Melissa McCarthy është e mrekullueshme në Mike&Molly. Harmonia në skenë me Billy Gardell e bën këtë serial të mrekullueshëm. Kjo harmoni mungon në pothuajse çdo film, së paku në ata që kam parë, të Melissa McCarthy.
Tammy është dështimi i radhës si komedi e McCarthyt. Angazhimi i Ben Falcone në regji dhe skenar të cilin e ka përgatitur së bashku me gruan e tij McCarthyn, e bën këtë film një projekt familjar që ishte prirë për dështim që nga fillimi. Jo vetëm pse është familjar, por sepse Falcone debuton në këtë zeje. Por, as regjia më e mirë nuk do të kishte shpëtuar këtë film. Skenari po. Ndoshta.
Kasti i aktorëve është i shkëlqyeshëm. Pos Melissa McCarthyt, kemi edhe Susan Sarandon, Kathy Bates e Allison Janney. Aty është edhe Sandra Oh që më shumë njihet për role jo shumë komedie (Grey’s Anatomy më). Në përpikëri me skenarin, në filmin në përgjithësi është edhe aktrimi i tyre. Më shumë ngjan në një projekt argëtues, një largim nga aktrimi serioz, dhe duket se kalojnë çaste të mira para kamerës në këtë film.
Vet filmi është një komedi torturuese fund e krye. Tammy (Melissa McCarthy) pasi kap burrin duke e tradhtuar vendos të ndryshoj jetën duke lënë punën dhe u nisur në një rrugëtim (temë bajate, shumë herë e elaboruar). Në këtë rrugëtim merr gjyshen e saj (Susan Sarandon) e cila është një alkoolike në rehabilitim. Ato takojnë dy meshkuj. Derisa pleqtë ia nisin ‘punës’, të rinjtë provojnë romancën – këtu është pjesa tjetër bajate. Pastaj takojnë karakterin e Kathy Bates dhe Sandra Oh, kanë një aheng të çmendur, gjërat shkojnë keq, jo për herë të parë, fundi është i lumtur për të gjithë. Bllah, bllah… bllah, bllah.
McCarthy dhe Sarandon kanë harmoni skenike shumë më të mirë tek ky sezoni i fundit i Mike&Molly. Në fakt Sarandon duket se së fundmi ka vendosur vetëm të shijoj aktrimin me kësisoj role të lehta, argëtuese për aktorët.
Melissa McCarthy është e shkëlqyeshme kur kamera nuk është gjithnjë para saj. Është e mrekullueshme për role dytësore (Bridesmaids dhe të gjitha serialet që ka bërë), por kësisoj projekte janë dështim. E më e keqja është që së bashku me të burrin, Ben Falconen tashmë kanë nisur projektin Michelle Darnell që vjen më 2016.
Por, filma si Tammy janë humbje kohe edhe pse nuk zgjat shumë, rreth 97 minuta. Nota personale 2/5 dhe atë kryesisht për shkak të kastit që ka. Fundi… mund të villni… seriozisht…
You must be logged in to post a comment.