Pasi na tregon për punën e tij, ku është njëri nga 32 mijë punëtorët, orarin, lokacionin, C.C. Baxter, na tregon që për apartamentin e tij tani paguan 85 dollarë në muaj, 5 dollarë më shumë se që paguante deri në korrik kur zonja Lieberman kishte instaluar një kondicioner ajri të dorës së dytë. Por, ai s’mund ta shfrytëzojë apartamentin e tij kur dëshiron për një arsye të pazakontë.

Për tu ngjitur në pozitë, kur je në mesin e 32 mijë punëtorëve, duhet të bëhesh shok me njerëz në pozitë, tu bësh të mira, tu lëshosh apartamentin për konsumimin e aferave të tyre jashtëmartesore. Këtë e bën C.C. Baxter, i cili portretizohet nga John Lemmon.

Derisa mund të bëhet një karakter që na shkon nerva për pjesën më të madhe të filmit, për shkak të gjitha këtyre lëshimeve që bën, njëkohësisht bëhet i dashur për neve, marrë parasysh që është një skllav modern i kapitalizmit të viteve 1960ta.

Kështu mund ta përkufizojmë edhe këtë film, njërin ndër më të mirët e Billy Wilder, si një kritikë ndaj jetës së atyre kohëve, të cilat dekadën e kaluar ishin ringjallur me anë të ‘Mad Men’. Veçse, në ‘The Apartment’ Don Drejpër është antagonisti i temës – Fred MacMurray.

Ajo çfarë i jep shije këtij filmi, dhe e bën ndër më të mirët në historinë e kinematografisë është lidhja e karaktereve të John Lemmon e Shirley MacLaine, harmonia skenike e të cilëve na kënaq për çdo moment që kemi të dy në të njëjtën skenë, duke biseduar.

Kemi një bisedë prekëse, një dialog që na ‘këput’ zemrat, duke na afruar përfundimisht me karakterin e C.C. Baxter, i cili do të duhej të urrehej nga shumica e cinikëve, por në fakt, duhet të jetë krejt e kundërta. Aktrimi i Lemmon është i mahnitshëm. I papërshkrueshëm. Përshtatet me karakterin, me historinë, me krejt botën e fëlliqtë. Nota personale: 5/5