Për dallim prej filmave që trajtojnë jetën e pasluftës të ushtarëve amerikan që janë me shumicë, filmat e Martin Scorseses që nuk kalojnë 2 orë janë pothuajse nonekzistent.

Travis Bikëll është një veteran i luftës së Vietnamit, i cili punon si taksist gjatë natës për shkak të pagjumësisë, derisa kalon ditën duke shikuar filma për të rritur nëpër kinema, derisa urren botën dhe pozitën në të cilën ka rrëshqitur shoqëria.

Dhe kur bota, për të cilën ke luftuar duke rrezikuar edhe jetën, nuk shkon ashtu siç mendon ti që është më e mira, ti provon të gjesh një pikë pozitive në tërë atë ferr. Për Travisin, është një vullnetare në një parti politike (të cilët i kemi me shumicë kohëve të fundit këtu në FB). Por, ajo që do të ketë ndikim më të madh në jetën e tij është një e mitur e ngujuar në një botë të fëlliqtë në sytë e Travisit.

Robert De Niro sjellë karakterin e Travisit në rolin e një profeti i cili në mënyrën e tij, ashtu siç di, provon të rregullojë botën e prishur përreth tij. Është një mision hezitues për të, bota e së cilit nuk duket të jetë aq normale dhe e drejtë për të vetmen pjesë pozitive të jetës së tij, vullnetaren politike të senatorit Pallantajn, Betsin.

Aktrimi i De Niros është fenomenal, por në plan të dytë nuk guxojnë të ngujohen as treshja e karaktereve dytësore. Cybill Shepherd në rolin e Betsit është fytyra e pjesës së parë, për tu zëvendësuar me Jodie Foster në rolin e Ajris, e cila na bën të harrojmë karakterin e Betsit, për shkak të hapësirës dhe rolit që ka Ajris. Më pak hapësirë ka Albert Brooks, por ka momente ku shfaq zotësinë e tij prej një aktori.

Martin Scorsese bën një punë të veçantë në regjinë e këtij filmi, duke kapur disa nga skenat që mbeten të paharrueshme me një sy të vërtetë artisti. Besoj që për aspiruesit në film-bërje ka shumëçka për të nxjerrë nga ky film. Për neve tjerëve, shumëçka për të mësuar, ndonëse jo aq shumë për të shijuar e kënaqur. Nota personale: 4/5