Karakteret e DC Universe gjithmonë kanë pasur një botë më të zymtë, një botë më reale se sa ato të Marvel, të cilët janë më shumë për fëmijë!

Tek Shazam! kemi një karakter më të hareshëm, më të lehtë, me një super-hero që në të vërtetë është një fëmijë si me trup si me mendje në realitet. S’dua të hedh paralele tjera me Marvel pos atë që e përmenda më lart, por nëse duhet të zgjedhim ndërmjet Spider-Man (jo Multi-Verse) dhe Shazam! për shkak të moshës së karakterit, atëherë Shazaaaam!

Zachary Levi ka pasur një karakter më human tek seria Chuck nëse e mbani ende në mend. Por, rikthimi i tij i madh në fakt ka filluar me sezonin e dytë të The Marvelous Mrs Maisel (ende nuk ia fal skenaristëve fundin e sezonit të dytë!). Që nuk ka humbur magjinë e tij, e shohim tek Shazam! Nuk besoj që mund të kemi pasur një aktor më të përshtatshëm për këtë rol, prandaj një notë pozitive shkon për kastingun.

Për ata që nuk e dinë, Shazam është një koleksion fuqishëm që lidhen në emrin e tij: S- mençuria e Solomonit; H-fuqia e Herkulit; A- qëndresa e Atlas; Z- energjia e Zeusit. Që të gjitha e bëjnë një super-hero që rritet kur fton fuqitë e tija.

Filmi është i mbushur me skena befasie ku vet heroi ynë zbulon fuqitë e tija duke qenë po aq i befasuar sa edhe shikuesi. Përkundër zymtësisë që përmban në vete historia, filmi në shumë raste dominohet nga nuanca komike, gjithmonë duke e ruajtur atmosferën e DC.

Regjia e skenari, ngjashëm si pjesa më e madhe e aktorëve janë emra pak të njohur, por që bëjnë një punë goxha të mirë. Si shumica e filmave të DC, nuk mund ta konsiderojmë një senzacion komercial, dhe arsyeja është përmendur qysh në fillim të këtij recensimi. Por në aspektin artistik, arrin të ruaj kufijtë e origjinalëve të DC. Nota personale: 4/5