Që nga akti i parë që fillon me vjedhjen e bankës e deri në momentin e fundit, për plotë dy orë e gjysmë, The Dark Knight të mbanë të ngjitur për kolltuku duke ofruar kthesa të papritura të cilat të lënë gojëhapur, edhe kur e shikon për kushedi të satën herë.
Ashiqare është njëri nga prodhimet më të mira filmike ndonjëherë, dhe këtë s’mund ta mohojë askush.
Gjithçka kombinohet në perfeksion në këtë film, nga regjia e mjeshtrit të filmit Christopher Nolan, i cili ka ndihmën e vëllait të tij, po aq të zellshëm, në përgatitjen e skenarit.
Puna e Nolanëve është shkollë për filmbërësit e kënaqësi superiore për neve filmdashësve.
Dhe pastaj, përballja e përhershme, siç është e mira me të keqen e amshueshme, ashtu edhe ajo ndërmjet Batman e Joker!
E në rolet e tyre kemi dy aktorë që arrijnë të mishërojnë karakteret e tyre me të gjitha karakteristikat.
Christian Bale i cili e ka zanat të përvetësojë jo vetëm ndryshimet fizike të karaktereve që luan, e që deri sot mbetet ndër Betmenët më të mirë, dhe i pazëvendësueshëm nga pasardhësit.
Heath Ledger të cilin nuk mund ta njohësh jo nga makijazhi sa nga sjelljet e një maniaku që edhe po të ndalosh në tentim për të bindur veten që është një aktor profesionist pas këtij karakteri, e ke zor ta besosh.
Dhe pastaj, gjithçka në mes, karakteret dytësore nga tashmë legjendat në kohën e realizimit të filmit – Michael Caine e Morgan Freeman; dhe emrat që do të arrinin majat e kinematografisë në vitet pasuese – Maggie Gyllenhaal, Aaron Eckhart, e Cillian Murphy.
Në vete, ‘The Dark Knight’ është ndër veprat kinematografike më të përsosura sa i përket artit të realizimit teknik, kreativ, e aktrimit si art fizik.
Mirëpo, nëse më duhet ta krahasoj me filmat tjerë të trilogjisë, edhe për art, po edhe për shkak të principeve të mia në shtjellimin e historisë së një vepre artistike dhe perceptimin e shoqërisë, qoftë edhe i devijuar nga synimi që ka pasur autori, nuk mund ta vendos para Batman Begins, që megjithatë mbetet më i miri i treshes së Nolanit.
Përkundër këtij përfundimi personal, ‘The Dark Knight’ mbetet ndër filmat më të përkryer në kinematografi. Nota personale: 5/5