Lufta është një lojë e panevojshme e të mëdhenjve që lë shumë pasoja tek të vegjlit.
Një shembull i përkryer për këtë është filmi i Michael Cimino-s, ‘The Deer Hunter’, i cili është vetëm njëri në mesin e shumë filmave gjatë periudhave të ndryshme që kritikojnë qasjen agresive të SHBA-ve në shumë konflikte gjatë Luftës së Ftohtë.
Është një armë shtesë në luftën e artit kundër luftës së njëmendtë.
The Deer Hunter sigurisht që identifikohet me skenën e ruletit rus, që mbetet njëra ndër skenat më të mëdha si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë artistik, e emocional, në historinë e kinematografisë, jo vetëm këtij filmi.
Më thellë, këtë skenë mund ta ndërlidhmi me vet definicionin e luftës, të përmendur në krye të tekstit. Lufta është një lojë sikur ‘ruleti rus’, e panevojshme dhe me pasoja bizare.
Majkëll, Niki, dhe Stivën janë tre djem nga një qytet i vogël industrial në shtetin e Pensilvanisë. Jeta e tyre është ‘normale’ deri kur vendosin të bashkohen në luftën e Vietnamit. Pak para luftës së Vietnamit, ata shkojnë në gjah drerësh, e më pas edhe në një dasmë. Këtu mbaron jeta e tyre e zakonshme.
Skena e dasmës, është aq e ngarkuar në aspektin emocional sa që duket sikur një zenit, pas së cilës ngjarje gjithçka do të shkojë teposhtë.
Filmin do ta ndaja në dy pjesë – skena e dasmës, dhe skena e ruletit rus, për të cilin nuk dëshiroj të shkruaj shumë që të ju privoj nga përjetimi origjinal që do të ngelet padyshim në kujtesën tuaj për aq kohë sa ajo është funksionale!
Pjesa pas këtyre dy skenave, sjellë një krahasim të dy anëve të jetës dhe ndikimin që ka kjo e fundit në jetën e disa njerëzve të rëndomtë amerikan, të cilët marrin një mision të cilin nuk e kuptojnë qartazi, ashtu si nuk do të mund të kuptojnë jetën e së kaluarës.
‘The Deer Hunter’ është më shumë se film. Është një pasqyrë e një forme të jetës, dhe ndryshimet gjigante që sjellin vendimet e imta. Nota personale: 5/5