“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin” – janë fjalët që rrallë kush nuk i ka dëgjuar. Si për ironi, janë fjalët e thëna nga njëri prej njerëzve të mbyllur në vete, të thëna nga introverti më i njohur të cilin bota megjithatë e njeh si njeriun e parë që ka shkelur në Hënë.

Dokumentari i National Geographic Channel, duke analizuar orë të tëra të kasetave gjatë intervistimit të tij në vitet e vonshme, provon të zbulojë misterin mbrapa Neil Armstrongut. Pos zërit dhe rrëfimeve të tija, në këtë dokumentar një orësh vijnë edhe dëshmi e përshkrime nga më të afërmit e tij, njerëzit të cilët kanë gjetur sado pak kohë e hapësirë në botën e tij private dhe të mistershme.

Nëse keni parë ‘First Man’ të Damien Chazelle me Ryan Gosling në rolin kryesor, pak a shumë jeni mirë të pajisur për t’u lëshuar në këtë dokumentar që sigurisht sjell një qasje ndryshe. Jeta e Armstrong nuk ka qenë ndër ato që do të lakmonte dikush, sidomos me tragjedinë që kishte goditur atë dhe familjen e tij para udhëtimit me Apollo 11 në Hënë. E pos jetës private, producentët na dërgojnë patjetër edhe në jetën e tij profesionale duke na dhënë detaje pse ishte pikërisht Neil Armstrong atij që do t’i besohej të shkelte i pari në Hënë!

Këtë dhe përgjigje tjera, ndoshta gjithçka që keni hamendësuar për Neil Armstrong, do të gjeni në këtë dokumentar. Sigurisht që një pjesë e detajeve do të mbetet jashtë, kryesisht për shkak të kohës jo shumë të gjatë. Por, kjo është ajo që e kompleton këtë dokumentar. Përfshihen sa shumë gjëra që munden, me detajet më kryesore dhe interesante. Është një balancë e shkëlqyeshme e realizuar nga producentët.

‘The Armstrong Tapes’ është një dokumentar që nuk duhet ta lë pa e parë asnjë kureshtar për Hënën dhe udhëtimet hapësinore. E mira është që e gjeni shpesh në National Geographic Channel, që e ka pothuajse secili operator kabllor në vend. Nota personale: 5/5