4.5 miliardë dollarë, apo në gjuhën e qeveritarëve tanë – katër autostrada e gjysmë është vlera e narkotikëve të prodhuar në Lazarat sipas shifrave që mund të gjejmë nëpër internet. Edhe kjo për vetëm një vit, që i bie sa gjysma e GDP-së kombëtare të Shqipërisë!

Kemi shumë ankesa pse nëpër serialet e filmat e huaj portretizohemi si kriminelë e të këqij! Por, a patëm shkencëtar, artist, e humanistë më shumë se kriminelë?! Jo! Edhe qëllimi i filmit provon të rivalizojë këtë përfundim. Kjo duket qysh në fillim kur pjesë e dialogut është edhe kjo dukuri negative në botën ndërkombëtare të argëtimit.

Filmi ka të bëjë me aksionin e forcave shqiptare të rendit në Lazarat! Ndoshta e mbani në mend aksionin i cili ngjashëm si filmi kishte qëllimi të japë atë anën tjetër të pasqyrës së popullit tonë – që jo të gjithë jemi kriminelë. Përkundrazi, ka edhe të tillë që japin jetën në luftimin e së keqes. Dhe për një hero të tillë është ky film.

Dhe është një mirënjohje për të gjithë ata që kanë rënë në luftën kundër krimit, të gjithë ata që çdo ditë zgjohen e kryejnë punën e ruajtjes së rendit dhe shtetit ligjor, duke rrezikuar edhe jetën.

Shumica e aktorëve janë të huaj, rusë, por kjo nuk është risi për neve kur e dimë që kjo është bërë edhe më parë, dhe pa ndonjë të metë. Nuk jam nacionalist, dhe nuk duhet të jemi kur kjo që është bërë në këtë film ka për qëllim ofrimin e një pamje pozitive, të vërtetë, të popullit tonë.

Nuk është film i veçantë, ama është film i realizuar mirë sidomos sa i përket regjisë. Skenari ka mundur të jetë më i mirë, shumë më i mirë! Njëjtë edhe aktrimi! Por, qëllimi i filmit, mesazhi që përçohet, i mbulon të gjitha këto! Shpresoj të kemi edhe më shumë tituj në këtë zhanër, sidomos për audiencën e huaj! Nota personale(në aspektin artistik): 3/5