Tregimi i një nëne tej-mbrojtëse për të bijën e saj, i shpërblyer me pesë Oskar është njëri nga filmat më të pikëllues që ka fituar Oskar për filmin më të mirë. Edhe katër shpërblime e gjashtë nominime përkrah filmit më të mirë i kanë takuar filmit Terms of Endearment në ceremoninë e vitit 1984.

Aurora është një njeri i çuditshëm. Pos që është tepër-mbrojtëse për të bijën, ajo nuk arrin të lidhet me asnjë burrë që nga vdekja e babait të Emmas. E rritur tashmë, Emmas i pengon pozita që ka e ëma ndaj saj. Në shenjë revolte deri në një masë ajo takon Flapin me të cilin nis një jetë bashkëshortore pa menduar gjatë. Ndërkohë Aurora për herë të parë mbetet larg të bijës duke mos pasur ku të dërgoj tërë kujdesin që ka pasur ndaj saj.

Të dyja fillojnë jetët e tyre në paralele, dhe atë me kah të kundërt. Derisa Aurora nis të shpërthej murin ndaj gjinisë tjetër, kryesisht falë komshiut astronaut, Garretit; Emma dhe familja e saj niset në drejtim të kundër me largimin nga qyteti i Aurorës. Nga këtej është një tregim i zymtë, i bazuar në romanin e Larry McMutry i kthyer në skenar nga James L. Brooks i cili ka bërë edhe regjinë e filmit. Për të dyja është shpërblyer me Oskar, derisa dy të tjerët i kanë shkuar Shirley MacLaine për rolin e Aurorës, dhe Jack Nicholson për rolin e Garretit.

Të dy kanë bërë punë të shkëlqyeshme, edhe pse Nicholson nuk ka pasur shumë hapësirë para kamerës. Mëkat është që akademia ka vendosur Debra Winger në kategorinë për rolin kryesor, kundrejt MacLaine pasi që të dyja, në mos më shumë Winger ka merituar Oskar për atë aktrim të shkëlqyeshëm që bën. Pa dashur të prish filmin, janë disa skena të cilët thjesht i kap dhe i pikturon me art aktrimi Winger, në pjesën e dytë të filmit. Në anën tjetër, larg nuk mbetet as MacLaine. Thjesht mund të konkludoj që ka qenë aktrimi më i mirë nënë-bijë në ekran nga filmat që kam parë. Njëri ndër më të mirët. John Lithgow ishte nominuar për Oskar. Aktrimi i tij ka qenë i bukur për atë kohë sa ka kaluar në film. Si stili i tij më! Jeff Daniels nuk më ka pëlqyer, më shumë për shkak të karakterit të tij se sa për shkak të aktrimit. Fëmijët e Emmas dhe Flapit janë tepër të lezetshëm përgjatë gjithë filmit.

Në përgjithësi është një kast mirë i mbledhur që sjell një film me temë goxha pikëlluese në ekranin e madh, vepër që meriton çdo shpërblim që ka marr. Nota personale: 4/5