Gjatë viteve të fundit, nga çfarë më kujtohet tash, janë vetëm dy tituj që do t’i veçoja që mund të kthehen në klasik festash, filma që do të vazhdoje t’i shikoje çdo fundvit – Last Christmas me Khaleesin, dhe Klaus, filmi i animuar i Netflix
Që të dy sjellin një temë të veçantë që i dallon nga filmat tjerë.
E nga filmat tjerë sigurisht që të dy vazhdimet e Daddy’s Home për mua janë goxha të kënaqshëm, ani pse vetëm i dyti ka të bëjë me festat e fundvitit.
Sean Anders
Ajo çfarë i bën të dy vazhdimet e Daddy’s Home (shpresoj të kemi të tretin) është regjisori Sean Anders. Së fundmi, pas ‘prishjes’ së raporteve me Adam McKay, Will Ferrell ka gjetur një regjisor që e nxjerrë më të mirë nga ai.
Dhe kjo ndodhë te Spirited, ku tema kryesore është e bazuar në veprën e famshme të Charles Dickens ku karakter i Will Ferrell është pjesë e fantazmave që do t’i japin mësime jete karakterit të Ryan Reynolds. E të dy këta këndojnë në një formë muzikali që i jep bukurinë këtij filmi.
Por, si zakonisht, edhe ky film tenton të freskon historinë me diçka të re, dhe Spirited ia del goxha mirë, sidomos me pjesën finale të filmit. Kjo është ajo pjesa që e bën të veçantë, dhe mbase do mbetet si klasik që do t’i kthehemi edhe vitin e ardhshëm, njashtu siç bëjmë me tituj tjerë si Elf apo Just Friends.
Will Ferrell e Ryan Reynolds
Will Ferrell i ka disa nga komeditë ma të mira të bëra gjatë dy dekadave të fundit. Ndër kryeveprat e tij mbetet Elf, që vazhdon të jetë një klasik i festave të fundvitit. Një tjetër film i dashur për mua, por pak i lënë mënjanë është Just Friends i Ryan Reynolds.
Është një komedi romantike si asnjë tjetër që arrin të gërshetojë komedinë deri në kufirin e fundit, për ta ngjyrosur me një romancë të karaktereve të papërkryera.
Të dy këta, Will Ferrell e Ryan Reynolds sjellin këtë përvojë në një film fantastik që mund të them është ndër titujt më të mirë në vite me temë festat e fundvitit. Nota personale: 5/5