One Ring to rule them all, One Ring to find them,

One Ring to bring them all and in the darkness bind them

Tetë minutat e parë, sjellin tërë historinë se çfarë na pret në 220 minutat e mbetur (versioni i gjerë) të historisë së Zotit të Unazave. Dhe çfarë historie është kjo se!

Edhe njëzet vite më pas, si film, trilogji në fakt, ‘The Lord of the Rings’ i Peter Jackson mbetet trilogjia më e mirë në historinë e kinematografisë.

I ka të gjitha, skenarin, fotografinë, aktrimin, dhe shtjellimin e historisë që vetëm sa shkon duke u bërë më e fuqishme, si gjithçka deri në filmin e fundit. E njëjta vlen edhe për filmat, me ‘Fellowship of the Ring’ si ndoshta filmi më ‘pak i mirë’ nga të tre.

Për ata që kanë jetuar në kohën e gurit, ‘The Lord of the Rings’ sjellë historinë e një hobiti i cili ngarkohet me detyrën për të dërguar një unazë të magjishme, të plotfuqishme, në malin Mordor për ta shkatërruar. Dhe ky hobit, Frodo Bagins, nuk ka kurrfarë aftësie të veçantë, krahas ‘vëllazërisë’ që do ta shoqërojnë atë. Pos që nuk ka një epsh për të përdorur unazën dhe fuqinë e saj të zezë, të cilit epsh nganjëherë edhe i dorëzohet.

Që nga momenti kur Gandalf, magjistari gjigant mjekërbardhë, mëson për unazën, historinë e së cilës e di goxha mirë, dhe që është në pronësi të Billbo Bagins, kushëriri i Frodos, nis ai tensioni që e ndjejmë edhe ne si shikues. Dhe është një tension i dyfishë – nëse dikush, edhe vet Frodo do të marrë udhën e mbrapshtë dhe të përdor unazën me fuqinë e saj; apo, nëse dikush, që është një kalorës i errët e pafytyrë në fillim, që është nisur për të gjetur e marrë unazën, do të zë Frodon me Semin.

Dhe, mendoj që ky tension, që shoqërohet me zgjerim të historisë, e ‘tokës së mesme’, me karaktere të reja, e ngjarje dytësore që lindin, e bën këtë rrugëtim të magjishëm. Jemi në ikje, bashkë me Frodon, duke mos i besuar askujt, e as vetes.

Aktrimi është në nivel, sidomos nga dy doajenët e kinemasë – Christopher Lee e Ian McKellen, të cilët kanë shumë pak hapësirë së bashku, por mjaftueshëm. Skenari është mirë i shtjelluar. Pjesa teknike, marrë parasysh kushtet, mendoj që nuk zhgënjen, ndonëse ka disa raste kur mund të vërehen disa mangësi. Por, janë minimale në krahasim me regjinë e Peter Jackson. Ndoshta sot do të bëhej edhe më mirë, edhe më mahnitshëm. Por, nuk duhet të hamendësojmë shumë në lidhje me këtë. Adaptimi si seri veçse është duke ndodhur, me episodet e para që priten vitin e ardhshëm.

‘The Fellowship of the Ring’, versioni i gjerë, bën maksimumin për njoftimin tonë me historinë e tokës së mesme dhe unazave. Dy vazhdimet tjera vetëm sa bëhen më të përkryera. Nuk është e drejtë t’i gjykoj ndaras, ndoshta, por nota është e njëjta për secilën. Nota personale: 5/5