Jeff Bridges and John Lithgow!

Nëse nuk jeni bindur pas këtyre dy fjalive të shikoni sezonin e parë të kësaj mini-serie fillimisht, atëherë zor që do të bindeni edhe pas rreshtave të mëposhtëm, sepse madhështia e kësaj serie është zor e përshkueshme.

Jeff Bridges luan rolin e Den Çejs, një agjenti të pensionuar të CIA-s, jeta e rehatshme e të cilit prishet kur fillon të ndiqet nga agjencia dhe një person i panjohur që e viziton pas gati tri dekadave.

John Lithgow është Harold Harper, ende punëtor i CIA-s, dhe ish-bashkëpunëtor i Den. Tash, njëri është ndjekësi e tjetri i ndjekur.

Pse po e ndjekin Denin? Nuk e dimë.

Kush po e ndjekë, duket se e dimë, por nuk jemi të sigurt.

Dhe kjo pjesa e mistershme, ky trileri ndiq e ik nuk është pjesa më e mirë e serisë.

Deni lufton edhe fizikisht me ndjekësit që kërkojnë kokën e tij, një plak në të 70tat kundër djemve të rinj, vrasës të përgatitur profesional.

Ka edhe persona tjerë me identitete të dyshimta për neve si shikues, e këto thellohen edhe më shumë kur shkojmë në të kaluarën, në tentim për të zbuluar arsyen e krejt kësaj tollovie.

Përgjigje do të marrim me kalimin e kohës, derisa ndodhin edhe ndryshime të mëdha në disa prej karaktereve. Nuk e dimë kush me kënd e për çka është. Ka shumë sekrete, të cilat ndoshta dikujt mund t’i duken të tepërta, por nuk e prishin bukurinë e rrëfimit dhe realizimit skenik.

Është një aventurë e një plaku që lufton për mbijetesë derisa të vetmit që ju beson pa asnjë pikë dyshimi janë dy qentë e tij.

Aktrimi është fenomenal, harmonia skenike mes karaktereve në nivel, dhe rrëfimi goxha mirë i shtrirë. Në shumë pjesë aktrimi i Jeff Bridges më kujton paraqitjen e tij te Hell or High Water.

Fillimisht ishte lajmëruar si një mini-seri, por për shkak të suksesit do të kemi edhe një sezon, që më duket e panevojshme ndoshta. Sidoqoftë, sezoni i parë, në vete, është kënaqësi për fansat e Bridges e Lithgow. Nota personale: 4/5