Kur nisi të tregoj për diçka, shpesh më ndodh të ‘rrëshqas’ nga një temë në tjetrën edhe harroj ku kam nisur apo ku po planifikoja të shkoja. – Luan Morina, 87 vjeçar
Pjesën më të madhe të jetës e kalojmë duke ndjekur tjerët, dhe njeriu arrin paqen shpirtërore vetëm kur të njeh vetveten. Dhe kjo njohje mund të jetë e kufizuar.
Për alz’hajmerin, dementinë, parkinsonin, e sëmundjet tjera që ‘prishin’ kujtesën dhe aftësitë njohëse të një njeriu, nuk diskutohet aq shumë sa nevojitet. Më shumë diskutohet për disa b%$#@ nëpër ‘media’ se sa për shëndetin në përgjithësi.
‘The Father’ është ndoshta filmi më i mirë që kam parë kohëve të fundit në lidhje me këtë temë.
Në këtë film, Anthony është një burrë i moshuar mendja e të cilit kalon nga një periudhë e ndryshme kohore në tjetrën, me të bijën, dhëndrin, e kujdestaren e tij, të cilat shpeshherë ndërrojnë fytyrat duke shpërfaqur turbullirën e një njeriu që vuan nga humbja e kujtesës dhe aftësive njohëse.
Ajo çfarë e bën më të veçantë filmin është momenti kur Anthony, përmend datën 31 dhjetor 1937 si ditëlindjen e tij, që e ‘tepron’ me ngjashmërinë e karakterit me aktorin që e portretizon, Anthony Hopkins. Kjo thellohet kur Anthony përmend të bijën e tij tjetër në film, derisa me të bijën e tij të vetme nuk i kanë lidhjet familjare si çdo familjen ‘normale’.
Kjo ndërlidhje me jetën private të tij dhe atë të karakterit të tij në këtë film, i jep ngjyrë më origjinale filmit, me një aktrim që zotërohet në çdo emocion e fjalë që del nga Anthony Hopkins përgjatë të gjitha skenave të filmit.
Ndonëse dramë, filmi dikujt mund t’i duket edhe një triler psikologjik, gjë që duhet të na familjarizojë me sëmundjet e këtilla, të cilat presin një numër të konsiderueshëm nga të gjithë ne.
Sepse, në një mënyrë a tjetër, pleqëria vjen, dhe me pak fat do të përballemi edhe me të. Sigurisht, jo sot, por vetëm kur të vjen koha. Deri atëherë, duhet të vazhdojmë të shijojmë jetën që kemi, dhe të shohim më shumë filma. Nëse asgjë, vitet tona të pleqërisë do të jenë më ‘interesante’ për të tjerët që do të kemi fatin t’i kemi përreth.
Së paku vitet e mija të pleqërisë, nëse vijnë, do të jenë një koktej filmash, serish, librash, e historish. Nejse, ku e nisa e ku dola!
Anthony Hopkins e bën ‘The Father’ ndër tre filmat më të mirë të vitit 2020. Nota personale: 5/5