de-niro-red-lights Red Lights

IMDB Rejtingu: 6.2

Premiera e shfaqjes: 13 korrik 2012

Kohëzgjatja: 113 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës dhe pak dhunë

Zhanri: Dramë, Triler, Horror

Regjia: Rodrigo Cortes

Skenari: Rodrigo Cortes

Aktrojnë: Cillian Murphy, Elizabeth Olsen, Robert De Niro, Sigourney Weaver

Shtëpia filmike: Millennium Entertainment

Nuk jam fans i filmave horror. Megjithatë traileri, tema, dhe kasti i aktorëve më joshën të shoh këtë film. Fundi më ka dëshpëruar paksa pasi prisja diçka të jashtëzakonshme në temën e filmit, ndonjë teori të re, derisa mua më doli diçka krejt e papritur, dëshpëruese. E vërtetë që ngjarja gjatë pjesës më të madhe të filmit të shpien në një drejtim duke ofruar diçka krejt të kundërt dhe të papritur në fund. Është një zotësi e regjisorit dhe skenaristit kjo, i cili bën një punë të mirë në përpunimin e filmit. Shumica e skenave kanë një ngjyrë që përshtatet me temën e filmit. Është një realizim i shkëlqyeshëm i këtij zhanri, megjithatë nuk është një horror i fortë dhe mund të dëshpëroj edhe fansat e horrorit të ‘krisur’. Më shumë anon kah horrori mbinatyror se sa horrori vrasës.

Dy fizikantë/shkencëtarë vëzhgojnë ngjarjet paranormale me një sy kritik/shkencor. Për disa vite ekspertize të Dr. Margaret Matheson (Sigourney Weaver), dhe asistentit të saj të ri Tom Baklli (Cillian Murphy), ata kanë arritur në përfundime interesante që mohojnë ekzistencën e dukurive paranormale duke zbuluar mashtrues të ndryshëm që pretendojnë se kanë aftësi të tilla. Për shumë vite përvojë ata kanë arritur të zënë një numër të madh mashtruesish, por, kanë dështuar vetëm tek njëri. I pensionuar shumë kohë më parë, ai papritmas vendos të kthehet në skenë. Derisa Tom e sheh si rast që më në fund ta kapin në skenë, Dr. Matheson refuzon në maksimum për shkak të përvojës së mëhershme që ka pasur në tentim për të kapur atë. Shumica e ‘gjahtarëve’ të tij kanë vdekur në rrethana misterioze. Por, fundi zbulon diçka më shumë se që pritej nga vet karakteret, diçka sa të pakëndshme aq edhe intriguese.

Kasti i aktorëve është i shumëngjyrshëm dhe mirë i zgjedhur. Cillian Murphy njihet për filma triler, horror, ndërsa rolin e tij në Red Lights e realizon me shumë përpikëri. Ndryshimet që pëson karakteri i tij gjatë tërë filmit portretizohen aq bukur sa nuk mund të vëreni ndonjë mungesë apo ‘vrimë’ në aktrimin e tij. Thjesht bën punë të shkëlqyeshme, sidomos në pjesën e fundit, finalen e filmit.

Për Robert De Niro e Sigourney Weaver nuk ka shumë të flitet. Bëmat e tyre në industrinë e filmit janë të njohur për fansat më të ‘ultë’ të filmit. Të dy bëjnë një punë të shkëlqyeshme duke mos kursyer aftësitë e tyre superiore të aktrimit, edhe pse nuk nevojiten shumë gjatë këtij filmi. E Lizzie Olsen është njëra nga aktoret që shumë shpejt po zë vend në kinematografi si njëra ndër yjet e ardhshme të Hollywoodit.

Është një kast i shkëlqyeshëm që bën një punë të të njëjtit nivel me aftësitë e tyre nën udhëheqje të ngjashme të Rodrigo Cortes.