Për shumëkënd, ‘The Godfather’ është filmi më i mirë në histori të kinematografisë. Personalisht, nuk e kam as në mesin e dhjetë filmave më të mirë. Tash ju tregoj pse. Deri diku…
Cili baba bën biznes në ditën kur marton të bijën?
Vito Korleone, por kjo ngjarje është një mundësi shtesë për të takuar pa ngritur dyshime disa nga ‘kolegët’, familjarët, të cilët sa vijnë me dhurata, aq vijnë edhe me kërkesa.
Filmi nis duke kërcyer nga skena e dhomës së famshme të Don Vitos, sa tek vallëzimi e këndimi, sa tek Majkëll Korleone dhe e dashura e tij, e panjohur me krejt ‘biznesin’ e familjes së Majkëll.
Nga këtu e deri gati 150-160 minuta më vonë, mund të nisni vegëzën dhe ta mbyllni historinë, që nënkupton një mjeshtri të jashtëzakonshme skenari. Kjo pjesë e filmit, është si krejt filmi, madhështore. Disa nga citatet më të famshme në film burojnë nga ky titull. Dialogët, sidomos ata që përfshijnë Don Viton në ambiente të ndryshme – familjare e biznesore – janë abetare!
Aktrimi i Marlon Brandos është i mrekullueshëm. Transformimi i tij, ‘mplakja e parakohshme’ për këtë rol, mimika, në momente të ndryshme emocionale, monologët, janë të papërshkrueshëm e të pashoq.
Aktrimi i Al Pacino e James Caan mbetet më rigoroz, më i ftohtë, ashtu siç do të duhej për të dyja karakteret. E rolet dytësore nuk janë aq të rëndësishme ndoshta, por janë mirë të ekzekutuara.
E dimë që ‘The Godfather’ ka pasur një ndikim rilindje të një nën-zhanri duke i dhënë krejt kah tjetër filmave me temë kriminale që përfshijnë mafinë, duke i ngjyrosur më shumë me një dramë familjare se sa një krimi-aksion. Në këtë film, mund të tërheqim paralele nga shumë tituj filmash e serish që janë realizuar në gjysmë-shekullin pasues pas premierës së filmit.
Por, janë disa skena që po të ishte një gjuhë tjetër në film – turke apo indiane – do të përqesheshin në një masë të madhe. Dhe jo, kjo nuk është arsyeja pse nuk e konsideroj këtë film, apo vazhdimin, në mesin e filmave më të mirë. Ajo ka të bëjë me diçka krejt tjetër, pothuajse aspak me kinematografinë.
Por, më e mira e këtij filmi, dhe ndoshta ajo që e bën këtë film aq madhështor është historia e Majkëll, i cili disi arsyeton ‘zgjimin’ e bishës që kemi pothuajse secili në brendinë tonë, ashtu siç e kanë thënë edhe disa emra të njohur të psikologjisë.
Që nga prania në dasmën e të motrës, deri në skenën e tij të fundit, e kemi një Majkëll që kalon nëpër një transformim gjigant, që na kujton ndonjë nxënës të urtë, të zgjuar, që një ditë ka vendosur të përqafojë një anë tjetër të jetës duke ndryshuar në tërësi, kryesisht për shkak të ngacmimit që ka pësuar si një nxënës e fëmijë i urtë e i sjellshëm.
Prandaj, shumica thonë që ata më të urtit janë më të rrezikshmit?! Sikur Majkëll! Dhe, kur shoqëria i shtynë matanë vijës së kthimit, atëherë arsyetohet çdo lloj hakmarrje e tyre ndaj shoqërisë dhe atyre që i kanë prishur rehatinë matanë asaj vije, kur ishin njerëz të mirë, që dëshironin një senator apo guvernator të quajtur Korleone.
Sepse, sado që shkojmë në anën e errët, na duhet një pikë e bardhë, një shpresë që dokurdo mund të kthehemi në atë anë duke braktisur llumin nëpër të cilin fundosemi. Për dikë është njëri nga fëmijët, e për dikë është një saje!
Romantizmi që i jep ky film një stili të tillë të jetës, e që në fakt më shumë përkthehet ashtu tek ata që provojnë të arsyetojnë unin duke glorifikuar transformimin e Majkëllit kryesisht, dhe arsyetuar të mirat e të këqijat për familjen, definicionin e së cilës e ndryshojnë sipas nevojës, e bën këtë film një vepër fantastike kinematografike, por me një thelb të keqpërdorur më shumë se të keqinterpretuar nga shikuesit. Më shumë i mbivlerësuar si filmi më i mirë se sa filmi më i mirë ndonjëherë, The Godfather, megjithatë, mbetet një kryevepër arti. Nota personale: 5/5