje personale ndaj firmës dhe të gjithë të përfshirëve në tërheqjen e ilaçit/terapisë, që në mënyrë indirekte Rej i fajëson për vdekjen e gruas së tij.

Filmi nuk thellohet në një dramë familjare, sa mbetet një aksion, një hakmarrje personale e një bashkëshorti dhe bijës së tij. Një mision i pamundur kundër një korporate lakmuese, në kërkim të drejtësisë.

Skenari dhe regjia nuk më kanë pëlqyer pothuajse aspak. Është ajo pika që përmenda ndërrimin e rrjedhës së filmit, por skenat në vete nuk kanë përmbajtur dialog, e as konfrontime të kënaqshme – ka pasur shumë shpime të panevojshme, për shembull!

Nuk jam i zhgënjyer, pasi Momoa e Isabel janë të mirë në punën e tyre. Filmi nuk vonon më shumë se 100 minuta, dhe është i mirë për të kaluarën një kohë të lirë që do ta shfrytëzonim duke bërë gjëra të kota në telefon. Nota personale: 3/5

E gjeni në Netflix – https://www.netflix.com/title/81058613

Fast & Furious 9 (2021)

Nuk di i sati film i kësaj sage është ky, nuk di sa i kam shikuar, por e di që ende më i miri që kam parë nga kjo seri është Tokyo Drift.

Tokyo Drift ka një ansambël aktorësh krejt ndryshe nga tjerat, një ambient tjetër, dhe një histori më tërheqëse.

Vazhdimet tjera janë ripërpunim, përsëritje, ribërje, reprizë, reeeee… e vetmja gjë që ndryshon është teknologjia e përdorur për efektet vizuale, dhe ndonjë risi aty këtu për rolet dytësore.

Kësaj radhe, teknologjia përdoret për të bërë disa ngjarje, skena, të cilat as në videoloja s’duken të besueshme, e lëre me në filma që nuk identifikohen si fantastiko-shkencor. Janë skena në pjesën e dytë të filmit, para finales.

E finalja, është ‘cheesy’, e lodhshme, asgjë më ndryshe se tjerat.

Por, filmi mbush të gjitha kutitë që i duhen një filmi komercial – aksion, shpejtësi, vetura e fytyra të bukura, ‘eksplodime’, ‘romancë’, sarkazëm, dhe tentim dhembshurie për të cilën temë kemi pasur shumë meme.

John Cena vjen në rolin ‘misterioz’ të vëllait të Vin Diesel, me temën që provon të thellohet më shumë në historinë e familjes Toretto. Është një temë e thjeshtë në konfrontimin familjar ndërmjet dy vëllezërve polarizues, derisa të dy tentojnë të arrijnë tek një pikë, por për qëllime të kundërta.

Vijnë edhe emrat tjerë të zakonshëm të kësaj sage, me ndryshimet e lartcekura. Asgjë të freskët pas nëntë filmave.

Do të ketë edhe vazhdim të dhjetë, me kushedi çfarë teme. Edhe ai vazhdim do t’i kënaq si fansat e kësaj sage, ashtu edhe producentët e pjesën e kastit. Pse jo? Derisa FF kënaqë këto palë, do të kemi edhe një 10 filma tjerë. Tekefundit, në mos aktorët e përfshirë po kanë ndonjë projekt më serioz e më të mirë.

Nejse, duhet të pranojmë që Justin Lin në aspektin vizual po bën punë të mirë. Nota personale: 2/5

The Office – Recensim serie (pa spoiler)

Shanset e dyta zakonisht nuk janë të preferuara, por, nganjëherë del diçka si ‘The Office’ dhe bëhet seria më e dashur për ty!

Fillimisht, nuk kam mundur të lidhem me ‘The Office’ për shkak të karakterit kryesor – Michael Scott (Steve Carrell). Çfarë të keqe nuk ka ky njeri? Një shef që mendon se është hajgarexhi, menaxher, filozof, lider, bukurosh, e çkasmos! Është egomaniak që nuk e di ku e ka fundin!

Dhe krejt këto, në sezonin e parë, më janë dukur nevrike, të kota, bajate.

E pastaj, janë bërë pjesë e pandashme e jetës sime ditore.

Citate të tij, skena, momente, Michael Scott sillet në mendjen time më shumë se miqtë e mi më të ngushtë! Nejse, “miqtë”!

E më e mira e ‘The Office’ është që nuk është seri e bazuar në një karakter. Janë mbi 15 karaktere që kanë mbi 100 episode, e 12 nga to janë me mbi 150 episode (nga 188 episode në total). Dhe secili nga këto karaktere e ka botën e tij, pjesën e tij të veçantë në këtë seri. E këto botë, shpesh ndërlidhen me njëra tjetrën në hallka që bëjnë një zinxhir që e bën njërën nga seritë me ansambël të përkryer aktorësh.

Çdo episod sjellë budallallëqet e karaktereve, të cilat budallallëqe bëjnë dikë të sjellë kokën – Stenlli; dikë të përkrahë pa kurrfarë baze – Kevin; dikë të provojë me arsyetim deduktiv të kundërshtoj budallallëkun – Oskar; një injorante – Anxhella; një anti-Anxhella – Fillis; dikë të humbur në botën e vet – Meredith; dikë që ndërlidh këtë budallallëk me filozofinë e tij kafshore – Duajt; dikë që provon të kundërshtojë, por thellë në vete përkrahë këtë budallallëk – Xhim; dikë që sinqerisht nuk e di çfarë të mendoj në lidhje me këtë budallallëk – Pem; dikë që ndjehet që është më i mençur se tjerët, por në anën tjetër është duke bërë një budallallëk tjetër – Rajan; një version femëror të Rajan – Kelli; një hejter të përhershëm, spiun korporate, njeri pa familje – Tobi; dikë të papërshkrueshëm – Krid;

Dhe krejt budallallëku, ngjarja, pa marrë parasysh qëndrimet e karaktereve karshi asaj ngjarjeje, ndodh, dhe përfshinë të gjitha karakteret në fjalë, në mënyra të ndryshme, derisa neve na bëjnë të përjetojmë disa nga momentet më të mira komike në jetën tonë!

Është një ‘mockumentary’, pra ngjarja zhvillohet para kamerave që janë brenda në seri, me karakteret në seri që japin dëshmitë dhe mendimet e tyre në lidhje me ngjarjet/budallallëqet, që na shtojnë edhe më shumë të qeshurat. Edhe më i mirë është fakti që nuk ka ‘trakë të qeshurash’, kështu që e qeshura jonë në shumë raste na duket e çuditshme, por nuk mund të ndalemi.

Janë edhe karakteret dytësore – Derrill, Endi, e Erin, pastaj Xhen e Dejvid, tullusumja Nelli, tullusimi Roj, dhe e bukura, më e bukura se Pem, Karen. Në sezonin e fundit kemi James Spader, karakteri i të cilit nuk më ka pëlqyer, por më kanë kënaqur karakteret që i kanë paraprirë rolit të James Spader në seri, sigurisht përfshirë Will Ferrellin.

‘The Office’ mbetet një komedi e paharrueshme, gjithnjë e shijueshme. ‘The Office’ është një kult, që na bënë jetën më të hareshme. Nota pesonale: 5/5

Silver Linings Playbook (2012) – Recensim

Shumë njerëz e urrejnë të hënën, por për vete e urrej të dielën, sidomos të dielën pasdite, edhe atë kur ekipi im, apo ndonjë ndeshje e madhe luhet në 20:45!

Që nga fëmijëria e diela ka qenë e lodhshme – prindërit përgatiteshin për javën e punës, ne duhej të laheshim, planifikonim ku të pyeteshim, edhe të zgjidhnim rrobat/uniformën! Por, paraditet ishin të shkëlqyeshme – pallaqinka ose llokuma, filma të vizatuar në Super RTL, apo seri vikendi – Power Rangers, Sinbad, Vajza e Oqeanit, filma me Bud Spencer e Terrence Hill, dhe… BAM – lufta!

E njëjtë është jeta e Pat, i cili e nis filmin me dashurinë që ka për të dielën, e që në SHBA gjatë vjeshtës së paku është ditë e futbollit amerikan. Dhe deri të dielën, ai na tregon si jeta e rrëzon dhjetë herë.

Pat del nga rehabilitimi mendor, ku ka qëndruar për tetë muaj pasi ka rrahur dashnorin e gruas së tij, derisa është diagnostikuar me çrregullim bipolar! Pas kthimit në jetën ‘normale’ ai ftohet në darkë tek miku i tij, ku do të takon kunatën e tij, së cilës i ka vdekur burri. Të dy me mendjen jo aq të ‘kthjellët’ nisin të flasin për barnat që kanë përdorur e përdorin në darkën e tyre, derisa të dy provojnë të harrojnë të kaluarën që i ka ‘rrënuar’ mendërisht!

Është mëkat që ky film nuk ka fituar Oskar atë vit, për shkak të disa aktrimeve fantastike të konkurrentëve, por që të katërtit në rolet kryesore – Bradley Cooper si Pat, Jennifer Lawrence në rolin e Tifanit, Robert De Niro e Jackie Weaver në rolet e prindërve të Pat, kanë qenë të nominuar, me mëritë, për Oskar.

Por, performanca e Bradley Cooper është fenomenale, sidomos në portretizimin e skenave të krizës mendore, në të kaluarën e të tashmen, kur hedh nga dritarja librin ‘Lamtumirë armë’, kur çmend prindërit në mes të natës, para se të nesërmen të bëj të njëjtën në kërkim të videos së dasmës së tij. Dhe këto janë vetëm dy ngjarje që na përgatisin për ato skenat shpërthyese që do të pasojnë me të dy në skenë – sidomos ajo e restorantit – kur Pat dhe Tifani zhvillojnë njërën nga bisedat më të fuqishme me tematikë shëndetin mendor, që përshtatet mrekullueshëm me skenat paraprake – ato që janë duke vrapuar; dhe ato pasuese – derisa provojnë të ‘shërojnë veten me anë të hobive e ngjarjeve të ndryshme që do të duhej t’u çlodhnin mendjen.

Aktrimi i të gjithëve, sidomos harmonia e Bradley Cooper e Jennifer Lawrence është e mahnitshme. Pastaj, puna mbrapa kamerës e David O. Russell, i cili sjellë dy karaktere të cilët jeta i ka shtyrë deri në limit të ‘normales’ dhe matanë saj, është ndër kontributet më të mëdha rreth temës së shëndetit mendor, e portretizuar me një art kinematografik të shkëlqyeshëm. E filmi nuk kufizohet vetëm në dy karakteret kryesore, por zgjerohet në jetën e karaktereve dytësore, familjareve, të cilët medoemos përballen me rrethanat e reja të krijuara në jetën e tyre, kur dikush i afërt ka kaluar në diçka të tillë.

Gati një dekadë më vonë, filmi mbetet një xhevahir i kinematografisë sa i përket trajtimit të temave rreth shëndetit mendor, me dy karakteret kryesore në rrugën e shërimit, derisa lënë të kaluarën e verbëruar e gjejnë një ambient që i kupton, krejt ato që kalojnë në kokën e tyre. Është një ‘terapi’ dy orëshe, që të bën të ndjehesh i pranuar, dhe jo i vetëm, ani pse është vetëm ‘film’ ku bashkë me dy karakteret që shërohen nga traumat e së kaluarës, edhe ti ndjen një lehtësimi nga çfarëdo që të mundon. Nota personale: 5/5

The Curious Case of Benjamin Button (2008) – Recensim

Të kthesh kohën mbrapa është e pamundur, por të mendosh mbrapsht nuk është ndonjë gjë e veçantë. Shumica e bëjnë këtë, sidomos ata që identifikohen si ‘overthinker’-a.

Mendoj që është një lloj mekanizmi mbrojtës, një besëtytnie, që nëse i mendon të gjitha të këqijat, ato s’do të ndodhin, dhe ti do të befasohesh.

Por, nëse i tregojmë dikujt këto mendime të ‘mbrapshta’ do të qortohemi. Përpos nëse e bëjmë në stilin e F. Scott Fitzgerald.

Historinë e tij të shkurtër, në film e sjellë David Fincher, i cili ofron një vepër mjeshtërore që përmbush e edhe tejkalon pritjet tona si shikues. Më keq s’mbeten as lexuesit, pasi për dallim prej shumë veprave që qethen, kjo në fakt zgjatet e zgjerohet goxha hollësisht e ngadalë.

Tek këto momentet e ‘ngadalshme’ vërehet bukuria teknike e filmit – fotografia e muzika, dhe në shumë raste edhe makijazhi.

Makijazhi luan një rol të rëndësishëm në këtë film për shkak se duhet të na sjellë Brad Pitt në shumë mosha të ndryshme, nëpër të cilat kalon karakteri kryesor – Benjamin.

Në vitin 1918, Benjamin Button lind si një fëmijë plak, i rrudhur, i dobësuar, i sëmurë, duke tmerruar fillimisht maminë dhe të gjitha të pranishmet në lindjen e tij. Por, me kalimin e kohës, Button do të nis të rinohet, duke shkuar në kundërshtim me jetën tonë të zakonshme.

Në këtë jetë të mbrapshtë, ai do ta rritet pa nënën e tij që vdes në lindje dhe babanë që do e braktis. Për të do të kujdeset Kuini, një kujdestare në shtëpinë e të moshuarve.

Por, ajo që do të kalojë më së shumti kohë në këtë film është Deizi. Ajo është shoqja e Benjaminit, me të cilën takohen kur të dy janë të rinj në moshë, por njëri i moshuar e tjetra fëmijë. Dhe koha do të kalojë për të dytë, në drejtime të kundërta, derisa njëri rinohet e tjetra plaket.

Kemi një dashuri të veçantë me gjyshërit tanë. Ndoshta sepse të dy ndjehemi njëjtë, ndoshta sepse të dy palët jemi fëmijë në zemër, nipat e mbesat mezi presin të rriten, derisa gjyshërit e kujtojnë fëmijërinë si kohën më të dashur të jetës së tyre. Për këtë të fundit, nuk jam i sigurt, por po duket se ashtu do të jetë.

Sidoqoftë, fëmijët e pleqtë, janë dy moshat më të sinqerta e më të dashura.

Sahatçiu që provoi të kthente të vdekurit duke ndrequr një orë të mbrapshtë në stacionin e trenit, të kthente të birin e tij të vdekur në luftë, do të ishte pishman ndoshta, pasi më lehtë është të shohësh një të moshuar se sa një fëmijë të largohet nga kjo botë.

Është një film i kompletuar me mjeshtër në secilin departament. Në aktrim kemi Brad Pitt e Cate Blanchett, dy nga emrat më të njohur e vlerësuar në Hollywood. Muzika vjen nga mjeshtri Alexandre Desplat, fotografia nga Claudio Miranda (i cili më pas do të bënte edhe Life of Pi), e regjia nga David Fincher. Skenari i bazuar në librin F. Scott Fitzgerlad adaptohet për film nga Eric Roth!

Kryevepër. Nota personale: 5/5

Borat: Subsequent Movie (2020) – Recensim

Njëzet vite pas shfrytëzimi të këngëve tona patriotike si kolonë zanore para intervistave të tija, Borat Sagdiyev duket sikur të ishte inspiruar nga një ngjarje e ngjashme politike e jona, për të trajtuar si temë të filmit pasues!

Para kolonës zanore në ‘Ali G Show’, historia e Sacha Baron Cohen me shqiptarët kishte nisur me karakterin e gazetarit shqiptar Kristo – paraardhës i Boratit!

Dy vite më parë, Sacha Baron Cohen me serinë ‘Who Is America’ bën ndoshta punën më të madhe të zhveshjes së racizmit, primitivizmit, dhe fashizmit modern amerikan.

Sacha Baron Cohen është në elementin e tij, i cili ka qenë i njëjti për njëzet vitet e fundit. Dhe është e thjeshtë, atyre që u ka pëlqyer kjo që ka bërë gjatë këtyre viteve, ky film do t’i bëjë ta duan edhe më shumë SBC-në. Ata që nuk kanë pëlqyer asgjë, s’do të ndryshojnë mendjen!

Kësaj radhe, Borati niset për të ndrequr marrëdhëniet e prishura me Amerikën, dhe për këtë detyrohet të merr një ministër nga qeveria, ndonëse e bija e tij dëshiron të shkojë me të. Borati, si një atdhedashës i vërtetë, zgjedh shtetin para familjes, dhe merr ministrin e kulturës – majmunin Çarli, para të bijës Tutar! Gjithashtu, ai paralajmërohet nga udhëheqësit e shërbimeve inteligjente që do të vritet nëse prish marrëdhëniet me Amerikën, dhe për të parandaluar këtë, ai duhet t’i dërgoj një dhuratë simbolike.

Fatkeqësisht, Kazakistani nuk ka liqene të paemëruara!

Borati – tashmë figurë e njohur globalisht, duhet të gjejë një mënyrë të fshehë identitetin e tij, ndonëse në pjesën jugore të SHBA-ve, kjo nuk duket të jetë aq e nevojshme! Pasi arrin në SHBA, ai pret ministrin e qeverisë së tij, i cili rrugës është ngrënë nga e bija, dhe nga aty, nis sfida e tij për mbijetesë!

Është një zotësi e veçantë që në të njëjtën kohë të ofendosh një kulturë dhe të lavdërosh atë në të njëjtën kohë. Padyshim që filmi mund të konsiderohet si pro-liberal, por nuk është ashtu siç pretendonin Joe Rogan me mikun e tij kontrovers pardje, sidomos për mbrojtjen e Rudy Giulianit. Nuk do ta quaja si pjesë e fushatës anti-republikane. Më shumë është një fushatë anti-raciste, anti-fashiste, e anti-primitive!

Pra, sado që mund të ju duket se ka mundur të inspirohej nga ngjarje të caktuara të politikës regjionale, është një qasje e gabuar dhe ndoshta ofenduese të bëhet një ndërlidhje e tillë.

Borati, provon të nxjerrë më të mirat e kulturës amerikane, e rrjedhimisht edhe ndihmon Kazakistanin, ani pse 14 vite më vonë! Dhe po ashtu, filmi duket të jetë realizuar gjatë pranverës e verës, pra, nuk ka kopjuar askënd Sacha Baron Cohen!!!!

Dhe, për të shfaqur filmin në publik, producentëve u duhet të kenë lejen nga të gjithë ata që janë në film. Pos disa fytyrave, në film nuk shohim askënd të turbulluar, që rrjedhimisht konfirmon aprovimin e të gjithëve për shfaqjen e filmit, aprovim që është marrë para incizimit të skenave, ose pas një shume të konsiderueshme parash!

Sigurisht, njerëzit preken, e ofendohen nga gjëra të ndryshme në internet, por, një film, e edhe më keq, një recensim si ky, nuk duhet të mbetet prezent në jetën e askujt më shumë se ata minutat të cilët kaloni me të. #dontletmugglesruinyourday

Bota është më e pasur për njerëz si Sacha Baron Cohen. Nota personale: 5/5

The Life of Emile Zola (1937)

Nëse jeni prej atyre që mbushni fjalëkryqe, pothuajse është e pamundur të mos keni dëgjuar për Emile Zola dhe veprën e tij ‘Nana’. Por, jeta e tij në fakt ka qenë pak më me rëndësi se sa vetëm për të plotësuar katër fusha fjalëkryqi.

Ky film, fitues i Oskarit për filmin më të mirë të vitit, sjell biografinë e tij nisur nga një shkrimtar i thjeshtë deri tek përfshirja e tij në aferën Dreyfus.

Afera Dreyfus ka qenë një skandal polik francez që ka zgjatur për 12 vite kur kapiteni Alfred Dreyfus nën akuzat për tradhti ishte dënuar me burg të përjetshëm në Guajanën Franceze. Dy vite më vonë, në vitin 1896 dalin disa fakte që nënvizojnë se procesi ka qenë i montuar derisa fajtori kryesor që ju ka shitur dokumente gjermanëve ende është pjesë e ushtrisë. Krejt kjo vonon edhe për nja dhjetë vite në një luftë të ftohtë ndërmjet shoqërisë civile dhe ushtrisë. Pjesa e kësaj lufte është edhe Emile Zola.

Filmi nis me jetën e thjeshtë të Zolas, i cili është një shkrimtar parimor që punon si nëpunës për bukën e gojës duke lënë mirëqenien e tij mënjanë. Pas botimit të veprës së parë, ai zhytet më thellë në jetën e shoqërisë franceze ku has në padrejtësitë ndaj të cilave nuk mund të mbetet i heshtur. Rrjedhimisht arrijmë deri tek afera e lartpërmendur që është edhe kulmi i jetës së Zolës edhe i filmit.

Paul Muni, i cili ka luajtur në rolin e Tony Camontes në Scarface të vitit 1932 vjen në rolin e Zolas me një aktrim të shkëlqyeshëm, që edhe i kishte sjellë nominimin për Oskar me këtë film. Marrë parasysh rrethanat, sidomos në fushën e makijazhit, ai arrin të gjallërojë rolin e Zolas në periudha të ndryshme të jetës së autorit. Nuk mbetet aspak mbrapa punës së Joseph Schildkraut i cili portretizon Alfred Dreyfusin, punë që i shpërblehet me Oskar.

Vlen të theksohet se, ndonëse një temë e gjerë shtjellohet, filmi arrin të mos devijojë dhe kap momentet kyçe, më të rëndësishme të temës në fjalë. Është një skenar goxha mirë i përpunuar i cili nuk përmend kombësinë e kapitenit Dreyfus, ani pse dihej që ishte çifut. Kjo ndodh pasi atëbotë, me ardhjen e nazistëve në fron në Gjermani, shumë filma me temë anti-semitizmin ishin ndaluar. Këtë fakt, filmi e sjellë si një mesazh i fshehur, por të cilin e kemi parasysh. Thjesht nuk guxohet të përmendet në publik për shkak të reagimeve, qartazi të pajustifikueshme.

Thellë në vete, ‘The Life of Emile Zola’ është një film që sjell një betejë të së drejtës ndaj tiranisë së disa personave në komandë, ndaj popullit të tyre. Është ndër filmat më të preferuar për mua nga lista e atyre që kanë fituar Oskar për filmin më të mirë. Nota personale: 5/5

1917 (2019) – Recensim

Më 6 prill të vitit 1917, derisa një regjiment britanik përgatitet për të sulmuar forcat gjermane që po tërhiqen, dy ushtarë ngarkohen me detyrën për të dërguar mesazhin që do të shpëtojë 1600 veta nga futja në kurth fatal.

Kështu përshkruhet tema e filmit, por nuk është e saktë, sidomos tek numri i ushtarëve që nisën në dërgesën e mesazhit. Nuk janë dy! Pos tetarit Bllejk, dhe tetarit Shofilld, jeni edhe ju, si ushtari i tretë në këtë rrugëtim, që ju ngarkon me fatin e 1600 vetave!

Sam Mendes, niset me idenë për të sjellë një ngjarje kaq të thellë, përplot tension, duke ndjekur dy lajmëtarët në çdo hap, me kamerën që lëviz rreth-e-rrotull, e cila në shumicën e rasteve luan rolin e ushtarit të tretë. Kjo mënyrë e regjisë sigurisht që nuk është diçka inovative. Së fundmi keni mundur ta shihni tek ‘Birdman’ i Inarritus. Por, tema që trajtohet tek ‘1917’ i shton tensionin dhe në vend të një fantazme e një roli të zakonshëm të shikuesit, këtu Sam Mendes ju vendos juve në rolin e ushtarit të tretë. E vetmja që ju ndan nga kjo është që karakteret nuk thyejnë murin e katërt për të folur me neve.

Derisa në rolet kryesore, me një aktrim të shkëlqyeshëm, vijnë dy aktorë pak të njohur për shumicën e fansave, Dean-Charles Chapman (Tomen i GoT) e George MacKay (Bodevan tek Captain Fantastic), në rolet dytësore kemi figura shumë më të njohura si Colin Firth, Benedict Cumberbatch, Andrew Scott, e Richard Madden. Ndonëse në pjesë minimale, në nivel me dy aktorët kryesor, aktrimi sado i mirë që është mbetet në plan të dytë pas përgatitjes teknike.

Puna madhështore e Sam Mendesit, lustrohet nga mjeshtri i fotografisë, Roger Deakins. Dhe ky kombinim sjellë njërin nga krijimet artistike më të mira jo vetëm të vitit. ‘1917’ i Sam Mendes futet në mesin e filmave më të mirë me temë luftën, ani pse është shumë herët për të definuar këtë. Padyshim filmi më së miri ii përgatitur i vitit 2019. Nota personale: 5/5

Rodman: For Better or Worse (2019) – 30For30

Dennis Rodman gjatë karrierës së tij ka bartur numrat 10, 91, 73, dhe 70, por jeta e tij ngjan më shumë në një numër 13!

Fituesi i pesë titujve të NBA, tre si pjesë e treshes ndër më të famshmet në histori të basketbollit, njëzetedy vite pas autobiografisë ‘I keq sa të dua unë’ vjen në episod të serisë së famshme të ESPN, 30For30. Dhe çfarë ardhje!

Rrëfimi nga regjisori fillestar, Todd Kapostasy, vjen në mënyrë lineare nga fëmijëria e Dennis, deri në ditët e sotme. Narracioni i Jamie Foxx, dhe të gjithë personat e gjallë e të vdekur me të cilët Dennis ka pasur lidhje të rëndësishme në jetën e tij private e personale sjellin versionin e tyre, i cili shpesh edhe kontestohet nga vet Dennis, apo e kundërta në raste!

Të gjithë e njohim si njeri kontrovers me tatuazhet, vathët, flokët, miqtë të çuditshëm, e mbi të gjitha problemet e tija në parket e jashtë tij. Secili detaj nga këta përmendet, por jo vetëm si një dëshmi për një ngjarje nga jeta e tij. Dokumentari shkon më thellë se ajo çfarë jep një media e rëndomtë – sjell edhe anën e lënë në prapaskenë nga mediat që dëshironin vetëm gumëzhinë e jo informata. Edhe atëherë, 30 vite para ‘fake-news’ e ‘clickbait’ në stilin e titujve bombastik të insportit!

Karriera e tij si basketbollist mund të duket se lihet mënjanë, duke u përqendruar në jetën private të tij që nga fëmijëria, pikat e suksesit e çmendinës, armiqtë në miqtë më të mëdhenj, dhe rrëfimet e këtyre të fundit. E shumica prej tyre e kanë një fjali ‘Nuk jam psikolog apo i licencuar për këtë, por…

Pas kësaj ‘por mund të gjejmë ndoshta edhe arsyen në krejt çmenduritë e Dennis Rodman dhe jetës së tij. Por, assesi s’mund të lëmë anash karrierën e tij të jashtëzakonshme si një basketbollit i veçantë. Kjo vlen sidomos për ata që nuk kanë parë, nuk e kanë arritur periudhën e tij prej basketbollisti. Mos të habiteni e ta merrni si vetëm si një yll shoubizi. Rodman ka qenë e ende është njëri ndër njerëzit më kontrovers që ka luajtur basketboll. Është njëri ndër basketbollistët që ka ndryshuar basketbollin në kulturën e shoubizit, edhe vet këtë industri. Për të mirë a të keq?

Dokumentar i detajuar, sjell në hollësi gjithçka që dikush do të dëshironte të dinte për Dennis Rodman, për jetën e tij. Një jetë e turbullt me oscilime ekstreme, tipike për dikë të lindur me datën 13 maj! Nota personale: 5/5

Falling Inn Love (2019) – Recensim

A ju ka ndodhë, edhe pse nuk keni aplikuar asnjëherë, të ju njoftojnë që jeni fitues fatlum i ‘greencard’? Po? Pa u regjistruar fare? Të gjithëve që nuk kanë adblock ju ka ndodhur, ose shfletuesin Brave!

Diçka e ngjashme i ka ndodhur edhe Gabrielas, por për dallim prej të gjithëve të përmendur më lart, kjo është regjistruar për të fituar një han në Zelandën e Re ku ka më shumë dele se njerëz. Fakti tjetër që e dini për Zelandën e Re është që LOTR janë xhiruar aty.

Christina Milian, të cilën mund ta kujtoni nga hit-kënga e viteve të para të pasluftës ‘AM to PM,’ vjen në rolin kryesor të Gabrielës e cila pasi pushohet nga puna dhe heq dorë nga një lidhje që nuk po shkon kërkah (sikur ne, banorët e vendit më të izoluar në Evropë) vendos të pranojë ofertën dhe të zhvendoset në Zelandë të Re.

Asgjë nuk shkon sipas planit, duke nisur nga hani i cili është një ndërtesë gati e rrënuar. Aty vendos të nis riparimet që të marrë qiranë në Amerikë, por mahnitet nga mikpritja dhe miqësia e vendasve, duke thumbuar kulturën amerikane edhe në mënyra tjera përgjatë gjithë filmit. Dhe në mesin e shumë mikpritësve është edhe një vendas i cili i prish nervat, por sikur në të gjitha komeditë romantike, të gjithë e dimë se si do të përfundojnë gjërat. Nejse, gati si zakonisht.

Përkundër që duket, dhe në masë të madhe është një komedi romantike klishe, ka diçka më ndryshe, që e bën të pëlqyeshme për masat. Filma të thjeshtë si ky, komedi romantike ju nevojiten të gjithëve pas një dhune psikike disa javore të mesazheve (lexo premtimeve boshe) politike.

Skenar i mirë, fotografi e shkëlqyeshme, aktrim në nivel, por ndoshta film pak më i gjatë se që do të duhej. Nota personale për ‘Falling Inn Love’: 3/5

« Older posts

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑