Në fund të ditës, emri i dikujt gdhendet në mesin e 12 muajve të vitit, e i dikujt harrohet në mesin e 117 miliard njerëzve që supozohet të kenë marrë frymë në planetin Tokë që nga viti 190 mijë p.e.s.

Emri i Jul Cezarit është muaji i shtatë i vitit, derisa emrat e mijëra ushtarëve që kanë rënë për këtë famë të mbretit të tyre, janë zhdukur.

Te seria ‘Rome’, që për mua është ndër portretizimet më të mira të Perandorisë Romake dhe disa prej ngjarjeve kryesore të kësaj periudhe, kemi një qasje që favorizon edhe ata ‘të zhdukurit’.

Lucius Vorenus dhe Titus Pullo janë dy emra të parëndësishëm në historinë romake, ndoshta edhe fiktiv, që kanë jetuar në ditët e fundit të Republikës së Romës.

Seria fillon me luftën e Cezarit në Gali derisa Pompei merret me Romën. Derisa udhëheqësit e Romës merren me pasojat e një tragjedie që mund të dëmtojë miqësinë e Cezarit dhe Pompeit, dalëngadalë rrëshqasim në jetën e ‘kotë’ të qytetarëve romakë, aty ku do të takojmë jo vetëm Luciusin e Titusin, dy persona me qasje të ndryshme ndaj jetës dhe pushtetarëve.

Janë këta dy, dhe rrethanat e ngjarjet që i shoqërojnë që e bëjnë këtë seri ndër më të veçantat e kësaj periudhe. Jeta e tyre mbetet në plan të parë, derisa Cezari, Oktaviani, Augusti, bien në plan të dytë qysh në episodin e parë.

Kevin McKidd (Dr. Owen te Grey’s Anatomy), e Ray Stevenson (Ohthere te Vikings) janë në dy rolet kryesore, të cilët përshtatet mrekullueshëm me rolet e tyre si dy karaktere të kundërta. Janë arsyet kryesore pse kjo seri ka arritur namin në atë kohë, ndonëse 15 vite më vonë mund të shihet si e harruar.

Për të gjithë të pasionuarit e historisë, është ndër aventurat më të mira në njërën nga periudhat më të njohura në historinë e njerëzimit. Ka një realizim teknik të mahnitshëm, skenar të shtrirë përshtatshëm për dy sezonet sa zgjatë, dhe një aktrim goxha të mirë. Nota personale: 5/5