Para se ‘influencerët’ të cilët s’mund të influencojnë as më të afërmit e tyre të blejnë produkte që reklamojnë, pos nëse u jepen falas; para se gazetarët të kthehen në paparazzi e p…. që për interesa të ngushta ‘lakojnë të vërtetën’, gazetaria ishte profesion fisnik e i respektuar nga të gjithë!
Sidomos nga publiku i San Diegos të viteve 1970ta, kur ekipi i lajmeve të mbrëmjes së Kanal 4, dominonte shikueshmërinë. Së paku deri kur në ekip bashkohet femra e parë në këtë profesion, Tits Mekgi!
Kur karakteri i Christina Applegate prishë botën mashkullore të katërshes gjigante udhëhequr nga legjendari Ron Burgundi, çapkëni Brajan Fantana, banalisti sportiv Çemp Kind, dhe meteorologu Brik Tamllend, lufta për ‘mbijetesën e mashkullores’ në televizion merr hov!
Nën regjinë e Adam McKay, i cili bën skenarin bashkë me mikun e tij që edhe i jep jetë vet legjendës Ron Burgundi – Will Ferrell, filmi sjellë një satirë të kënaqshme të botës televizive të asaj kohe, me plot çaste komike që thumbon karakteret kryesore mendjemëdha, bota e të cilave shkundet nga ardhja e spikeres së parë.
Është komedi tipike e McKay e Ferrell, e parregullt, e pacipë, e çmendur, bash për qejfin tim!
Prandaj, si një fans i legjendës, dëgjues i rregullt i podcastit të Ron Burgundy, me të cilin në këtë drejtim tani jemi kolegë, nuk mund të jem objektiv për këtë film. As për vazhdimin. As për podcastin. Aq më pak për Ferrell e McKay.
Bashkë me Will Ferrell, në rolet kryesore vijnë edhe David Koechner, i paplakuri Paul Rudd, dhe legjenda tjetër e komedisë, Steve Carrell. Këta i japin kuptim legjendës, secili me botën e tyre të çoroditur, e më së shumti nga ta, meteorologu Steve Carrell. Ka edhe paraqitje momentale të karaktereve dytësore, sidomos gjatë ‘luftës’ së ekipeve të lajmeve, e cila ‘eskalon shumë shpejt’. Do të thosha që është njëra ndër komeditë e mija të preferuara. Për shumëkënd, nuk është as komedi, por, shumë gajle e madhe! Nota personale: 5/5