“Vishnu derisa provon të shtynë princin për të kryer punën e tij, ai merr formën e tij me shumë krahë – “Tani jam bërë vdekja, shkatërruesja e botëve”. Mendoj që secili menduam kështu, në një mënyrë a tjetrën” – deklaron Robert Oppenheimer pas testimit të bombës së parë atomike që kishte fuqinë e 20.000 tonelatave të TNT në New Mexico ku shkretëtira ishte kthyer në qelq.

Një milion të vdekur, miliona të pastrehë, SHBA-të prisnin dorëzimin e Japonisë, i cili ishte çështje javësh! Por, Harry S. Truman, vetëm disa javë pas vdekjes së papritur të Roosevelt, vendos të bombardojë Japoninë, një vendim kundërthënës në atë kohë edhe në vet kabinetin e tij.

Pas lajmit për bombën në Hiroshimë, e cila kishte lënë 70 mijë të vdekur dhe po aq të lënduar, dhe kishte shkatërruar e dëmtuar 97% të ndërtesave në qytet, presidenti amerikan do të thoshte ‘gjëja më e mirë në histori’.

Kjo skenë vjen në episodin e 24të, pasi të keni përfunduar 23 episode të llahtarshme të Luftës së Dytë Botërore, proces i cili mua, për shkak të angazhimeve, por edhe në tentim të ‘pushimit psikik’ më ka marrë gati tri vite.

Është mbresëlënëse kur shohim ‘1917’-shin e Sam Mendes. Por, ajo që më çudit, ndonëse e kuptoj arsyen, është se si në tërë ato beteja ku mijëra mbetnin të vdekur, kishte dikush që punonte me kamerë e cila nuk ishte vetëm një telefon që mbajmë sot në duar.

Por, falë këtyre heronjve që në vend të armëve kanë bartur kamera, ne, pasardhësit e tyre kemi një dëshmi të qartë që lufta është e mirë vetëm në një lojë kompjuterike. E si dokumentar, nuk ka ndonjë që shfajëson luftën, e palët e përfshira.

Remember the dead.
They did not ask to die as heroes.
They would rather have lived for those that loved them.

Në mesin të gjithë dokumentarëve, jo vetëm për luftën, ‘The World at War’ është dokumentari më i rëndësishëm i bërë ndonjëherë, dokumentari që do të duhej ta shikonim patjetër, disa herë, në listën e gjatë të dokumentarëve themelore!

Ndonëse i transmetuar në vjeshtën e vitit 1973 deri në majin e vitit pasues, ‘The World at War’, nën narracionin e Laurence Olivier, mbetet aktual edhe sot, 70-80 vite pas ngjarjeve që përshkruan.

Episodi i parë prej 26 sosh, nis me Gjermaninë e Re, dhe ‘përgatitjen’ për shtimin e themelit për pjesën e dytë të asaj që deri atëherë njihen si Lufta e Madhe. Më e mira e episodeve është që përqendrohen në beteja, në vende, ngjarje, të cilat vijnë në shtrirje të përzier, qoftë kohore qoftë gjeografike, për të arritur në epilogun final, që na sjellë njëfarë lehtësimi që krejt kjo nuk ka ndodhur në kohën tonë, ani pse disa prej nesh kemi përjetuar diçka të ngjashme!Seria mbetet neutrale, si një përshkruese gazetareske e ngjarjeve, pa mbajtur anë apo arsyetuar palë të përfshira në konflikt. Nga kampet e përqendrimit deri tek sjelljet e ushtarëve çlirues ndaj civileve gjermane, seria gjen vetëm një fajtorë për të gjitha tmerret që i shohim – luftën! Ka pamje grafike të rënda, dhe nuk do e sugjeroja për dikë që e ka problem këtë. Nota personale: 5/5