Në dokumentarin e BBC-së, Simon Sebag Montefiore zbulon historinë e një qyteti të vetëm me tri identitete – Stambollit.
I ndarë në tri episode, kjo seri dokumentare me tri orë në total, sjell historinë e qytetit të Stambollit të ndarë në tri periudha të sunduara nga tri prej perandorive më të mëdha që njeh njerëzimi – Romakët, Bizanti, dhe Otomanët.
Simon Montefiore, njëri nga autorët televiziv me njohuritë më të mëdha për Lindjen e Afërt, e nis rrëfimin e Stambollit nga kohët e Greqisë Antike, kur në fakt ishin vendet me ne jug e lindje të Azisë së Vogël në qendër të civilizimit. E nga kjo periudhë na mbetet vetëm emri i Bizantit, që megjithatë dyshohet se ka prejardhje ilire (mos i kallëzoni Fahriut, aman).
Të gjithë e dimë që historia e Bizantit nis me zhvendosjen e Kostandinit, i cili ndoqi ëndrrën e tij tek Kostandinopoja. Dhe sigurisht që pjesa më e madhe e dy episodeve të para zhvillohet rreth historisë së Konstandinit të Madh, dhe lindjes së qytetit dhe rrjedhimisht perandorisë së re, e besimit të ri.
Derisa episodi i dytë me mençuri shërben si një urë lidhëse ndërmjet Bizantit dhe Osmanëve, i treti përqendrohet vetëm tek këta të fundit.
Derisa Simoni viziton lokacione të ndryshme të Stambollit, ai na shpien edhe në pjesët më të errëta të historisë së sulltanëve, për të përfunduar deri tek rënia e perandorisë Osmane.
Autori bën një përmbledhje të shkëlqyeshme të një historie të madhe e cila është e pamundur të rrëfehet në vetëm tri orë. Megjithatë, ngjarjet e faktet kryesore, shkëlqehen edhe me disa më pak të njohura, të cilat në fakt i japin një shije e rëndësi të veçantë kësaj serie.
Nëse dëshironi një histori të një qyteti të vetëm, ndoshta më të rëndësishmit në Erën Tonë, rëndësinë që kishte pasur për tri nga perandoritë më të mëdha, dhe atë vetëm në tri orë, atëherë ky është dokumentari më i mirë që do të mund të gjeni. Nota personale: 5/5