Will Ferrell. Rachel McAdams. Islanda.
Tri fjalë të mjaftueshme për të shikuar këtë film, i cili do të ju ofrojë rreth dy orë argëtim të shkëlqyeshëm në këto kohë pandemie.
Will Ferrell, njëri ndër aktorët komik më të dashur për mua, vjen në rolin e Lars, i cili me bashkëfshataren e tij Sigrit – Rachel McAdams janë yjet muzikore të Husavikut. Ëndrra e Lars është e thjeshtë – të fitojë Eurovisionin.
Krejt pahiri, ata marrin ftesën për garën kualifikuese kombëtare për Eurovision, dhe nga aty nis aventura e bendit Fire Saga dhe e jona.
Harmonia skenike e Ferrell dhe McAdams është e këndshme. Që të dy përqafojnë karakteret e veta të çuditshme, duke gjetur përshtatje të rrjedhshme me njëri-tjetrin në skenë. Në mesin e dy të çuditshmeve, sigurisht që Sigrit është më e mençur se gjithçka që mund të aktrojë Ferrell.
Në bashkëpunim me EBU-në, filmi na sjellë disa nga yjet më të njohura të Eurovisionit të viteve të fundit, pa harruar edhe disa nga hitet më të popullarizuara në histori të kësaj gare, nisur nga ABBA legjendare. Është një ode e kënaqshme për këtë ngjarje, të cilën personalisht e kam harruar viteve të fundit, marrë parasysh devijimin nga një ngjarje artistike në një protestë politike.
Ky film, përmbledh më të mirat e Eurovision, në një tregim pak më serioz se shumica me Will Ferrell, mbushur me ngjarje komike e qesharake, të cilat prekin kufirin e normalitetit.
Pierce Brosnan vjen në rolin e babait shpërfillës të Larsit, dhe njëkohësisht Kazanovës së Husavikut duke bërë që në çdo pyetje për Lars e Sigrit ‘a jeni vëlla e motër?’ njëri përgjigjet me ‘jo’ tjetri me ‘ndoshta’. Dan Stevens, Legjioni i famshëm nga super-seria e FX, vjen në rolin e një superylli rus, shoqëruar nga yje tjera të Eurovisionit si Alexander Rybak e Loren, si dhe Demi Lovato.
Një super-komedi e cila ofron krejt ato çfarë mund të pritet nga ky film. Fotografi të bukur, linja qesharake – këndoje ja ja ding dong, aktrim e skenar të mirë. Nota personale: 5/5