I dini ata filmat që kanë trailerat më të mirë se sa filmin?! Triple 9 është një film i tillë.

Hajdutë, policë, vjedhin bankën, ikin në arrati. Kate Winslet, Gal Gadot udhëheqin nga nëntoka. Woody Harrelson në stilin e tij sarkastik! Krejt këto servohen në trailer.

Në film – një bandë kriminele e përzier me policë dhe hajdutë vjedhin një bankë. Për pjesën tjetër të filmit mbeten duke provuar të ikin nga detektivët dhe ti qërojnë hesapet me shefat e tyre. Ngjarja e madhe ndodh në fillim të filmit dhe pastaj nis misioni i mbulimit të krimit që përfshin edhe vrasjen e një oficeri policie.

Nga pjesëtarët e bandës secili ka edhe misione tjera, dhe kjo provon të devijoj pak nga tema kryesore, por pa sukses. Me çdo minutë që kalon në vend që të thjeshtohen, gjërat komplikohen pa nevojë, përzihen bëhen lëmsh. Kjo ndodh njëkohësisht derisa tema kryesore zhvillohet dhe thjeshtohet, por sikur për ta bërë më interesante dhe më pak të kotë skenaristi ka vendosur të gjuaj detaje bash të panevojshme. Skenari vjen nga Matt Cook i cili debuton në film të metrazhit të gjatë. Nëse karriera vazhdon me këtë cilësi si kjo që ka shfaqur në Triple 9, atëherë besoj që do të jetë goxha e shkurtër. John Hillcoat nuk është shumë më i arrirë, por bën punë më të mirë se Cook.

Aktrimi nuk lyp diçka të veçantë. Në rregull, mund ta veçoj Kate Winslet që sjell një karakter sovjetik në ekran. Chiwetel Ejiofor e Aaron Paul nuk kanë shumë kohë para kamerave, por nuk dëshpërojnë. Anthony Mackie e Casey Affleck bëjnë punë të mirë, e Woody Harrelson është Woody tipik. Aktrimi është i mirë, dhe ndoshta ka edhe disa skena të realizuara mirë, ama megjithatë filmi është zhgënjim.

Traileri dhe përshkrimi i shkurtër zyrtar kanë premtuar më shumë. Zhgënjim total. Nota personale: 2/5