Mjeshtri i trilerit, Alfred Hitchcock kryesisht na frikëson pa bërë shumë potere. Ashtu janë pjesa më e madhe e filmave të cilët në heshtje ndërtojnë llahtarinë që do të na tmerrojë.

‘The Birds’ është më ndryshe.

Në San Francisko, në një dyqan kafshësh, një pasanike që merr çfarëdo që dëshiron takon një avokat. Mellani do e ndjek Miçin në një vendbanim periferik, aty ku Miç kalon fundjavat me nënën e tij dhe motrën e tij shumë të vogël. Me ardhjen e Mellanisë, zogjtë në Bodega Bej nisin të sillen çuditshëm, duke e sulmuar së pari varkën e Mellanitë, dhe lokacione tjera.

Pse?

Askush nuk e di.

Dhe kjo e bën këtë film Hiçkokian.

Njëkohësisht, paraqitja e shpeshtë e zogjve dhe sulmet e tyre e bëjnë këtë film më pak Hiçkokian, duke ia dhënë një shije më ndryshe se zakonisht zhanrit të tij.

Hitchcock bënë regjinë e filmit, derisa skenari është i adaptuar nga një tregim i Daphne Du Maurier, njashtu siç ishte edhe ‘Rebecca’.

Aktrimi vjen nga Rod Taylor e Tippi Hedren në rolet e Miç e Mellani, derisa Jessica Tandy, që 27 vite më vonë do të fitonte Oskar falë ‘Driving Miss Daisy’, luan rolin e nënës së Miçit. Që të gjithë, përfshirë edhe karakteret dytësore përshtaten me ambientin që përçon një aromë horrori.

Pjesa teknike, sidomos kamera është në nivelin e zakonshëm të Hitchcock, derisa dikujt mund të mos i pëlqejnë detajet e zogjve gjatë sulmeve të tyre për arsye që mund edhe mos t’i vëreni në film nëse futeni thellë në tregim.

‘The Birds’ është një film më ndryshe i Alfred Hitchcockut, që e dërgon atë në një botë pak më ndryshe nga e zakonshmja. Nuk do të them që është më mirë, apo më keq se kryeveprat e tij, veçse më ka impresionuar. Nota personale: 4/5