Seinfeld është tani në Netflix!

Bashkë me komeditë tjera si ‘The Big Bang Theory’ e ‘Modern Family’, provon të mbulojë mungesën e komedive tjera më të njohura tek ne si ‘Friends’ e ‘The Office’. Ndonëse me “trakë të qeshurash”, Seinfeld përshtatet më shumë me fansat e The Office e Modern Family, se sa për ata që Friends e konsiderojnë komedinë më të mirë ndonjëherë.

Karakteri kryesor, Jerry Seinfeld është një komik që provon të bëjë stand-up komedi në qytetin e Nju Jorkut.

Shoku i tij më i mirë është një qel, George Costanza, i cili urren gjithçka, ka mendjen më të madhe se sa fijet e flokut, provon të mashtrojë një dynja, dhe mendon që gjithçka në univers shkon kundër tij. Një qel atipik. Dhe arsyeja kryesore pse kjo seri mund të ju plasë nervat, sidomos në sezonet e fundit.

Shoqja më e mirë e Seinfeld, Elaine Benes, punon në biznesin e librave, derisa i ka të njëjtat vuajtje sikur George, veçse është e kundërta e tij! Po, e di çka thashë!

Komshiu i parë i Seinfeld është Cosmo Kramer, arsyeja kryesore pse do të çmendeni pas kësaj komedie! Cosmo është një mishërim i të treve, porse më pozitiv. Është një njeri që nuk e merr jetën seriozisht deri në pikë bizare ku bën gjithçka që një njeri normal nuk do të bënte. Ka ide të çmendura, e veprime edhe më të çmendura.

Ky është grupi prej katër karaktereve kryesore, të vetëdijshëm për të metat e njëri-tjetrit, me të cilat shpesh edhe bëjnë shaka e ankohen, por kryesisht i përqafojnë derisa lënë nevojat e planet e tyre në sfond.

Secili episod sjellë një problem të ri, aktual për ‘90tat, trendet e asaj dekade, e yada, yada, yada

Janë edhe disa karaktere dytësore që përfshihen nëpër sezone si të dashurat e Seinfeld, të dashurit e Elaine, hejterat e George, prindërit e Seinfeld, dhe të mjerët, prindërit e George, e që janë dy karakteret nga më të mirat në seri.

Dhe pastaj është Njumën

Ka shumëçka që do të ju shkojë nerva si pjesët hyrëse dhe dalëse të shumicës së episodeve ku na shfaqen pjesë nga profesioni i karakterit të Seinfeld në seri si komik stand-up, e tana të zezat e George. Por pastaj kemi edhe aktrimin gjenial të Michael Richards, që ka bërë Kramer njërin prej karaktereve më të dashura për mua në televizion.

Por, aktrimi megjithatë nuk ia kalon shkrimit të serisë. E aty kontribuon Larry David, qeli më i mirë në televizion, një qel shembullor, i cili bashkë me Jerry Seinfeld kanë krijuar këtë seri, dhe kanë shkruar shumicën e episodeve.

Seinfeld është komedi monumentale, ikonë televizive.

Disa e vlerësojnë shumë lartë, disa e injorojnë mu për këtë arsye.

Duhet ta shikoni medoemos!

Dhe mbi të gjitha, mendoj që finalja e serisë ka qenë e përkryer! Nuk shoh të ketë pasur ndonjë finale më të mirë.

“Seinfeld now, serenity later!”