Është një version “lo-fi” i introsë së The Office, të cilën mund ta dëgjoj edhe më gjatë se maksimumi prej 10 orëve që ofrohet në YouTube, në intron origjinale të The Office.
Larg njërës nga komedisë më të mira ndonjëherë, qëndron seria, por jo edhe intro e “Yesilçam”!
Me temën që trajton skenën filmike të Turqisë së viteve 1960ta, të njohur si periudha e “Yesilçam”-it, kjo seri prej 10 episodeve ka gjithçka që e bën më ndryshe nga seritë e zakonshme turke.
Njëkohësisht, ka edhe ato temat emocionale, me temë familjen e romancën, marifetet e këqija biznesore, por të gjitha me një ngjyrë më ekstreme se sa seritë e zakonshme turke që i shohim nëpër televizionet tona!
Më kryesorja, nuk na pikëllon, sa na inatos ndoshta!
Semih Atesh është producent i filmit, i cili tradhtohet nga partneri i tij biznesor, duke qenë i detyruar të hapë një studio filmike me kunatin e tij, derisa provon të mbijetojë ekonomikisht dhe të gjejë yllin e ri të filmave që do të zëvendësojë Mine Xhansu-në, ish gruan e tij!
Në këtë rrugëtim prej dhjetë episodeve, Semih do të takojë edhe Reha-në, një turk që është kthyer nga Evropa, me fetishe të frikshme, që dëshiron t’i futet jetës politike, njëkohësisht duke përdorur filmin si mjet për të arritur këtë.
Mund të hedhim disa paralele me të përditshmen mediale tonën, dhe s’do ta tepronim, së paku me këtë pjesën e propagandës, derisa ajo private është ashtu siç duhet të mbetet, private!
Në rolin kryesor të Semihut vjen Çagatay Ulusoy, derisa Afra Saraçoglu (Fazilet Hanim Kizlari), vjen në rolin e Tylin, e cila provon me anë të garave të bukurisë të gjejë veten në film. Selin Sekerci (Kizim) vjen në rolin e Mines, derisa karakteret dytësore vijnë e dalin nga sezoni i parë!
Fotografia dhe skenari janë ndër më të mirët që kam parë nga seritë turke! Dramë periodike me temë filmin, politiken, shoqërinë, përndjekjen greke, e në përgjithësi Turqinë e viteve 1960, është një risi në seritë turke, që më shumë nxjerrë në pah anët negative të një shoqërie, se sa rrëfime gati mitologjike për shekuj më parë! Për këto arsye është një freski e këndshme që nuk bën ta humbisni. Nota personale: 5/5
E gjeni në BluTV – SVOD&OTT shërbim turk, krejt legal, me sezonin e dytë që ka filluar këtë javë